Triumf i axhendës/ave personale

Postuar në 06 Qershor, 2016 22:42

Takimi mes drejtuesve të pozitës dhe opozitës përfundoi pa produkt. Të dyja palët, përkatësisht kryetari i PS-së, kryeministri Edi Rama, fajësoi PD-në për dështimin duke e akuzuar se është ajo që nuk e do reformën në drejtësi. Edi Rama lexoi një fjalim të prapërgatitur në letër, një provë se ai hyri në takim me pritmërinë e dështimit. Lulzim Basha, pasi arriti një takim simbolik, u tha shqiptarëve se Edi Rama do të kapë drejtësinë. Esencialisht, takimi dha zero produkt, përveçse konfirmoi tezën nihiliste, përsëritur si një ritual konstant nga Edi Rama se ne duhet të biem dakord që “mosdakordësia të mos jetë punë gardhesh nëpër parqe”.

Kështu kryeministri - që ka përgjegjësi më të madhe para qytetarëve - ka shlyer një detyrim formal përpara opinionit dhe ndërkombëtarëve duke deklaruar se fajin e ka sërish Saliu. Thelbi i tezave për të cilën “u ndanë palët” ka pak rëndësi. Kujtojmë se reforma nisi me këmbën e majtë: nën mbrojtjen dhe mbështetjen “speciale” të ambasadorëve kryesorë në vend, ajo i pagëzua si një “reformë ekspertësh” nga Edi Rama, që deklaroi se “nuk dua që politika të fusë hundët”, vijoi me një tekst të ekspertëve të Fondacionit Soros, që u rrëzua në masë nga Komisioni i Venecias, për të mbërritur në pikën e lodhjes së negociatave pa mbarim.

Që erdhëm deri në këtë dështim të llogaritur, kjo do vështruar nga pikëvështrimi i përgjegjësisë politike. E qartë është tashmë se politika nuk e donte këtë reformë, pavarësisht se ky dështim sjell kosto për procesin e integrimit. Por nuk është hera e parë që kjo ndodh dhe Edi Rama po përsërit lojën e dikurshme të Sali Berishës. Kryeministri vjen pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë, prej nga i vetmi informacion që doli, ishte një marrëveshje me Byronë Federale të Hetimit, paraprirë nga vendimi për të pranuar 3000 muxhahedinë iranianë. Marketingu politik shqiptar në mëson se kjo politikë e Hossana-së, konvertohet në pozitë negociuese e fortë, përballë një kundërshtari që ka dobësi të mëdha.

Çështja dytësore, është ajo sesi do të perceptohet përgjegjësia në opinionin publik shqiptar tani që afrojnë zgjedhjet. Këtu ka interes të kujtohen disa momente nga përballjet e ekipeve aktuale politike, që duhen mbajtur parasysh përpara se formula “Fajin e ka Saliu” të ketë marrë sërish udhë në mediat pranë Edi Ramës.

Një kryeministër dhe një drejtues që e njeh kundërshtarin e vet, vullnetin e supozuar të tij kundër reformës, siç akuzohet aktualisht Sali Berisha dhe PD-ja, do të duhet të dëshmojë prova negociimi të vërtetë. Aftësi kompromisi. Por a është ky rasti? Qartazi jo.

Negociata e parë e Edi Ramës ishte ajo për zgjedhjet lokale të vitit 2007, kur ai ishte në koalicion me Ilir Metën. Vetëm për një certifikatë që ai kërkoi si dokument që duhej skualifikuar për shkak të pasigurisë, procesi i negociimit politik për reformën zgjedhore, u shoqërua me simptoma neurotike të absurdit dhe çoi në shtyrjen e zgjedhjeve.

Negociata e dytë, aty ku Edi Rama mendoi se mori shumëçka në kurriz të interesit publik, ishte marrëveshja për Kushtetutën në prill të vitit 2008. Ditët e Gërdecit e vunë Sali Berishën në kushtet e largimit eventual nga karrigia e kryeministrit, por një politikan si Edi Rama, i ofroi të pabesueshmen: marrëveshjen. Neni për mocionin e kryeministrit, hartuar si e si për të garantuar sigurinë nga çdo iniciativë, u konvertua në fakt në garanci për Sali Berishën në periudhën 2009-2013. Të mos harrojmë se ky njeri, kryeministri aktual, kërkoi falje për Kushtetutën.

Ecim më tej me tezën e Ruzhdies në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Një tezë që u hodh në opinion nga mediat, njësoj si rasti i Flamur Nokës së fundmi. Dhe ai që ishte shembulli i korrigjimit të sistemit nga KQZ-ja(Ruzhdia nuk u mor parasysh në rezultat) u adoptua nga Edi Rama dhe PS-ja si kalë beteje për zgjedhjet e ndershme e të lira. Nuk u konsumua karta e gjyqësorit, u preferua protesta, derisa PS-ja bllokoi çdo hap përpara me të famshmet tre ligje.

Çfarë ndodhi me zgjedhjet e vitit 2011, pasi Edi Rama dhe PS-ja lanë në baltë njerëzit me ngjarjet e 21 janarit? Ndodhi ajo që vendimin për fletët e votimit të kontestuara në Tiranë, për të cilat u zhvilluan protesta në KQZ, PS-ja me urdhër të Ramës, e përfshiu në Kodin e ri Zgjedhor. Pra atë praktikë, vënë në lëvizje referuar Kushtetutës dhe “Frymës së Kodit Zgjedhor”, që e cilësoi kriminale dhe antiligjore, e legjitimoi më pas.

Këto pirueta arritën kulmin me negociatat për zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012, ku Edi Rama shkoi pa asnjë emër në takimin e parë. Pretendimi? “Të biem dakord për identikitin e një figure konsensuale”. Po a nuk ishte ky njeri që e dha “ok” për identikitin e Presidentit me Marrëveshjen e Kushtetutës në vitin 2008? Në takimin e dytë u propozua Sandër Lleshi, gjithnjë me “skuzën” naive se “atë emër ma ka referuar Ismail Kadare”. Një negociator pa axhendë dhe me strategjinë e vetme: Zero kompromis po qe se fitorja nuk anon nga unë.

Kjo “filozofi” negocimi që buron nga mosbesimi i thellë në vetvete, në sensin e garës dhe që konfirmon mungesën e një vizioni, apo edhe të shqisave politike, çoi në Marrëveshjen e turpit të 1 prillit. Një marrëveshje e garancisë për marrjen e pushtetit dhe asgjë më shumë.

Na shpjegohet kështu se kryeministri aktual, nuk është në gjendje, apo nuk ka dhënë prova se di, që në kuadër të interesave të veta politike, të integrojë një axhendë të interesave të vendit. Pasi në këtë raport të përmbysur jemi. Nëse do të ishte kështu, do të kishte transparencë, do të kishte lojë të hapur dhe ofertë të qartë. Edhe sikur të marrim të mirëqenë dhe është e vërtetë se PD-ja nuk ka vullnet për reformën në drejtësi, vullneti i deritanishëm i kësaj qeverie në luftën ndaj korrupsionit në radhët e saj, flet shumë më tepër sesa mitogazetaria me Sali Berishën si kuçedra e drejtësisë.

Jemi sot në kushtet e vetëdeklaruara nga protagonistët politikë, kur Aleanca për Shqipërinë Europiane, ka mbetur si puna e karrocës së Ismail Qemalit në hyrje në Vlorës. Në baltë, por një baltë që e ka krijuar vetë, pse aty, si bimë kënetore që është, ushqehet vetë.

Aleanca ka një bilanc negativ: zero reforma reale plus një reformë territoriale unilaterale dhe ende pa efekte të dukshme. Ajo ka sot një kryeministër që po negocion vetëm imazhin e vet, asgjë më shumë. Ndaj po vrapon drejt nacionalizmit mediatik, si në kohën e tezave për albanofobinë. Por kjo është një deja vu, të cilën shqiptarët nuk kanë pse ta paguajën sërish. Nuk kanë pse të mirëkuptojnë një axhendë personale të një kryeministri që po shfaq simptoma shqetësuese në raport me demokracinë e këtij vendi. Sidoqoftë ajo.

Comments

Submitted by Prof. (not verified) on

Artikull i gjate dhe pa bereqet.
Ka thene gjera qe dihen.
Gazetari ka shkruajtur vetem qe te plotesoje normen ditore, si detyre nga redaksia.
Artikull pa bosht.
Thjesht,fjale.

Submitted by redaksia on

Nuk e di nese kemi te bejme me nje Prof? Nese po, atehere eshte e udhes qe ne cilesine e komentuesit te mos shtyhesh shume per gjera qe nuk te takojne. Ti nuk ke sesi ta dish nese ketu shkruhet per norme ditore. Edhe ne kushtet e anonimatit nga referon eshte fyerje. Kjo per kujtese te opsionit delete ...

Per cilesine e shkrimit, bujrum shkruani cfare te doni. Ne qejfi na behet qe na lexojne Prof...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.