Kënga e fundit e Migjenit
Kujtoni vargjet e Migjenit për të arritur e për të kuptuar rreshtat e vetë jetës. Në doni të jetoni të lumtur përgjithmonë, do të duhet të respektoni gjithçka që ju tregon, e të vlerësoni vetëm ato që e meritojnë. Kujtoni Komedinë Hyjnore. U krijua vetëm për të dhënë ide e mendime, jo për të mënjanuar a të mos përkrahësh më të varfrin. Kujtoni teatrin kur keni shkuar për herë të fundit për të kuptuar se ne pa pak përnjohje apo përngjasje të historive tona me të dikujt tjetër nuk do të jetonim dot…Biblioteka rezervon një vend të veçantë për disa libra, atë të harresës. I vendos aty stivë njëra përmbi tjetrën dhe këtë vepër e vendos me qëllim në një cep të atij sirtari të ndarë e të vogël, për të mos rënë në sy sa herë që i hedh sytë për nga ajo. Po s’e pe, të duket sikur nuk është problemi yt. Ti do thjesht të harrosh çdo gjë që të qëmtoj dhe të mos i hedhësh më sytë aty, ndoshta për njëfarë kohe të mirë, sepse e di që ajo që do të shkaktojë lirimi i saj, as nuk përngjason me lëshimin e bishave më të frikshme të mitologjisë nga të cilat Homeri u frymëzua për të lëshuar një shi dijesh dhjetëra shekullorë dhe nuk po ndal, as nuk ka ndër mend të ulë shpejtësinë. Ndoshta këtu qëndron e bukura. E përpos të gjithave, mbi të gjitha të humbjes- si të mosrezistencës ashtu dhe të bastit që luajte me të vërtetën – ti atë libër nuk guxon ta lësh përgjithmonë të qëndrojë në kohërat e pluhurit, sepse përpos hidhësisë, shkaktimit të ndjenjave të trishtimit, të mungesës së hapësirës apo zhdukjes së të mirës, ti e di që ai libër përmban të vërtetën. Shqiptarët, ashtu si të gjithë popujt, kanë një marrëdhënie sa të çuditshme aq edhe të sigurt me çdo autor, i cili ka qenë i denjë dhe i përzgjedhuri, jo nga popujt e kohës së tyre, por sepse kanë shpëtuar të vërtetën prej normave dhe ideologjive të pavërteta të kohës së tyre. Ne, të gjithë popujt, këtyre autorëve nuk dëshirojmë as t’i dëgjojmë as emrin, sepse i kemi dëgjuar për shumë kohë si shembuj dhe vendosim një marrëdhënie gati-gati në mënyrë qesharake të sigurt me ta, saqë mundohemi t’i anashkalojmë. Shihni Shekspirin sot për shembull. Të gjithë e dimë madhësinë e veprave të shkruara prej duarve të tij dhe përsëri kërkojmë diçka më të mirë, sepse këtë tashmë e kemi. Kërkojmë të humbasim kohë të çmueshme me diçka më të ëmbël, dhe kjo nuk përbën faj, duke humbur kohën e dhuruar të tyre. Dëshirojmë të harrojmë atë që mendimet e mendjes se këtyre autorëve i shkruan për të na shërbyer një të ardhme më të ndritur. Përmallemi me të bukurën e shëmtirës dhe cungojmë vetveten për të njohur shëmtirën e së bukurës. Prandaj kjo marrëdhënie merr një konotacion në përmasat e së çuditshmes. I rezistojmë dijes, për ta mbuluar më pas me gjithfarë formash të lënies në harresë. Këta autor si Shekspiri, Edgar Allen Poe, apo dhe shumë të tjerë, kanë këtë mrekulli të të qenët absolut, por deri kur? Dhe ku është e përcaktuar që absolutizmi i tyre vlejtka për gjatë gjithë kohës? Sepse, deri më tash, koha nuk po ndryshon kurs. A kemi ngelur në të njëjtat parime, norma, zakone, ide, theksojë më tepër mendime, të atyre kohërave që këta autor si të ardhur nga hapësira kanë ardhur njëri pas tjetrit të na i tregojnë dhe ne nuk kemi ditur se si t’u kundërpërgjigjemi rrethanave? A s’është kjo një tragjedi për të cilën Eskili vetë do të tregonte në tragjeditë e veta! Ko ëndje kur do të përfundojë?
A s’ju thashë që është një mrekulli absolutizmi i tyre?
Më lejoni tani t’ju shpalos relativen, e cila ka një fuqi të jashtëzakonshme në duar të gabuara dhe të mbuluara me pushtet, Makbethi është një shembull i mirë. Ndoshta jo i drejtë, por kush tha që e mira me të drejtën shkojnë bashkë. Dhe këtu merr shkas qëmtimi i së vërtetës së vuajtjeve, përmallimeve, dëshirave, arritjeve, hulumtimit, lojërave, dashurisë dhe luftërave, të cilat kërkojnë njerëz për të dalë në dritë. Koha që për to është e çmueshme dhe ne në fund përfundojmë në më të mirën e rastit lolo apo gaztor i tyre. Këtu merr shkas të tregoj se si njeriu sheh për të dëshiruar më pas verbimin, sepse kështu do të shmangë dhimbjet, vuajtjet, mjerimin, trishtimin. Por përsëri nuk shpëton dot, sepse ndjesitë të lënë në baltë, nuk i shikon, por i dëgjon, i prek dhe kjo zemëron shumë njerëz, të cilët kërkojnë qetësinë e tyre relative. Sa e kotë është të mëshirosh, kur përballë ke mjerimin. E paçmueshme imazhi, por trishtimi rëndon shpirtrat. Shpirtrat e këtyre qenieve të brishta, që nuk gëzojnë të drejtën për të qëndruar të heshtur, pafjalë, kur shohin se sa shumë padrejtësi ka dhe po ngelet e pashprehur nga ata që dinë. Dhe të dish është gjithmonë më mirë se sa të kesh! Të marrë. Këtu fillon loja që relativja merr hov dhe ka fuqinë, sepse luan bukur me fjalët dhe njerëzit çmenden pas fjalëve të bukura dhe frazeologjike, të shkëputura nga absolutja e këtyre njerëzve të pamposhtur nga shtrirja e kohës. Të këtyre njerëzve që ne i fshehim, të këtyre njerëzve të sigurt. Shihni mentalitetin që përcjellin dhe ndiqini, sepse kjo është e vërteta. E vërteta është se relativja, është kopja e absolutes. Vështirë t’i përngjasosh, por akoma më e vështirë t’i ndash nga njëra-tjetra. Flet ngjyrat e së vërtetës në detaje, dhe as më thoni se nuk jeni ngatërruar ndonjëherë në mënyrë të tillë nga dikush, diçka, gjithfarë sendi. Janë bërë binjake duke pasur nënë të ndryshme dhe kjo e bën të vështirë për t’u dalluar. “E mjerimi mirëfilli ndjen tradhëti.” Tradhti, e cila të lë pa fjalë, sepse nuk di se kë të besosh, nga të gjithë duart e shtrira. Por, a nuk jemi të gjithë kështu siç jemi, të humbur. Kujtoni “Një udhë e gjatë gjatë natës”. Pra, ku qëndron dallimi? Ndoshta, tek arsyetimi. Por, përsëri qetësia nuk prishet. Është një dehje që ka ndodhur që prej kohërave të trazimit, e cila nuk po ju del njerëzve, që të kuptojnë fjalët e atyre librave të sigurt, të cilat i dinë përmendësh dhe i kanë flakur në atë amullin e koshave të pavlera dhe po përtojnë t’i rihapin. Kjo është dehja që kanë krijuar nga mungesa e arsyetimit të relatives, për ta kthyer absoluten në një ceremoni vdekjeje a martese. Vazhdimi i dramave botërore të përfshira në një përzierje emocionesh, që nuk dinë se kujt t’i besojnë, si të ishin dërrasa të vjetra. Më së tepërmi, forma me të cilën identifikohet vjen nga dëshira për një identitet. Duhet të ketë spektakël që kjo botë të vazhdojë. Sepse kështu është ushqyer, apo sepse ne nuk do të mësohemi dot kurrë pa u kequshqyer? Këta autorë, fjala e të cilëve mbetet e sigurt, vijnë jo vetëm për të na treguar se si të jetojmë, por na reklamojnë edhe se si duhet ta trajtojmë gjendjen e saj. Fuqia e rrezatimit të këtyre fjalëve përfshin në vorbullën e saj çdo ëndje njeriu, lajmi, ideje, pamjaftueshmërie, lozonjare, tekanjoze apo mjeruese, sepse pikërisht të dish se si ta trajtosh jetën, duhet të dish se si të trajtosh gjendjen e mjerimit. Është kallëzues gjithmonë çdo libër i tillë dhe të qëmton çdo kënd që mundohet të të fshehë të vërtetën, sepse atij i është mësuar të gjejë gjithmonë gënjeshtarin, sepse fjalët me të cilat u krijua ishin të përbëra nga e vërteta. Ndaj këta libra marrin jetë edhe në errësirë, madje janë qirinj për ato cepurinat e asaj biblioteke, e cila aty i ka të gjitha dhe vazhdon dhe rrëmon e rrëmon, sepse vetëm duke cimbisur pak nga pak do të arrihet te fjalët e tyre. Kujtojini festat, gostitë e tragjedive të Homerit, Eskilit, Sofokliut, etj., etj. Kujtoni vargjet e Migjenit për të arritur e për të kuptuar rreshtat e vetë jetës. Në doni të jetoni të lumtur përgjithmonë, do të duhet të respektoni gjithçka që ju tregon, e të vlerësoni vetëm ata që e meritojnë. Kujtoni Komedinë Hyjnore. U krijua vetëm për të dhënë ide e mendime, jo për të mënjanuar a të mos përkrahësh më të varfrin. Kujtoni teatrin kur keni shkuar për herë të fundit për të kuptuar se ne pa pak përnjohje apo përngjasje të historive tona me të dikujt tjetër nuk do të jetonim dot, sepse kështu ndihemi më të sigurt dhe e vëmë kështu veten si librin që vendosëm thellë në cepurinat e bibliotekës tonë tashmë të kalbur. Sepse buja që ne i vendosëm rreshtave të tyre nuk na bën më përshtypje, sepse tashmë u shpallën njerëz nderi e kombi. E ata janë aty. Nuk kanë se nga shkojnë. U mënjanuan pa u kundërshtuar. Dhe kjo është më e mjerueshme se sa vetë Poema e Mjerimit e Migjenit. Kujtojeni: “Kafshatë që s’kapërdihet lehtë është or vlla mjerimi…” Migjeni shkruan Kangën e Fundit: “Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thellë.” Në u ngjeth mishi yt. Në u bënë të flakta mollëzat e tua, në gjaku yt u zgjua, atëherë më thoni do të hesht më mali?! A do të mbahet më libri përsëri nëpër cepurinat e bibliotekës tuaj? Më thoni…
Sokol Thana, Gazeta "Shqip"
Add new comment