Çmimi i një Drafti, Kryeministri: “Opozita nuk ka gjë në dorë”. Por sërish i kërkon votat
Ka ditë që flitet e përflitet për disa deputetë të Partisë Demokratike që mund ta “dredhin” e të votojnë për draftin e mazhorancës për reformën në drejtësi. Në kuadër të këtij pazari miliona eurosh që ka nisur e vazhdon ndërkohë, Partia Demokratike doli me qëndrimin, se nëse një nga deputetët e saj bën këtë gjë, ajo do të djegë mandatet. Çfarë legjitimiteti ka një reformë që miratohet me deputetë të trafikuar e të blerë, të cilët mandej do shiten si si deputetë me ndërgjegje shtetformuese? Këtë duhet ta dijë më mirë kryeministri i tanishëm të cilit i rodhën 6 deputetë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2007. Por në çdo rast nëse kjo ndodh, kryeministri do të jetë i fituari i madh. Por vetëm ai dhe askush tjetër. Në këto kushte, Edi Rama ka vendosur që sot në Parlament të flasë hapur dhe të mos mbajë më dorashkat. Ai ka deklaruar hapur se PD-ja nuk ka asgjë në dorë, ndërkohë që ka cilësuar deputetët e saj tufë. Por ja se çfarë tha ndër të tjera kryeministri që nuk nguron të bëjë gjykatësin e gjykatësit e të diskutojë një vendim gjykate:
“Ka tufa me lule, me poezi, me çfarëdo bimësh, siç dhe ka tufa me deputetë. Nëse ju ndiheni keq nga kjo, unë do të isha shumë i lumtur të shihja provën e të kundërtës. E unë do isha i lumtur të shihja reformën në drejtësi. E nëse ju prekeni se unë flas për horra në sistemin e drejtësisë, më vjen shumë keq për ju. Nëse ju mendoni se është pavarësi për të përdorur çekiçin e drejtësisë për ta vrarë atë, kjo nuk është pavarësi, por killer me pagesë. Gjykatësi që unë quajta dhe e quaj përsëri killer, është gjykatësi që ka liruar përdhunues. Që jemi dy botë këtu, kjo nuk diskutohet, por një gjë është e sigurt, se ne e shohim botën me sytë tanë, ndërsa ju me sytë e një njeriu. Mos u kapni si i mbyturi pas një fije bari, dhe mos më tregoni mua fjalorin e gjuhës shqipe. Këtu është fati i vendit tonë. Sot nuk dilni dot të thoni se e kanë fajin ata për reformën në drejtësi, se është bota mbarë që ju ka treguar me gisht. Nëse ju keni kuptuar se unë erdha këtu që t’u jepja shkelmin e fundit, e keni gabim. Jeni në cep, dhe kam ardhur që t’u them që të dilni nga aty. Nuk po e them se kam frikë se nuk bëj dot votat, por kjo është shumë më e madhe se sa gjërat që na ndajnë. Nuk duhet të ofendoheni, pasi ju nuk keni asgjë në dorë dhe e dini shumë mirë”.
Një leksion i mirë për “tufën e demokratëve” se çfarë do të thotë t’i japësh mundësinë e pazarit një njeriu si ky.
Add new comment