Vizita e Viktoria Nuland zbuloi gjithçka
Takimet e Viktoria Nuland dhe ajo që u tha në to dhe pas tyre treguan së paku dy gjëra shumë të rëndësishme: SHBA është një mbrojtëse e përkorë dhe e paepshme e parimeve më të mira të politikës dhe beteja e opozitës nuk është e pathemeltë.
Politika, të paktën që prej dy shekujsh, në vendet demokratike shihet si aktiviteti në të cilin pranohet ekzistenca e interesit, mendimit, grupit apo opinionit të ndryshëm. Duke qenë kështu, politika përpiqet të gjejë një mënyrë t’i pajtojë apo të bjerë dakord me këta interesa apo qëndrime duke ndjekur kushtetutën dhe ligje të tjera.
David Brooks, një sociolog i njohur, shkruante në Nju Jork Times pak ditë më parë, se kjo është mënyra e vetme për të shmangur tiraninë. Tjetra, sjellja që nëpërkëmb kompromisin, përçmon rëndësinë e rregullave, institucioneve, zhvlerëson traditën në ligjvënie apo vendimmarrje është antipolitika. Antipolitika përbuz legjislativin, forumet, diskutimet. Ajo këmbëngul te veprimi, te forca dhe nuk e njeh asfare mundësinë e kompromisit.
Politika bashkudhëton me demokracinë ndërsa antipolitika me dhunën, tiraninë etj. Propozimi i zonjës Nuland për të bashkuar pozicionet e palëve në lidhje me reformën në drejtësi dëshmon pikërisht atë që SHBA e ka në rrënjë të identitetit të tyre politik që prej themelimit.
Gjithashtu, fakti që këmbëngulja e mjaft ditëve për të çuar në votim variantin e tanishëm të reformës në drejtësi, kërcënimet deri edhe të kryeministrit Rama në sallën e parlamentit se deputetët e opozitës do ta votonin me hir ose pa hir, do ta votonin me gjithë mungesën e dëshirës reformën në drejtësi, u rrëzuan me ardhjen e një tjetër propozimi do të thotë e opozita po një gjë të admirueshme.
Ngadalë, me shumë mund, përmes një përpjekjeje të vazhdueshme për ta tëhuajësuar nga shumica dhe mjaft media, opozita ka rrëzuar thuajse të gjithë draftin fillestar të reformës në drejtësi duke rrëzuar edhe të gjithë korin që thoshte se opozita është e trembur nga reforma dhe se gjithçka ajo thotë është thjesht gabim. Më e rëndësishme nga të dyja këto dy gjëra që u ripanë dje, u bë e qartë se Shqipëria nuk ka nevojë për një reformë në drejtësi. Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë politike. Kriza është politike dhe është strukturore.
Parlamenti, ekzekutivi dhe gjyqësori nuk funksionojnë si pushtete të pavarura dhe parimi i kontrollit dhe balancimit të njëra-tjetrës është i paqenë plotësisht.
Charl Montesquieu, një nga mendimtarët më të mëdhenj të epokës moderne thotë në librin e tij “Fryma e ligjeve” se nuk mund të ketë demokraci dhe liri për qytetarët në qoftë se tre degët e pushtetit (legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori) duhet të jenë të pavarura nga njëra-tjetra, të kontrollojnë njëra-tjetrën duke balancuar pushtetin e njëra-tjetrës.
Libri i tij është baza mbi të cilën u ndërtua kushtetuta e SHBA-së, deklarata e të drejtave të njeriut dhe thuajse gjithë ideja mbi shtetin demokratik. Shqipëria ka një gjyqësor të korruptuar për shkak të mungesës së kësaj ndarjeje pushteti, për shkak se mosfunksionimit të parimit kontroll dhe balancim mes këtyre pushteteve. Fakti që prej më shumë se një viti një komision i njëanshëm hartoi një draft për ndryshme kushtetuese, ndryshimi që u rrëzuam gjithnjë rrugës deri dje tregon se Shqipëria nuk i ndahet traditës së uzurpimit të pushteteve.
Për fat të keq prej vitesh pushteti legjislativ në vend nuk ekziston. Legjislativi është ndër pushtetet themelore dhe detyra e tij është hartimi i ligjeve, ndarja e parave të buxhetit dhe mbikëqyrja e qeverisë. Në shumë vende të botës ka ndërhyrje të njërit pushtet te tjetri por uzurpim i plotë i një pushteti nga një tjetër nuk ka në asnjë demokraci.
Parlamenti shqiptar nuk ka asnjë lloj pavarësie nga qeveria, çdo deputet është një vartës i gjorë i qeverisë, as që e mendon veten si ligjvënës. Deputetët për shkak të mënyrës se si janë zgjedhur, për shkak të mosnjohjes së plotë të natyrës së pushteteve, detyrave të secilit pushtet, përgjegjësive të tyre si përfaqësues të popullit sillen thjesht si ndihmës apo sekserë të qeverisë. Ata emërohen apo edhe e blejnë vendin në parlament.
Ligjet dhe buxhetin i bën qeveria dhe deputetët e kanë zhveshur veten nga kjo detyrë. Ndërkohë sa i takon detyrës së mbikëqyrjes së qeverisë nuk ka kuptim të flasim. Jo vetëm që nuk e kontrollojnë qeverisjen por ka raste kur kontrollojnë opozitën.
Pati një komision hetimor të drejtuar nga Ermonela Felaj për të vërtetuar se akuzat e opozitës për trafikun e drogës me avionë ishin gënjeshtra siç pati kohë më parë një komision për të hetuar nëse kreu i opozitës Rama i kishte tërhequr veshin një zyrtari në Vjenë.
Legjislativi ka kohë që ka hyrë në gjendje të shëmtuar, ndoshta ka qenë gjithnjë, por kurrë nuk ka qenë në fokus të një reforme kaq të gjerë. Që në vitin 1960 John Locke në “Traktat i dytë për qeverisjen” thotë: legjislativi nuk mund të transferojë pushtetin e ligjbërjes në duar të tjera. Në qoftë se do të ndodhë kjo, atëherë tirania e ka derën hapur dhe dega tjetër e pushtetit gjyqësori do të zhytet në korrupsion, padrejtësia do të sundojë dhe qeveria do të jetë mbreti i vetëm.
Edhe sikur të miratohet propozimi i zonjës Nuland për reformën në drejtësi ai nuk do të sjellë asnjë përmirësim të prekshëm në gjyqësor, thjesht gjyqësori i sotëm do të jetë një tjetër por nuk do të jetë ndryshe.
"Mapo"
Add new comment