Politikë e madhe nga Tirana. Lutje për Britaninë dhe apel për rrezikun rus. Trump? Thjesht harrohet
Shqipëria po bën politikë të madhe. Të paktën këtë mund të kuptojë një njeri i painteresuar për gjërat e koklavituar të kësaj bote, kur dëgjon ministren e Jashtme Mimi Kodheli që flet për kapacitete, misione, apo rrezikun rus. Një ditë më parë në Asamblenë e NATO-s që po mbahet në Tiranë, Kodheli, njësoj si kolegu i saj Ilir Meta, foli madje edhe për Arkitekturën e Sigurisë, diçka që mendja, apo të paktën intuita, ta thotë që do të duhet të jetë punë të mëdhenjsh.
Më i sinqertë kryeministri Edi Rama, i cili nuk e ndërron pozicionin e tij, as me atë të një politikani në Britani. Duke folur sot në Asamble, Edi Rama ka folur për zgjerimin e BE-së, duke pranuar se ndoshta është shumë naiv kur beson se BE-ja është ajo që ka qenë diur. “Ndoshta jemi ende shumë naivë, që mendojmë se BE-ja është çfarë mendojmë ne që është, dhe ndoshta ju e keni humbur tërësisht kapacitetin për të qenë naivë, por me të tillë situatë gjërash dua t’iu them që nuk preferoj të jem në vendin tuaj. Preferoj të jem në vendin ku jam, në vendin tim. Kështu që ne preferojmë të vazhdojmë më tej dhe të bëhemi anëtarë të BE-së. Edhe një herë, me aq sa mund t’iu vij në ndihmë, ju lutem të mos largoheni nga BE”, deklaroi kryeministri Rama, duke iu përgjigjur një përfaqësuesi britanik.
Duhet ta besojmë: e ku ka më mirë sesa të jesh kryeministër në Shqipëri. Bën çfarë do e asgjë nuk ndodh. Madje rifiton zgjedhjet. Ndryshe në Britani. Aty edhe Çurçilli humbi zgjedhjet kur sapo kishte fituar luftën, ndoshta ngaqë britanikët kanë kohë që nuk kanë më asnjë kapacitet për të qenë naivë, ndonëse luksin edhe mund ta kenë patur ndonjëherë.
Në çdo rast ping-pongu deklarativ mes Shqipërisë dhe Britanisë ka funksionuar jo keq, aq sa për të argëtuar ata që vazhdojnë të lexojnë gazetat. Britania me Brexit është një mundësi që Tirana zyrtare të bëjë zhurmuesin filoeuropian, ndërkohë që Shqipëria është karta e duhur që në Britani të bëjnë pak humor politik. P.sh kryeministri Cameron ka deklaruar se nuk mund të krahasohet Britania me Shqipërinë, e cila siç tha ai është “një vend dëshpërimisht i varfër që po mban radhën për të hyrë në Bashkimin Europian”. Është trishtuese të shohësh se jemi dëshpërimisht të varfër dhe më trishtuese kur shikon se të gjithë e kanë kuptuar se “mbajtja e radhës për të hyrë në BE” është një formë e fshehur e lypjes. Ndonëse ky duet verbal, ku ironia dhe cinizmi janë në njërin krah, po shërben si motiv për show e radhës në dritaret e vogla të kryeministrisë shqiptare.
Nga buron atëherë kjo kapardisje në Tiranë, që ka dekada që vazhdon? Me siguri andej nga buron përherë: nga djallëzia provinciale e atyre që njësoj si lolot e oborrit në mesjetë, mund të thonë gjithçka, e askush nuk ua merr për keq. As Trump madje.
Add new comment