Gënjeshtra për Rrugën e Arbërit
E dëgjova interpelancën e ministrit Haxhinasto në parlament për Rrugën e Arbërit. Një turp i vërtetë. Mbeta i shokuar! Vetëm kjo intervistë do të mjaftonte për t’i treguar vendin ministrit të Transporteve. Mbushur me të pavërteta dhe me elemente, që tregojnë se është në padijeni të çështjes ose krejt i papërgjegjshëm. Këtë e them me kompetencë të plotë, pasi pretendoj se e njoh më mirë se kushdo, ecurinë dhe zhvillimin e kësaj vepre të rëndësishme të infrastrukturës.
Po i rendis kronologjikisht faktet:
Ministri tha në interpelancën në Parlament se Rruga e Arbërit është filluar në vitin 2008. Lapsus? Jo, nuk e besoj. Në të vërtetë është që në vitin 2003, kur është shpallur dhe realizuar studimi i fizibilitetit dhe kur në 2005 filloi ndërtimi i një pjese sado të vogël, por premtuese. Madje deri në 2008 ishin realizuar disa punime dhe pati përfunduar seksioni Bulqizë-Ura e Cerenecit. Nuk mund të themi se nuk ka rëndësi, sepse ai është ministër dhe nuk mund të dalë para parlamentit dhe në media dhe të thotë pasaktësi të tilla.
– Ministri tha se rruga shkurton 50 kilometra?! Edhe kjo nuk është aspak e vërtetë, se rruga shkurton fizikisht plot 81 kilometra. Edhe nëse nuk e di zoti ministër, duhej t’ia kishin thënë ekspertët e tij. Madje, në një tregues, që përdoret rëndom në inxhinieri dhe që quhet “gjatësia virtuale” dhe që është gjatësia reale e shkurtimit, ky shkurtim është më shumë se 100 kilometra. Edhe kjo është një pavërtetësi nga ana e tij. E konsideroj kështu dhe reflektoj, pasi është ai që më ka pyetur: o Faruk, ç’na duhet kjo Rruga e Arbërit? Kujt i hyn në punë? Dhe kë pyeti, mua! Është qesharake, se vetëm para disa muajsh ka deklaruar në televizion, për një investim absurd, siç është rruga Qukës-Qaf Plloçë, kur gënjeu se rruga shkurton 50 minuta në kohë udhëtimi, që do të thotë ndryshe rreth 60-70 kilometra rrugë. Në fakt është një gënjeshtër banale, pasi shkurtimi fizik nuk është veçse 2-3 kilometra dhe në terma kohorë jo vetëm nuk shkurton, por në të kundërt zgjat kohën e udhëtimit. Gënjeu dhe nuk e tha me kilometra se i dilte gënjeshtra, por e tha me kohë udhëtimi. Por le ta trajtojmë një herë tjetër.
– Ministri tha se Rruga e Arbërit kalon në kuotë 930 metra mbi nivelin e detit (kjo është vetëm një pikë) dhe do të ketë aq e kaq probleme etj. etj., sajesa të pavend. Që kalon në këtë kuota është e vërtetë, por kjo është veçse një pikë, krejtësisht e evitueshme nga problemet e dimrit. Por, zoti ministër, ju po investoni një rrugë, Qukës-Qafëthanë, e cila kalon për rreth 23 kilometra pa ndërprerje në lartësi mbi 1000-1200 metra mbi nivelin e detit?! Çfarë do të ndodhë me atë rrugë? Përse nuk e përmendni këtë fakt? Apo nuk mban përgjegjësi për këtë fakt? Kjo është katastrofike dhe e turpshme.
-Ministri nuk tha të vërtetën kur tha se Rruga e Arbërit nuk është planifikuar për 6.5 kilometrat e fundit. Edhe kjo është sarkastike dhe brenda saj ka të vërtetë dhe të pavërtetë. E vërtetë është, që akoma edhe sot pas gati 13 vjetësh, që është realizuar studimi i kësaj vepre, që segmenti nga Ura e Cerenecit deri në kufirin shtetëror në Gjoricë, ka mbetur akoma pa hartuar projekt zbatimi. Dhe kjo është katërçipërisht përgjegjësia juaj dhe e paraardhësit tuaj. Ndërkohë është e pavërtetë, që kjo distancë është 6.5 kilometra. Ajo është vetëm 3.7 kilometra dhe që ka mbetur pa projektuar, kjo për fajin e dikasterit tuaj dhe strukturave që ai drejton.
Dezinformon kur thotë se 10 kilometra (në fakt janë jo 10 kilometra por 13.2 kilometra nga Ura Vashes deri në Bulqizë) të përfunduara. Por këtë e “kapi mat” deputetja Doda, e cila ja tha troç, se ky segment nuk është aspak i përfunduar. Kjo tregon që, ose ai gënjen pa skrupull ose nuk e njeh gjendjen. Njëra më keq se tjetra! Në këtë segment është realizuar edhe një çudi tjetër: tuneli i projektuar me gjatësi 890 ml, u shkurtua në mënyrë “ilegale” në rreth 350m. Se kush e bëri le të mbajë përgjegjësinë, ndoshta nga administrata e mëparshme, por kjo ka rëndësi, pasi me të u krye një “masakër teknike”. Ajo duhej të ndëshkohej në mënyrë shembullore, nëse me të vërtetë do kishte seriozitet në këto punë, pasi tani do të duhet të bëhen ndërhyrje të paimagjinueshme për të mbrojtur segmentin e kthyer në usek. Kush është inxhinier e kupton se çfarë duam të themi me këtë.
Ministri përmendi edhe një kompani fantazmë shqiptare, që gjoja paska marrë përsipër të ndërtojë rrugën dhe këtë e bën mesa duket për t’u bërë interesant dhe i përkushtuar për këtë rrugë. Unë nuk i besoj, por nëse është e vërtetë, përse nuk e publikon. Format dhe ligjet e propozimit janë shumë të qarta dhe transparente: ose me Koncesion ose projekte të tipit PPP. Propozuesi duhet të veprojë sipas legjislacionit shqiptar, që sqaron dhe iu jep mundësi edhe propozimeve të quajtura “të pakërkuara”. Përndryshe, dyshojmë se është një aferë jo e sinqertë.
Dhe e fundit, unë, personalisht, i kam dorëzuar zyrtarisht një propozim konkret shumë realist, për ndërtimin e rrugës, me një shifër disa herë më të ulët se oferta “cinike” kineze, që sipas Haxhinastos, qenka përsëritur 5 herë. E kam bërë këtë propozim, pikërisht kur u njoha me propozimin kinez. Por të dalim te propozimi ynë. Ai nuk pati as impenjimin më të vogël, për të urdhëruar specialistët e tij, që ta merrnin në konsideratë dhe të jepnin një përgjigje. Madje, ky duhej të ishte dhe një detyrim shoqëror dhe moral, pasi ai drejton atë dikaster, që quhet Ministria e Transportit. Por mesa duket, atë nuk e ha meraku shumë për këto lloj detyrimesh, se e ka kuptuar se mund të tallet sa të dojë dhe si të dojë. Ai ka dhe një të keqe të madhe: duke mos qenë fare specialist në këtë fushë “dëgjon me vëmendje” çdokënd, që i paraqitet si ekspert dhe i “fryn” në vesh duke i thënë se autori e ka projektuar gabim Rrugën e Arbërit, sepse “duhej ta kishte kaluar më poshtë” dhe të tjera të këtij lloji, sigurisht nga profanë që nuk dinë ç’është një rrugë dhe projektimi i tyre, por që gjejnë terren te ky ministër. Nëse ja mban le të ballafaqojë me këta, që i bien në qafë punës dhe djersës së atyre, që kanë kontribute të vërteta në këtë vepër dhe në vepra të tjera, ata që i njohin këto gjëra.
*Projektuesi i Rrugës së Arbërit
"Mapo"
Add new comment