Gabime trashanike në botimet historike. Mjaft diletantizmit!

Postuar në 01 Korrik, 2016 18:37
Prof. Muzafer Korkuti

Në këto 10-15 vitet e fundit, në vendin tonë janë botuar mbi 20 libra, me rreth 6000 faqe nga autorë shqiptarë, të cilët kanë si objekt çështjen e origjinës së tejlashtë të banorëve të trojeve tona, e njohur tradicionalisht si çështja pellazgjike. Ish- Universiteti “Vitrina” shkoi edhe më tej duke organizuar me studiues të fushave të ndryshme, në vitin 2011, një konferencë me temë “Qytetërimi Pellazg”.

Kthimi në vëmendje i problemit pellazgjik, nga disa prej intelektualëve e studiuesve të pasionuar pas lashtësisë së popullit tonë, pas viteve ‘90 të shekullit XX, erdhi si rezultat i ndryshimeve demokratike në të gjitha fushat e jetës ekonomike e shoqërore dhe i mundësive të reja për të shprehur lirisht, si pasojë e mundësive më të mëdha për të shkruar e botuar në mënyrë të pavarur si individ dhe si shtëpi botuese.

LISTA E BOTIMEVE

Më poshtë po rendisim listën e librave sipas vitit të botimit:

Ilir Cenollari Profecitë e Zotit të Tomorrit, Tiranë, 2004, f.204; Dhimitër Pilika, Pellazgët, origjina jonë e përbashkët, Tiranë 2005, f.448; Eva Brinja, Antikiteti, Tiranë 2005, f.405; Arsim Spahiu, Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër, Tiranë 2006 f.399; Luftulla Peza, Liljana Peza, Dritë e re mbi pellazgët dhe gjuhën e tyre, Tiranë 2009, f.151; Elena Kocaqi, Roli Pellazgor-ilir në krijimin e kombeve dhe gjuhëve Europiane, Tiranë 2007, f.255; Mathieu Aref, Shqipëria, odiseja e pabesueshme e një populli parahelenik, Tiranë 2007, f.561; Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët, Greqia ose zgjidhja e një enigme, Tiranë 2008, f.602; Arsim Spahiu, Orakulli i Dodonës dhe epirotët, Tiranë 2008, v.I, f.224; Ali Eltari (Lapi), Pellazgët – krijues të qytetërimit botëror, Tiranë 2008, f. 298; Naim Laçaj, Pellazgët folën. Etnogjeneza e shqiptarëve, Tiranë 2008, f.155; Sulejman Mato, Vështrim mbi lashtësinë e gjuhës shqipe, Tiranë 2008, f.170; Luftulla Peza, Liljana Peza. Dritë e re mbi pellazgët dhe gjuhën e tyre, Tiranë 2009, f.138; Arsim Spahiu, Mbi arkeologjinë e Dodonës dhe të Epirit, v. II, Tiranë 2009, f.242; Arsim Spahiu, Gjuha e epirotëve të vjetër, Tiranë 2010, f.234; Arsim Spahiu, Shteti i Epirit, Tiranë, 2011, f.247; Muharrem Abazaj, Kodi i gjuhës Pellazgo-shqipe, Tiranë, 2011, f.157; Konferenca I-rë Mbi Qytetërimin Pellazg (Përmbledhje e kumtimeve), Tiranë, 21-22 tetor 2011, f.60; Bajram Doka, Ilirët, trakasit dhe frigjiasit, Tiranë 2012, f.95; Eleni Kocaqi, Albanët, shqiptarët me famë botërore, Tiranë 2012, f. 225; Margaret K. Nilo, E vërteta, Tiranë 2012, f.598; Aqif Sali Tafa, Dritësimi i historisë – Pellazgët paraardhësit tanë të lashtë, Tiranë 2013, f.422; Arsim Spahiu, Maqedonasit e vjetër dhe arkeologjia e tyre, Tiranë 2013, f.215; Muharrem Abazaj, Pellazgët folën dhe shkruan shqip, Tiranë 2013, f.425; Sulejman Mato, Vështrim mbi lashtësinë e gjuhës shqipe, Tiranë 2015, f.199.

Në këto kushte të reja, kthimi në vëmendjen e disa intelektualëve me studime e botimin e disa veprave, është i natyrshëm dhe i pranueshëm. Ata i kanë hyrë një pune të vëllimshme për të rishqyrtuar tema, sipas tyre të harruara, që janë ngritur shumë kohë më parë nga studiuesit romantikë të shekullit XIX, si edhe nga gjuhëtarë, historianë e arkeologë të shekullit të kaluar. Shqetësimi i tyre, ka të bëjë me probleme të rëndësishme të historisë së lashtë të Shqipërisë, të cilat kërkojnë të ndriçohen e të plotësohen me të dhëna të reja dhe për më tepër, çka është kryesore të bazohen në studime e kërkime ndërdisiplinare, në përputhje me nivelin e kërkimeve të sotme në arkeologjinë prehistorike dhe të bashkërenditura me arritjet e studimeve në gjuhësinë indoeuropiane. Në këtë këndvështrim do të parashtrojmë disa konstatime e mangësi kryesore të botimeve në gjuhën shqipe, të bëra në dekadën e fundit.

MANGËSITË

Konkretisht po ndalemi në disa nga çështjet e mangësitë më kryesore, të karakterit metodik e shkencor, që vihen re pothuajse në të gjitha librat e cituara.

Karakteristikë e përbashkët për të gjithë autorët e këtyre botimeve është se ata nisen nga të dhënat e autorëve antikë, kryesisht mbi të dhënat gjuhësore që ofron onomastika antike dhe përpiqen t’i zbërthejnë e t’i shpjegojnë ato, duke i krahasuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me shqipen moderne, me fjalë të tjera, mbeturinat e një gjuhe shumë të lashtë mesdhetare paraprake (pellazgjishtes) me gjuhën e sotme shqipe dhe rrjedhimisht me pasardhësit e tyre shqiptarët, pa marrë parasysh e analizuar etapën e ndërmjetme historike, atë ilire dhe arbërore, të cilat kanë shërbyer si hallka lidhëse dhe urë kalimi. Lidhur me këtë është e nevojshme të kujtojmë se në kronologjinë relative është përcaktuar e pranuar se pellazgët ose (paragrekët, parailirët, paratrakët) kanë jetuar para mijëvjeçarit të tretë p.e. sonë. Për ilirët e pasardhësit e tyre, në trajtimin e problemeve gjuhësore dhe etnike, duhet të kemi parasysh periudhat kryesore të zhvillimit historik, të cilat po i citoj:

-Paleoilirët, (Ilirët e hershëm) koha e bronzit – mijëvjeçari i tretë p.e.sonë deri në shek.XI p.e.sonë, fillimi i epokës së hekurit.

-Ilirët, epoka e hekurit, shek.XI p.e.sonë deri në shek.IV-VI të e.sonë.

-Arbërit, koha e mesjetës së hershme, shek.VII-XIII, XIV të e.sonë.

-Shqiptarët, koha e mesjetës së mesme e vazhdim.

I përmenda këto periudha në kronologjinë relative të zhvillimit të etnosit iliro-arbëror, sepse në të gjitha botimet e cituara, krahasohet në mënyrë të drejtpërdrejtë shqipja moderne me mbeturinat e një gjuhe shumë të lashtë mesdhetare, me pellazgjishten, dhe rrjedhimisht nxirren përfundime se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të pellazgëve. Ky përfundim arrihet pa marrë parasysh dhe pa analizuar etapat e ndërmjetme historike (paleoilirë, ilire, arbër – kohë historike mbi 3000 vjeçare), të cilat kanë shërbyer si hallkë lidhëse e urë kalimi midis prehistorisë dhe gjendjes së sotme. Natyrshëm një trajtim i shkallë-shkallshëm i problemit të gjenezës së gjuhës shqipe e të shqiptarëve e bën më të pranueshëm e më bindës konkluzionin. Në shumë nga botimet e sotme përfundimi paracaktohet e shprehet qysh në titullin e librit (Pellazgët, origjina jonë e përbashkët, Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër, Roli Pellazgo-ilir ose Krijimin e kombeve dhe gjuhëve Evropiane, Pellazgët folën. Etnogjeneza e shqiptarëve, Kodi i gjuhës Pellazgo – shqipe, Enigma, Pellazgët folën e shkruan shqip etj.).

ÇËSHTJA E GJUHËS/TOPONIMET

Në arritjen e përfundimeve të qëndrueshme në leximin e interpretimin e burimeve të shkruara antike, duhen bërë studime ndërdisiplinare, të cilat kryhen nga specialistë të fushave shumë të ngushta. Pra më parë duhet të kesh formim filologjik në nivel universitar, e më tej përgatitje e thellim në njohjen, fjala vjen të indoeuropianishtes a të gjuhëve të veçanta të kohës antike. Që të lexosh e interpretosh mbishkrimet antike greke, që gjenden në ndërtesa, në monumente, gurë a objekte të tjera, duhet të jesh epigraf, d.m.th., specialist i greqishtes së vjetër. Bile gjuha, përkatësisht mbishkrimet, e kohës homerike ndryshojnë nga ato të kohës klasike dhe akoma më shumë nga ato të kohës helenistike. Ai që zbërthen e lexon mbishkrimet e kohës romake, është specialist për mbishkrimet latine; epigraf i një periudhe tjetër është ai që lexon mbishkrimet e greqishtes mesjetare, bizantinishtes etj. Në secilën nga këto fusha ka arritje shkencore të pranuara nga të gjithë që duhen marrë si bazë për kërkime të mëtejshme. Një studiues i cili nuk njeh greqishten e vjetër, nuk është specialist i mbishkrimeve antike, nuk mundet që në mënyrë intuitive të lexojë e të interpretojë toponime e antroponime që gjenden në burimet e shkruara të kohës antike. Shumica e autorëve të librave të botuar në gjuhën shqipe, nuk njohin greqishten e vjetër, nuk janë specialistë të mbishkrimeve antike, madje disa prej tyre nuk kanë as formimin filologjik në gjuhën shqipe, rrjedhimisht argumentet dhe shembujt, provat që ata sjellin në librat e tyre, janë të pabazuara madje janë një dëshmi e njohurive të mangëta të tyre. Po sjellim disa shembuj:

-Toponimi Epeiros, në greqishten e vjetër do të thotë tokë; sipas A. Spahiut në Orakulli… f.55, shpjegohet me gjuhën shqipe, Epeir – (i)epër(m) – i sipërm. Po ky toponim Epir – lexohet – ep- – jep dhe ep – sipërm – (M.Abazaj; Kodi i gjuhës… f.350.

– Toponimi Konispol – ndahet në k-on-is-pol = tek ne ishin lindur, (M.Abazaj, Kodi i gjuhës… f.41), në sllavisht vjen nga kon-kal dhe pol-je – fusha, fushë e kuajve.

– Emri i rrugës Egnatia, sipas M.Aref, Shqipëria… shpjegohet me shqipen, i n’gjatë, që do të thotë i madh, i gjatë. Për historianët emërtimi i rrugës Egnatia, vjen nga emri i projektuesit të parë Knaeus Egnatius.

Është një arritje e shënuar që sot ka shumë botime e të gjinive të ndryshme, por mendoj se ato që trajtojnë probleme të gjuhës shqipe e historike kombëtare, duhet t’u përmbahen disa kritereve, të përmbushin disa norma të njohura e të pranuara nga të gjithë studiuesit. Mendoj se kjo vlen edhe për shtëpitë botuese, të cilat për botimin e librave që trajtojnë çështje me rëndësi kombëtare, duhet t’i nënshtrohen një recense të specializuar. Madje vendosja e emrit të recensentit në libër, ashtu si shënohet emri i redaktorit, kompjuteristit etj., e rrit vlerën dhe e bën më të besueshëm përmbajtjen e librit.

Për pellazgët e problemin pellazgjik janë botuar shumë libra dhe janë shprehur pikëpamje nga më të ndryshmet, gjithashtu edhe për hipotezën se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve e gjuha shqipe është çelësi për shpjegimin e saj, pa cituar literaturën në të cilën mbështeten, d.m.th. pa iu referuar asnjë autori që ka trajtuar të njëjtin problem, duke i dhënë vetes përparësinë në zgjidhjen e enigmës pellazgjike, çka nuk është as etike e aq më pak shkencore. Me keqardhje, dua të nënvizoj, se edhe midis autorëve të librave në shqyrtim, nuk ka asnjë citim të ndërsjellë për të njëjtin problem, po secili i bie “këmbanës së vet”. Edhe në pak raste kur ka referenca, ato nuk janë të sakta e të plota; janë të shkëputura nga konteksti ose nuk kanë lidhje me përmbajtjen. Gjithashtu edhe ilustrimet (harta, foto, skica etj.), nuk kanë lidhje me tekstin, e nuk kanë diçitura të sakta, rrjedhimisht janë mangësi që shvleftësojnë ndjeshëm cilësinë e botimit.

PASAKTËSITË

Si historian e ndjej si detyrim të vë në dukje se në përcaktimin kohor të proceseve gjuhësore e etnike ka pasaktësi dhe gabime të mëdha – gabime trashanike. Po japim disa shembuj: “Zbulimet arkeologjike tregojnë se rajoni ku ndodhen dy Tomorët dhe Dodon është populluar që në kohën e paleolitit nga e njëjta popullsi”, (I. Cenollari, Profecitë… f.161); “Kanë kaluar 13500 vjet nga koha kur pellazgët mbijetuan nën rrebeshin e të ftohtit folën. Ky është hapi i parë i pandalshëm që do të krijonte njerëzit folës”, (A. Eltari, Pellazgët… f.295); “Nëse antropologët e ndjekin homosapiensin që në paleolitin e mesëm deri te neandertali 200.000-35.000 vjet më parë, speciet pellazge e ndjekin që nga momenti kur kapaciteti i tij intelektual çoi në lindjen e arsyes normale… Pellazgët dhe gjuha e tyre ose shqipja janë shumë më të hershme (rreth 12.000 vjet më parë)”, (N. Laçaj, Pellazgët folën”, f.56); Mbështetur në të dhënat arkeologjike dimë se pellazgët janë banorë të trojeve tona që në periudhën e paleolitit”, (M.Abazaj, Kodi… f.115).

Gjatë epokës së paleolitit të lartë (30.000-12.000 vjet më parë) vazhdon procesi i antropogjenezës, i shndërrimit të majmunit në njeri, rrjedhimisht nuk mund të flitet as për gjuhë pellazge dhe as për popull të cilësuar etnikisht.

Në vazhdim të konstatimeve tona, vlen të kujtojmë se në disa nga librat e cituar është bërë përpjekje që përfundimet e arritura për lashtësinë e gjuhës shqipe dhe origjinën pellazgjike të shqiptarëve, ta mbështesin edhe me të dhëna nga legjendat, nga mitologjia, nga feja, nga folklori, nga antropologjia e më larg akoma, mbi paralele e afëri nga jurisprudenca, por kjo duhet bërë duke ruajtur masën e pa e tepruar (Dh.Pilika, Pellazgët nën dritën… f.162, 391 e 399); I.Cenollari, Profecitë… f.3; M.Aref, Shqipëria…f.164; A. Spahiu, Pellazgët dhe ilirët…f.285; Orakulli…f.185; A. Eltari, Pellazgët krijues…f.3,47; N.Laçej, Pellazgët folën…f.58; S. Mato, Vëzhgime… f.99; A. Spahiu, Shteti i Epirit…137). Të dhënat që kemi nga këto fusha e dije për epokën parailire janë shumë të kufizuara, të cunguara e përgjithësisht të përbashkëtat për popujt e Ballkanit, rrjedhimisht nuk ndihmojnë në mbështetje të tezës pellazgjike të shqipes.

MUNGESA E KRITEREVE SHKENCORE

Siç kemi vënë në dukje të kësaj shtojce, të gjithë autorët e botimeve të cituara, si lëndë themelore, si bazë për të mbështetur pikëpamjet e tyre kanë leximin dhe interpretimin e të dhënave onomastike me gjuhën e sotme shqipe; dhe këtë e bëjnë duke ndarë në rrokje toponimet e antroponimet që kemi nga burimet antike në funksion të ideve të tyre të paracaktuara pa asnjë kriter shkencor dhe fjalët e ndara në rrokje e në germa, i shpjegojnë me shqipen e sotme. Po sjellim shembujt më përfaqësues nga botimet e cituara.

– Dodonë –dhënë, dhënëse, dhuruese. Nga rrënja dho-në, dha dmth jep. Dhe më tej: Tempulli faltorja jepte, falte (I.Cenollari, vep.cit. f.111). Kujtojmë se në tempull çoheshin dhurata, nuk jepeshin.

– Athina – E thëna, e thana – premtim; Mikena – atërit (etërit në shqip) – mik (rrënja); Zeusit – za, zan (gegërisht); Helena – e lena – e lëna Pellazge – njerëz të shpellave etj. (Aref, Shqipëria… f.25, 111). Athina = Atina = at-in-a=ati-yn-a(ashte) = babai, zoti in (yn); zeus (=Poseidoni) = ze-us=ze-hysh/shi-hysh/she shikim-hysh (M.K. Nilo, f.11).

– Aleksandër – kale-si-në-andër; Maqedoni – ma qe dhën (M.Aref, “Mikenet” f.495).

– Epir – (i) epër(m) – i sipërm (A. Spahiu, Orakulli…f.53).

– Mullë –vjen nga mulli (që bluan) (A.Eltari, po aty, f.235).

– Adam – a dam, a i dam, është i ndarë, është i vetëm; Eva-e-va-e ve, e vetme; Jezus – Je-zus – je zoti i vetes; zeus – za, zanin, zërin; Apoloni – a – po – loni – a po loni, a po luani (.N.Laçej, po aty, f.15-16);

– Tragjik – ra dhe gjak, , ra gjak nga altari (S. Mato, po aty, f.99).

– Akil – a + kil – a + kal; Odhise – udhës, udhëtar, Troja – truall – troje; Zeus – za, zë, zeus – zot (L.Peza, Dritë e re… f.96).

– Mirmidon – mirë më doni; Aspet – shpejtë (A. Spahiu, Shteti i Epirit… f.16).

– Lemnos – lë emrin (M.Abazaj, po aty, f.103)

– Bulqiza – Bull-qi-za + Buall që zëri – ishte zë bualli (B.Doka, po aty, f.118).

– Zeus – za, zani (A.Tafa, Po aty, f.18-19).

– Amantia – am + amë/nëne, an – janë; Skampa – sk – am – pa; sk-s’,nuk, am-nënë, pa-me pa –s’kam parë nënë; Athina – at-baba, in-rrin-rrinë etrit. (M.Abazaj, Po aty, f.38).

Shembujt e mësipërm janë të mjaftueshëm e domethënës për të treguar se metoda e përdorur në ndarjen e fjalëve e shpjegimin e tyre me gjuhën shqipe është bërë me hamendje, pa kritere të njësuara e të provuara shkencërisht. Gjuhësia historike i trajton e shtjellon problemet në rrafshin sinkronik e diakronik dhe çdo gjuhë ka historinë e brendshme të zhvillimit të saj. Dija gjuhësore është rigorozisht shkencore e nuk pranon diletantizëm e as hamendësime e shkelje të ligjësive të saj.

Në përfundim të kësaj shtojce mbi disa të meta të karakterit metodik e shkencor në trajtimin e Problemit pellazgjik, lipset që në formulimin e konkluzioneve, për një problem më shumë pak të dhëna, të jemi të matur aq sa na lejojnë burimet. (Të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin), të mos jemi kategorik në gjykimet tona dhe çka është e papranueshme dhe e dëmshme, të mos biem në pozita nacionaliste duke pohuar se: “Nuk ka dhe nuk ka ekzistuar kurrë komb grek. Gjuha e vjeter greke është një gjuhë e stisur për t’u përdorur nga disa të diturit e kohës” (E. Kocaqi, Roli Pellazgo-Ilir, f.201); “Nga pellazgjishtja, nga kjo gjuhë shumë e vjetër dhe vitale, kanë rrjedhur të gjitha gjuhët indoeuropiane (M.Abazaj, Pellazgët… f.399); “Grekët kanë huazuar në pjesën më të madhe mitologjinë dhe fenë epirote (A. Spahiu, Orakulli… f.163); “…greqishtja e lashtë nuk zbërthehet me greqishten e sotme, kurse shqipja e zbërthen atë në mënyrë të pastërt”; kam vërtetuar saktë nëpërmjet zbërthimit të çdo fjale se greqishtja e lashtë është ndërtuar prej shqipes (Ilirishtes)” (M.K. Nilo, po aty, f.590, 595). “Ndër shqiptarët ka filluar të fryjë flladi i ri ç’do ditë po shtohen dijetarët, që sjellin të reja mbi pellazgët, mbi mbishkrimet e gjuhës shqipe. Gjatë kohës së bronzit, vendin e saj të nderit si nënë e gjuhëve indoevropiane”. (Luftulla Peza, Liljana Peza, Dritë e re… f.134). “Të nënvleftësosh gjenezën tonë nga pellazgët do të thotë të vetëshpallemi njerëz pa dinjitet, do të thotë tradhëti ndaj stërgjyshërve tanë”. (A. Tafa, po aty, f.22).

Në nivelin e sotëm të kërkimeve e studimeve ndërdisiplinare për problemet historike e gjuhësore të popujve të Europës Juglindore, këto pohime i bëjnë dëm tezës shkencore të prejardhjes ilire të gjuhës shqipe dhe arbrit, ilirët e paraardhësit (pellazgët) e tyre janë një nga popujt më të vjetër të Gadishullit Ballkanik, sepse nuk mbrohet lashtësia e gjuhës shqipe dhe e popullit shqiptar me diletantizëm e nga pozita nacionaliste.

"Gazeta Shqiptare"

Comments

Submitted by Luftulla Peza (not verified) on

AKADEMIA E SHKENCAVE SABOTON NJOHJEN E LASHTËSISË SË GJUHËS SHQIPE

Luftulla PEZA

Kryetari i Akademisë së Shkencave prof. M. Korkuti ditët e fundit lëshoi thashetheme dhe bomba tymse ndaj puntorëve të pasionuar, që punojnë për të zbardhur lashtësinë e gjuhës shqipe dhe të kombit tonë dhe përpiqen ta kthejnë akademinë në rrugën e mbarë. Në vend që të merret me shkencë dhe të japë ndihmesë e tij në zgjidhjen e mjaft probleme të grumbulluara në akademi, kryetari i saj lëshon bomba tymse dhe akuza për diletantizëm dhe nacionalizëm, të titulluar: “Nuk mbrohet lashtësia e gjuhës shqipe dhe e popullit shqiptar me diletantizëm dhe nga pozitat nacionaliste” (gaz. Shqiptare, 30 qershor 2016).
Për të gjitha veprat që përçmon, asnjë recension shkencor nuk është paraqitur dhe asnjë kritikë e bazuar në fakte nuk është dhënë. Kështu siç vepron prof. Korkuti nuk është rruga shkencore e vlerësimit të veprave shkencore, por mënyra për të errësuar mjaft arritje në dobi të lashtësisë së gjuhës shqipe dhe të kombit tonë. Njëri nga librat që përgojon prof. Korkuti është libri “Dritë e re mbi pellazgët dhe gjuhën e tyre (L.Peza & L. Peza 2009, 2013). Në këtë libër kemi arritur disa zbulime të rëndësishme për gjuhën shqipe, që Korkuti i shumzon me zero. Ato shkurtimisht janë:

Fig. 4-Enë balte me mbishkrim dhe simbole në kulturën Vinka
(5500-4500 p.e.s.)
Fig. 4-Vinca vessel with script
Fig. 5-Mbishkrimi Tartaria nga kultura Turdas, 5300 p.e.s. Fig. 5-Tartaria tablet
1)Në faqen 15 të librit kemi dhënë për herë të parë dokumentin e shkruar në qeramikë me fjalët më të vjetra në botë (rreth vitit 5500 p.e.s.), që janë fjalë të gjuhës pellazge/shqipe: Fjala “VIJV” = që lexohet “UIJU”, sepse germa “V” në shkrimet e lashta pellazge/etruske shprehte germën “U”. Pra kemi fjalën “UIJ” ose “UJI” dhe numrat e parë të shkruar në histori: I, II, III, IIII (4), IIIII (5), IIIIII (6) dhe numri 1 (fig. 4 në libër). Në fig. 15 në librin tonë paraqitet fjala tjetër e shkruar me germa të lashta: PDor, fjala DORA e gjuhës pellazge/shqipe. Ky është Qytetërimi Pellazg i Danubit.
2) Mbishkrimi Dipylon i Athinës, mbishkrimi i Korinthit, shekulli 8 p.e.s. mbishkrimet e Kretës etj. (faqe 24 e librit), vërtetohet për herë të parë se janë në gjuhën shqipe dhe jo greke, siç është pretenduar deri tani. Kjo dëshmon se Athina dhe Korinthi, gjatë shek. 8 p.e.s. dhe Kreta gjatë shek. 6 -3 p.e.s. kanë qenë banuar nga pellazgët dhe kanë folur gjuhën pellazge/shqipe. Në mbishkrime ndeshen vetëm fjalë pellazge/shqipe.
3) Zbuluam fjalët e vetme në shkrimin e famshëm Lineari B (shekujt 15-11 p.e.s.): ZIAZI = ZI ASHT ZI dhe vërtetuam se ky shkrim i lashtë i përket gjuhës pellazge/shqipe dhe jo gjuhës greke, siç e kanë dhënë disa studiues të huaj (faqe 48 e librit). Ja edhe shprehja e gjetur e gjuhës sonë.
Lineari B, PELLAGJISHT TRANSKRIPTIMI SHQIP

I Z A I Z

Zi asht Zi
Drejtimi i leximit ← ← →
4) Vërtetuam se fjalët e para në Iliadën e Homerit janë të gjuhës pellazge/shqipe dhe
jo në gjuhën greke, siç pretendohet nga disa autorë: fjalët ILIAS = ILI dhe AS = Ylli Asht dhe MENIN A E I DHE (= μῆνιν ἄειδε) janë fjalë të gjuhës pellazge/shqpe.
Në enciklopedinë Wikipedia edhe në ditën e sotme shkruhet:
” The first word of Homer's Iliad is the Greek word μῆνιν (menin), rage or grath” /fjala e parë e Iliadës së Homerit është fjala greke menin, që do të thotë mëni, urrejtje/. Kjo tashmë nuk është e vërtetë. Po kështu Odisea e Homerit fillon me fjalën “ANDRA” të gjuhës pellazge shqipe.
Të gjitha këto të dhëna të çojnë në mendimin se Iliada dhe Odisea janë shkruar fillimisht në gjuhën pellazge/shqipe dhe jo greke siç pretendohet (faqe 53 e librit).
Të dhënat tona përputhem edhe me arkeologjinë e Trojës, ku jepet kjo vijushmëri:
Troja I-Troja VII, vitet 3500 p.e.s.-600 p.e.s., përbëjnë Trojën gjatë Qytetërimit Pellazge,
Troja VIII, vitet 600 p.e.s. – deri 85 p.e.s. përbën Trojën gjatë Qytetërimit Helen dhe
Troja IX, vitet 85 p.e.s. – 500 era jonë, Troja gjatë Qytetërimit Romak.
5) Vërtetuam për herë të parë falsifikime të mbishkrimeve ilire (faqe 36 e librit). Fjala mjaft e shpeshtë, që ndodhet në mbishkrimet e lashta pellazge dhe ilire është fjala , e shkruar me germat e abecedarit pellazgo/ilir, që do të thotë HAJRE, HAJER, ME HAJER, PËR HAJËR, ashtu siç përdoret edhe sot në gjuhën letrare shqipe. A nuk është kjo fjalë e gjuhës shqipe ? fjalori i juhës shqipe e ka këtë fajlë. Por V. Toçi (1972, 1986) këtë fjalë pellazge/ilire/shqipe, të shkruar me germat pellazge/ilire/shqipe, e kthen me germat e alfabetit të sotëm grek në këtë mënyrë: fjalë ilire, kthehet në → Χαϊρευ ose χαϊρε, fjalë shkruar me germa greke dhe më pas autori shkruan se këto janë mbishkrime në gjuhën greke !. Po kështu ky autor dhe autorja italiane Simone (1975, 1986) veprojnë edhe me mbishkrimin tjetër ilir të Durrësit: në te shkruhet TATA XAIPE = TATA (BABA) HAJER, për hajër, me hajër, ku të gjitha janë fjalë të njohura të gjuhës pellazge/ilire/shqipe. Ata në fillim e kthejnë mbishkrimin me germa greke: Tάτα χαϊρε dhe më pas shkruajnë se mbishkrimi është në gjuhën greke !
Si mund të quhen diletantizëm dhe rendje pas nacionalizmit këto zbulime dhe të tjera të këtij lloji që ka në librin tonë dhe në librat e autorëve të tjerë, që përgojon Korkuti? Pse duhet ta mohojmë lashtësinë e prejardhjes sonë dhe të gjuhës sonë? Autorët që përgojon Korkuti ka dhe të tjerë, që ai i mendon si diletantë, si Krispi, Angeli, Majani, N. Vlora etj., q; prej vitesh e kanë vërtetuar se gjuha shqipe rrjedh nga gjuha pellazge dhe ilire dhe se shqiptarët janë pasardhës të tyre, pra janë autoktonë në trojet ku jetojnë sot. Diletantë mund të quhen me plot të drejtë Korkuti dhe arkeologët, historianët dhe gjuhtarët e akademisë, që ende nuk e kanë vërtetuar prejardhjen e gjuhës shqipe dhe të poullit shqiptar. Përkundrazi ata përgojojnë faktet dhe provat për këto, për të sabotuar njohjen e lashtësisë së gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Ku e çon ujin me këto thënie prof. Korkuti?. Korkuti do të duhet ti kundërshtonte këto me fakte dhe prova, por nga këto nuk ka, prandaj nuk ndërmerr rrugën shkencore të kundërshtisë. Rruga e ndjekur nga Korkuti është rrugë jo shkencore, e pa pranueshme dhe vetëm me qëllim denigrimi të veprave shkencore, që sjellin material të bollshëm për lashtësinë e gjuhës shqipe dhe të popullit tonë, duke vërtetuar lidhjen e tyre me gjuhën pellazge dhe pellazgët e lashtë.
Qysh sa është themeluar Akademia jonë e Shkencave në vitin 1974 dhe deri më sot, ajo ndodhet në shtratin antishkencor lidhur me problemin themelor që duhet të ketë për detyrë: studimin e lashtësisë së gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. As për studimin e lashtësinë së gjuhës sonë dhe as të lashtësisë të popullit shqiptar akademia jonë nuk ka dhënë as një ndihmë konkrete, përkundrazi ka lëshuar vrerin e saj për dijetarët, që punojnë ta zbardhin këtë. Le të kujtojmë luftëm antishkencore dhe personale, që bëri kryesia e akademisë ndaj studiuesit tonë të shquar Spiro Konda për idetë e tij mjaft përparimtare lidhur me prejardhjen e popullit shqiptar nga pellazgët e lashtë. Po për këto bindje shkencore edhe studiuesi Dh. Pilika u internua për disa vjet, që të mos arrinte të përfundonte studimin e vet mbi pellazgët dhe lidhjen e tyre me shqiptarët. Qëndrim i turpshëm i akademisë ësthë mbajtë edhe në vitet 2008-2009, kur në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar nuk janë përfshirë të gjithë studiuesit që mbështesin prejardhjen pellazge të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Edhe J. Krispi dhe De Rada, përkrahës të zjarrtë të prejardhjes pellazge të gjuhës dhe të popullit tonë, janë përfshirë në këtë fjalor, por ju është hequr qëllimisht thelbi pellazgjik nga veprat e tyre. Edhe tymnaja e tanishme e Korkutit është vazhdë e kësaj lufte antishkencore, kundra interesave tona kombëtare.
Në vitin 1902 studiuesi egjitpian me originë shqiptare F. Adamidi paraqiti para Akademisë Egjiptiane studimin e tij “Les Pelasges et leur descendant Albanaise”/Pellazgët edhe pasardhësit e tyre shqiptarët/, me të cilin mori gradën shkencore doktor i shkencave. Ai paraqiti para studiuesve egjiptian vlerat e gjuhës shqipe dhe vërtetoi se ajo rrjedh nga gjuha e lashtë pellazge. Ai njëkohësisht vërtetoi se edhe gjuha sanskrite, greke dhe latine kanë huazuar shumë fjalë nga gjuha pellazge/shqipe, më e vjetër se ato. Akademikët dhe studiuesit egjiptian pranuan para më se 100 vjetësh të diskutojnë në sesion të veçantë mbi lashtësinë e gjuhës shqipe. Përse akademia jonë nuk e bën këtë pas më se një qind vjetësh, kur janë mbledhur edhe shumë prova të reja? Kjo është praktikë në të gjitha akademitë.
Në vitin 2014, në emër të shoqatës “Qendra e Studimeve Pellazgjike”, që drejtoj, i kam kërkuar me shkrim kryesisë së akademisë sonë një mbledhje me akademikët e interesuar, ku unë dhe disa studiues të paraqitnim prova mbi lashtësinë e gjuhës shqipe dhe më pas të diskutonim me akademikët për të kapërcyer ngërçim gjys shekullor të problemit të lashtësisë së gjuhës shqipe dhe ti hapnim rrugë përfytyrimeve të reja. Por kryesia e akademisë nuk e pranoi propozimin tonë e friksuar se provat tona do të gjenin mbështetje tek akademikët shqiptar. Pse gjithë ky mllef dhe kjo luftë e ashpër ndaj lashtësisë së gjuhës shqipe dhe të popullit tonë nga akademia jonë? Ajo duhet të ishte frymëzuese dhe mbështetëse e këtyre ideve në shoqërinë tonë.
Interesat personale të një grushti studiuesish të mefshtë të gjuhësisë, historisë dhe arkeologjisë sonë, i sjellin gjithë këto mbrapshtina. Këta e kanë kundërshtuar gjer tani lashtësinë e gjuhës shqipe dhe kur tashti kjo është provuar plotësisht, nuk kanë guximin ta pranojnë atë me ndershmëri, por më mirë pranojnë të rrinë kundërshtarë të përjetshëm. Në vitet 70-80 të shekullit të kaluar dhe më pas në vend nuk u studjua asnjë nga gjuhët e lashta pellazge, ilire, thrake, etruske dhe gjuhët e tjera të lashta të Ballkanit dhe Mesdheut, asnjë studim për këto gjuhë të lashta, që janë të lidhura me lashtësinë e gjuhës shqipe dhe historinë tonë nuk është bërë.
Vitet e fundit kemi studiuar gjuhën hitite, që nga gjuhësia pranohet gjuha më e lashtë e sprovuar e familjes Indo-Hitite (IE). Për çudinë tonë kjo gjuhë e lashtë e Anadollit ka shumë afri me gjuhën shqipe: kemi gjetur më shumë se treqind fjalë të gjuhës hitite njëlloj edhe në gjuhën shqipe. Kjo përbën jo vetëm sukses të madh, por na mbushi me frymëzim. Rezultatet e punës sonë deshëm ti raportonin në Seminarin e Prishtinës të gjuhës shqipe vitin e kaluar. Por dordoleci dhe penguesi i gjuhës shqipe Paçarizi, që drejtonte seminarin, nuk e pranojë studimin tonë, mbështetur në konceptin kundra lashtësisë të gjuhës shqipe si në akademinë tonë.
Akademia jonë është kthyer në çerdhe mendjesh shterpë, që pengon përparimin e mendimit shkencor në vend dhe ka bllokuar njohjen e lashtësisë së gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Lashtësia e gjuhës shqipe dhe e popullit tonë tashmë janë vërtetuar plotësisht me argumente të pakundërshtueshme. por ato qëllimisht pengohen ti shërbejnë shkencës sonë. Në studimet e paraqitura për këtë mund të ketë aty-këtu ndonjë diletantizëm, por brendia e problemit është e shëndoshë, paraqitur me nivel të lartë shkencor dhe duhet të vihet në shërbim të shkencës sonë. Këta autorë rrëmojnë në bibliotekat më të mëdha dhe kanë grumbulluar prova të shumta për lashtësinë e gjuhës sonë dhe të lidhjes së saj me gjuhën pellazge.
Duke penguar njohjen e lashtësisë së gjuhës shqipe i sillet dëm i madh edhe studimit të gjuhësisë europiane në përgjithësi, sepse janë të lidhura me gjuhën shqipe. Është gjuha pellazge nga e cila rrjedhin të gjitha gjuhët europiane deri në Indi dhe siç është vërtetuar plotësisht gjuha e lashtë pellazge mbijeton sot në gjuhën shqipe.
Presim nga akademikët e Shqipërisë të organizojmë mbledhjen e shumë pritur, ku ne të referojmë dhe të sjellim provat mbi lashtësinë e gjuhës shqipe dhe ata vetë, akademikët, ti vlerësojnë ato në mënyrë vullnetare. Vetëm kjo është rruga shkencore, që duhet të ndjekim !
Akademia jonë e Shkencave ka nevojë urgjente të reformohet dhe në te të kthehet fryma e shëndoshë shkencore. Ajo duhet të ketë platformën e saj në përputhje me idealet tona kombëtare. Disa nga akademikët e kanë ngritur zërin për reforma dhe shëndoshje të gjendje, por shumica e tyre heshtin dhe presin ndryshimin nga jashtë.

Golem, 8 korrik 2016

Submitted by Besnik (not verified) on

Nuk paske kuptuar asgje qka tha Prof. Korkuti.

"MANGËSITË

Konkretisht po ndalemi në disa nga çështjet e mangësitë më kryesore, të karakterit metodik e shkencor"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.