Roli i ri i Gjermanisë – Europa dhe ruajtja e BE-së, prioritetet kryesore

Postuar në 04 Korrik, 2016 01:43

Po flitet shumë së fundmi për një rol të ri të Gjermanisë. Në planin ekonomik ajo e ka prej kohësh rolin e një fuqie të madhe, për vetë peshën që zë, por në planin diplomatik e sidomos në çështjet e sigurisë, Berlini është treguar shumë i kujdesshëm. Trashëgimia e Luftës së Dytë Botërore dhe më tej akoma, një histori shekullore konfliktesh në Europë, që kanë patur si protagonist këtë vend, imponuan rishikimin themelor të qasjes ndaj situatave ndërkombëtare.

Mirëpo që nga viti 2003, kur me problemet e krijuara në Irak edhe për SHBA-të si aktor kryesor në zgjidhjen e një krize në Lindjen e Mesme, “iluzioni i një bote unipolare u vanit”. Asokohe Gjermania e Schroeder doli kundër ndërhyrjes, në një shfaqje krejt të ndryshme nga ajo që Berlini zyrtar kishte mbajtur deri më atëherë në raport me SHBA-të. Ky moment dhe sidomos situatat e krijuara së fundmi me ndërhyrjen ruse në Krime dhe në Ukrainë, apo acarimet në Balltik, kanë nxjerë në dritë me forcë të re nevojën për një “rol të ri të Gjermanisë në botë”.

Në një ese të publikuar në revistën “Foreign Affairs”, ministri aktual gjerman, Frank Walter Steinmeier merr në vështrim analitik këtë temë, duke bërë edhe një kalim të shpejtë historik mbi atë që ka ndodhur dy dekadat e fundit. Sipas tij, Gjermania diti të qëndronte stabël dhe të mos humbiste në hullitë e krizës financiare, duke rritur kështu vetiu forcën dhe peshën e saj. Por me rritjen e fuqisë së Gjermanisë “është rritur edhe nevoja që vendi të shpjegojë politikën e tij të Jashtme”. E cila qëndron në themel të stabilitetit të Europës.

Duke mbështetur politikën e presidentit amerikan, Barack Obama, ministri gjerman bën një vlerësim që në SHBA jo të gjithë do ta përkrahnin. “Obama po i përgjigjet me mençuri një rendi botëror në ndryshim dhe ndryshimit të natyrës së fuqisë amerikane. Ai po ia adapton mënyrat dhe qëllimet e politikës së jashtme amerikane me kapaciteteve kombëtare dhe sfidave të reja me të cilat përballet”, shkruan ai.

Një nga këto sfida, strategjike madje, është ajo se “rendi ndërkombëtar që SHBA dhe Europa krijuan dhe mbështetën pas LIIB – një rend që gjeneroi liri, paqe dhe progres në një pjesë të madhe të botës – është nën presion”.

Në një botë ku krijohet përshtypja se konfrontimi po bëhet i pashmangshëm,  memoria dhe përvoja gjermane “ka shkatërruar çdo besim në veçanësinë kombëtare për çdo komb”. “Gjermania i mëshon nevojës për legjitimitet në vendimmarrjen mbinacionale dhe investon në drejtimin shumëpalësh të OKB-së”, vijon Steinmeier.

Këto parime të politikës së Jashtme peshojnë mbi mënyrën sesi ky vend i madh i Europës ushtron përgjegjësitë e veta brenda një strukture si Bashkimi Europian, e ardhmja e të cilit është vënë në pikëpyetje. Dhe e lidhur pazgjidhshmërisht me vendimet që merren në Berlin, një qendër ndaj së cilës shumëkush ka ende frikën e “gjermanizimit të Europës”. Por ministri Steimeier ka folur me gjuhën e një europiani, në një epilog që ngjan si “vënie në dispozicion të Europës”.

 “Gjermania e ka kuptuar që nuk mund t’u ikë përgjegjësive. Përderisa Gjermania ndodhet në qendër të Europës, as izolimi dhe as konfrontimi nuk janë opsione të kujdesshme. Në vend të këtyre, Gjermania përpiqet të përdorë dialogun dhe bashkëpunimin për të promovuar paqen dhe fundin e konfliktit”, shkruan ministri gjerman, që e quan këtë një politikë të jashtme reflektive. Ka shtete që nxisin një hapje më të shpejtë gjermane në çështjet ndërkombëtare, por Steinmeier duket i ftohtë kur e mbyll shkrimin me një mesazh për Europën, aty ku qëndron edhe problemi i sotshëm më delikat: “Disa politikanë si ish-ministri i Jashtëm polak, Sikorski, e kan ë quajtur Gjermaninë si “kombi i domosdoshëm” i Europës. Gjermania nuk ka aspiruar për këtë status. Por rrethanat e kanë detyruar të ketë një rol qendror. Ndoshta fati i asnjë kombi tjetër europain, nuk është kaq i lidhur me ekzistencën dhe suksesin e BE-së. Për herë të parë në historinë e vet, Gjermania jeton në paqe dhe miqësi me Francën, Poloninë dhe pjesën tjetër të kontinentit...Ruajtja dhe ndarja e përgjegjësive për drejtimin e tij, janë prioritetet kryesore të Gjermanisë...Do të jetë një lider i përmbajtur, reflektiv, udhëhequr nga instinktet europiane”, e mbyll shkrimin Steinmeier. 

 

https://www.foreignaffairs.com/articles/europe/2016-06-13/germany-s-new-...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.