Rënie me 42% e investimeve të huaja, Bankers nuk hapi asnjë pus të ri
Investimet e huaja direkte shënuan një rënie të fortë prej 42% në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë. Investimet e huaja ishin 152 milionë euro në tremujorin e parë, nga 261 milionë euro në janar-mars 2015 dhe 222 milionë euro në tremujorin e parë 2014.
Sipas Bankës së Shqipërisë, prurjet në formën e investimeve direkte, vijon të mbeten të përqendruara në sektorin e hidrokarbureve (në masën 27 për qind), energjetikës (me rreth 25 për qind), ndërtimit (në masën 17 për qind), dhe sektori i telekomunikacionit (me 6 për qind). Ndërkohë që rënia me e madhe e fluksit vërehet në sektorin e hidrokarbureve.
Një rënie e investimeve të huaja dirkete ishte e pritshme, pasi Bankers Petroleum, investitori më i madh në vend vitet e fundit, kishte raportuar në tremujorin e parë 2016 një rënie të ndjeshme të investimeve. Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2016, shpenzimet kapitale ishin 13 milionë dollarë. Kompania nuk ka shpuar asnjë pus të ri gjatë këtij tremujori. Shpenzimet kapitale ishin 25 milionë dollarë për tremujorin e kaluar dhe 50 milionë dollarë në tremujorin e parë të vitit 2015 raporton Monitor.
Add new comment