Vjen taksa e re e pronës, qeveria prezanton në shtator ligjin e ri të kërkuar nga FMN
Qeveria do të ketë gati në shtator ligjin me formulën e llogaritjes për taksën e re të pronës. Pas kërkesave të vazhdueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar për futjen e taksës së re për pasurinë e paluajtshme sipas vlerës së tregut, qeveria në letrën dërguar Fondit pranon se në muajin shtator do të ketë gati ligjin me formulën e re të taksës së pronës.
Me futjen e taksës së re të pronës e bazuar te kadastra fiskale, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të ketë rritje të të ardhurave, pasi metoda e llogaritjes do të ndryshojë. Aktualisht të ardhurat nga taksa e pronës zënë 1 për qind të GDPsë, por sipas Fondit, në vendet e tjera të rajonit ato zënë 6 për qind të GDP-së. Kërkesa e Fondit përsëritet edhe në raportin e publikuar këtë muaj.
“Autoritetet shqiptare duhet të përshpejtojnë punën për të përfunduar kadastrën fiskale për vlerësimin e taksës së duhur për çdo pasuri të paluajtshme. Në këtë drejtim ata duhet të fillojnë hartimin e metodologjisë dhe formulës së vlerësimit”, thuhet në raport.
Në zbatim të detyrimeve që qeveria ka me Fondin Monetar, ka siguruar ndërkombëtarët se do të ndryshojë sistemin e taksimit të pronës. Ndryshimet do të sjellin metodën e llogaritjes së taksës, të cilën qeveria do ta ketë gati në shtator të 2016-s. “Si hap i parë kemi në plan për të futur një kadastër fiskale për të vlerësuar tatimin për çdo pronë deri në fund të 2016-s. Paralelisht do të hartojmë ligjin me metodologjinë dhe formulën e vlerë simit deri në fund të shtatorit të 2016s”, thuhet në letrën e ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, dërguar Fondit Monetar.
Llogaria
Me formulën e re të llogaritjes vlera reale e apartamenteve në treg është ajo që do të merret si bazë për taksimin. Taksa do të jetë një përqindje e caktuar e vlerës reale të pronës, qoftë kjo apartament apo truall. Në vitin 2013, Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një raport të titulluar “Taksimi i pasurive të paluajtshme, potenciali i të ardhurave dhe sfidat e implementimit”.
Në këtë raport sillen disa eksperienca se si e kanë aplikuar këtë taksim vende të ndryshme të botës. Mes atyre që kanë marrë nisma së fundmi janë edhe Kroacia dhe Serbia. Përqindja që përcaktohet për t’u vjelë mund të ndryshojë, por zakonisht për banesat qëndron gjithmonë në 0.11 për qind, raporton Panorama. Çdo vit mbi këtë vlerë mund të aplikohet një rritje në bazë të inflacionit ose mund të lihet e ngrirë dhe të ndryshojë çdo 3 apo 5 vjet. Qeveritë mund të gjykojnë edhe zbatimin e taksës progresive.
Gjithsesi, formula që zgjedh një qeveri për ta aplikuar, sipas raportit të FMN-së, varet shumë nga situata në të cilën ndodhet vendi, niveli i formalizimit të pronës që nga mbyllja e proceseve të legalizimeve dhe problemit të mbivendosjes së pronave.
Add new comment