Herën e dytë si karikaturë/Kallëzim penal për ministrin e Brendshëm. Nesër PS-ja mbush 25 vjet
Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri është kallëzuar penalisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në një mbledhje jashtë radhe që ky i fundit ka bërë me kërkesë të kreut të vet, presidentit Bujar Nishani, është dënuar sjellja e Tahirit ndaj gjyqtarit Aliaj, që vendosi shkarkimin e drejtorit të Policisë, Haki Çako. “Gjatë diskutimeve anëtarët e Këshillit, dënuan ashpër intimidimin që po i bëhet gjyqtarit z. Arjan Aliaj në veçanti por dhe trupës gjyqësore në tërësi, ku në përfundim, Këshilli vendosi të bëjë kallëzim penal pranë Prokurorit të Përgjithshëm, ndaj ministrit të Punëve të Brendshme z. Saimir Tahiri”, thuhet në njoftim.
Dy gjëra: së pari KLD-ja ka shmangur nga kallëzimi kryeministrin Edi Rama, që e cilësoi gjykatësin killer dhe derdimen. Kjo i hap rrugë spekullimit se procesi ndaj Tahirit nuk duhet zgjeruar më tej.
Dhe së dyti, Tahiri, që doli disa herë rresht me akuza, është nën verifikim nga prokuroria për pajisjen përgjuese.
Me kallëzimin e sotshëm, Tahiri mori një fitore të vockël, me vetëshpalljen viktimë e sistemit të korruptuar të drejtësisë. Por deri sa kjo luftë e këtij tribuni, të gjejë rrugën në fund, shumëçka mund të ndodhë. Dhe ministri nuk duket nga ata që kanë mendje politike, as njeri i aleancave të mëdha. Por gjithësesi i urojmë një proces të drejtë e të ndershëm, ashtu siç e kërkon Kushtetuta. Le të mbajmë parasysh se sado që të buçasë propaganda e partisë, kjo nuk është drejtësia që dënoi Fatos Nanon.
Add new comment