Politika shqiptare me teza të njëjta para palës greke. PD-ja shmang përmendjen e çështjes së kufirit detar
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, mbyll sot një nga vizitat më të rëndësishme në Shqipëri. Ai ka qëndruar dy ditë dhe është takuar me të gjkthë drejtuesit kryesorë politikë e institucionalë në Shqipëri. Kotzias ka pranuar të flasë për çamët, por jo për një çështje “Çame”, ka diskutuar në një takim në universitet, ka prekur marrëdhëniet dypalëshe me homologun e tij, kryeministrin dhe Presidentin. Mbetet për t’u parë se çfarë hapash do të hidhen nga të dyja vendet për të zgjidhur ndonjë nga çështjet e konsideruara si probleme. Një zhvillim i rëndëishëm është unifikimi i qëndrimit të politikës shqiptare në prezantimin e tezave para palës greke.
Në takimin e zhvilluar sot me Lulzim Bashën, kryetar i Partisë Demokratike, firmosës i paktit të ujërave, janë shtruar në tryezë po ato qëndrime. “Kryetari i Partisë Demokratike nënvizoi dhe faktin se në marrëdheniet midis dy vendeve ka çështje të mprehta që duhen trajtuar pa paragjykime dhe me kurajo për të gjetur rrugët e zgjidhjes përmes një dialogu dhe veprimi të sinqertë mes dy palëve.
Çështja e statusit absurd të ligjit të luftës, trajtimi i të drejtës së popullatës çame si e drejtë themelore e njeriut, të drejtat pronësore të shqiptarëve në Greqi dhe çështje të tjera të mbetura pezull midis dy vendeve, meritojnë të trajtohen e zgjidhen sa më parë duke demonstruar vullnet të përbashkët dhe vizion europian. Anulimi i ligjit të luftës, është një çështje e rëndësishme theksoi zoti Basha jo vetëm për shkak të përceptimit, por veçanërisht të problemeve në lidhje me sekuestron konservative për pronat e qytetarëve shqiptare, veçanërisht atyre Çamë”, thuhet në njoftimin e PD-së. Siç shihet është pak a shumë i njëjti qëndrim me qeverinë aktuale, po të heqim faktin se nga PD-ja është shmangur përmendja specifike e çështjes së kufirit detar.
Add new comment