Forcohet ndjenja negative ndaj BE-së, kryesojnë vende si Greqia e Franca
Një studim i Peë Research Center në Shtetet e Bashkuara ka vërejtur forcimin e ndjenjës negative ndaj Bashkimit Evropian në popullatat e dhjetë shteteve anëtare të bllokut. Në krye të atyre vendeve që kanë një pikëpamje negative janë Greqia e Franca. Gjenerata e re ka shprehur një qasje pozitive, ndërsa ka një hendek mes veriut dhe jugut në rolin që luan përkatësia politike.
Ky trend negativ ndaj BE-së u vu re në periudhën 2012-2013 me kulmimin e krizës, ekonomike, fitoi një stabilitet në 2014-2015 dhe duket se është rikthyer në 2016. Në krye të listës së vendeve që kanë një pikëpamje negative për BE-në është Greqia me 71%. Vetëm 27% e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht. Menjëherë pas Greqisë vjen Franca, ku 61% e të anketuarve janë përgjigjur se kanë një pikëpamje negative dhe 38% pozitive.
Në Britani, 48% shprehën një pikëpamje negative dhe 44% pozitive. Imazhi nuk është shumë i ndryshëm në Spanjë, Gjermani, Holandë dhe Suedi (49-47, 48-50, 46-51, 44-54, respektivisht).
Në Itali, mendim negativ për BE-në kanë shprehur 37%, ndërsa mendim pozitiv 58%, ndërsa mendimin pozitiv më të fortë brenda BE-së e kanë Polonia me një raport (72% vs 22%) dhe Hungaria me (61% vs 37%). Me interes të veçantë është qasja ndaj BE-së e parë në varësi të përkatësisë politike, majtas ose djathtas. Kështu, në vende të tilla si Britania, Italia, Holanda, Gjermania apo Polonia, ata të cilët janë të vendosur në të majtë kanë një pikëpamje pozitive ndaj BE-së, ndërsa elektorati i djathtë ka shprehur një qasje negative.
Add new comment