Futbolli i Rilindjes

Postuar në 23 Qershor, 2016 12:11
Doan Dani

Shndërrimi i futbollit në atraksion kolektiv, në gjendje për të konsoliduar përkatësi e konsensus dhe për të orientuar instinktet e dhunës në hapësira e momente të caktuara, është fenomen tipik i shekullit të shteteve-kombe, të cilat e nuhatën menjëherë potencialin e këtij tubimi, ndër të tjera edhe për të injektuar pjesë nga liturgjia e feve të politikës, e në këtë aspekt prej dekadash spikat shembulli amerikan, ku në një ndeshje bejsbolli a futbolli konsumohen një sërë elementesh nga aparati i besimeve, simboleve, miteve e ritualeve kolektive, natyrisht bashkë me coca cola. Vështirë të ketë ndonjë eksperiencë tjetër ku një turmë aq e madhe njerëzish, bashkërisht, çliron energji instinktesh zanafillore, indoktrinohet dhe konsumon. Jo më kot çdo eksperiment totalitar ka synuar ta nënshtrojë sportin, dhe Shqipëria enveriste, karikaturë e totalitarizmit, nuk mund të bënte përjashtim.

Sot, me gjithë përmbysjet ideologjike, sporti, futbolli në veçanti, e josh pushtetin politik shqiptar, por jo (më) për liturgji laike, sesa për konsensus politik ose, thënë ndryshe, për publicitet që synon të bëjë gol mbas porte, kur të vijnë zgjedhjet, për të rrahur gjoksin me sloganin “Ne bëmë”. E ilustron investimi i fondeve dhe i interesit drejt futbollit dhe jo, fjala bie, drejt basketbollit, i cili me një përqindje shumë më të vogël krahasuar me vërshimet drejt futbollit mund të ishte më kompetitiv, përfaqësues e atraktiv. Fundja nuk kemi dëshmi që futbolli të ketë qenë sport pellazg e për rrjedhojë e kemi të shenjtë dhe në indin etnik tifozllëkun dhe devotshmërinë ndaj tij. Interesi ndaj sportit fabrikohet. Por qëllimi i pu-shtetit aktual shqiptar është kthimi i çdo ushqimi të gatshëm ose gjysmë të gatshëm në publicitet vetjak, dhe futbolli ia jep këtë kanal transmetimi fast food po aq sa edhe digitalbi (apo dixitalbi, siç e shqipton Ilda Beljeri).

Kryeministri aktual dhe kloni në Bashkinë e Tiranës shfrytëzuan çdo çast për të qenë të kudondodhurit edhe të këtij spektakli, duke hyrë si inserte publicitare, ne sheshe, bare e shtëpi, teksa vëmendja teorikisht ishte te kombëtarja, paçka se para disa vitesh nuk u mungonte cinizmi drejt kundërshtarit që dilte me gërshërë në xhep, për të kosnakruar rrugë: duhej të rilindnim për të kuptuar se një e mirë publike, si infrastruktura, është më tepër propagandistike sesa spektakli me certifikatat e pronësisë (ekskluzivisht e mirë personale), që rreshton ca hallexhinj në procesion para Ramës. Tani e kishte radhën kombëtarja e futbollit. Kështu ndodhi me kualifikimin dhe pritet që rikthimi në Rinas të jetë fotokopje, ku me siguri Rama do ta zbehi edhe Sadikun (atë që disa kolegë të Enver Robellit e shpallën Skënderbe).

Aventura e kombëtares shqiptare në Francë ndihmon të sintetizohen më mirë rezultatet e Rilindjes, teksa troket fermentimi i vitit elektoral. Po kështu edhe mjaft të tjera që ndjekin të njëjtën skemë loje. Qeveria ndërhyn aty ku nuhat tubime, te përkohshme, ciklike ose të përditshme: stadiumet e restauruara apo në kantier; sheshe, bulevarde, parqe ku shartohen pemët me beton, të tjerë ku katër shkurre shiten për pyllin e Amazonës, apo një unazë e vogël e publicizuar sikur të ishte hekurudha trans-siberiane; monumente, memorialë e përkujtimore, që shpesh herë ngjeshën e mbivendosen, sepse përndryshe nuk do të konsumohej slogani “Ne po bëjmë”; pjesëmarrje në kremtime fetare tradicionale, me deklarata epike, interpretime teologjike, bekime, përurime objektesh kulti; gjuhë betoni, mbuluar me pllaka që i vendosin për të qenë të lëkundshme, të emërtuara lungomare. Pa harruar të mirënjohurat bojatisje fasadash e pemësh, zbulimin e ekzistencës së biçikletës, daljet para kamerave në çdo festë, nga ato fetare deri te festa e abetares.

Janë hapësira ideale për propagandë sepse kanë dëndësi të lartë vizitorësh (madje më të lartën), aq sa tubimet elektorale janë kthyer gati në sfilata, dhe kanë kosto mjaft të reduktuar, krahasuar me ndonjë infrastrukturë ose nxitje investimesh, përveçse janë mundësi mjat të mira shpërblimi me tendera.
Që të gjitha respektojnë në mënyrë perfekte përdorimin e tyre si objekte ekspozite. Megjithëse edhe një herë që rilindëm u mishëruam njëlloj e ma zi, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për spektaklin elektoral permanent, që është arritja më e madhe e kësaj antropologjie politike, aq sa mund t’i shesin turmës edhe tatuazhet e Sadikut për premtime elektorale të mbajtura. Bashkë me dalldinë e rikthimit të kombëtares, si tifozë të detyruar, në mes të një krenarie kolektive, fiktive ose jo, të gjetur te shpresa, duhet të konsumojmë edhe driblimet e Ramës. Ekstaza do të kalojë, por driblimi do të ngelet, për të marrë forma të tjera.

"Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.