Diçka për seksin në letërsinë shqipe

Postuar në 29 Maj, 2016 13:37
Ballsor Hoxha

Philip Roth, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të gjallë, botërorë, është një prej shkrimtarëve të mi të preferuar. Tërë krijimtaria e tij është një marrëdhënie dashuri – urrejtje (më shumë urrejtje) me mentalitetin e jevrejëve në Amerikë, mentalitet konservativ, i mbyllur hermetikisht brenda vuajtjes kolektive në histori. Në fillim të krijimtarisë së tij Roth zgjedh të ‘kapet’ me kompleksin e të pangopurit me seks, në Ankesa e Portnoit, rishtas përkthyer në shqip, për të depërtuar në ‘mekanizmin’ e seksit, brenda një shoqërie aq të ngjashme me ne, për nga konzervatizmi dhe ndarja aq ‘primordiale’ e së bardhës nga e zeza, e mira sipas kolektivit dhe e keqja. Në fund të karrierës aktive, Philip Roth si shkrimtar që e ka trajtuar seksin për një jetë të tërë në krijimtarinë e tij, thotë se seksi – as erotika, as pornografia – si veprim, është ‘metaforë e jetës’. 

 Si minoren, edhe si fëmijë, të ‘habitur’ (filozofikisht) si njerëzim para televizionit (si tash para kompjuterit), ishim të ekspozuar ndaj gjithfarë ‘eksperimentesh’ (bëhet fjalë për shfaqjet televizive të viteve ’70-’80 të shekullit të kaluar): prej  Twilight Zone (eksperimentim fascinant i shkrimtarëve të arrirë amerikanë), e deri tek eksperimentimet seksuale të ish-Jugosllavisë. Secila më interesante se tjetra, me gjithë dhunën filozofike të Twilight  Zone dhe asaj morale të seksit në filmat e produksionit jugosllav. Si pasojë e kësaj së dytës, seksi, zhveshur erotike dhe pa qëllim pornografie, ne minorenëve, sidomos trajtuar atë si diçka që ‘nuk’ përmendet, nuk flitet për, mësohet për dhe ndoshta, nuk bëhet, në mesin e shqiptarëve (ishte aq i “dëmshëm”), dhe sidomos duke qenë se paraqitej si njëlloj pushteti i mashkullit ndaj femrës, njëlloj ‘arme’, na dukej: sëmundje, serbe, fëlliqësinë e domosdoshme.  Ashtu dhe trajtoheshin femrat, ashtu dhe i ndodh shoqes së tre personazheve të tregimit të mrekullueshëm të Kadaresë. “Ia fusin duart” pa e ditur pse duhej bërë kjo.

Duke qenë se seksi është veprim biologjik, të shtyrë nga proceset biologjike, si qorra (nga këto procese biologjike) kërkonim në letërsinë shqipe bile së paku një grimë seks, ishte nevojë të mësonim, ne gjenerata jonë e televizionit, që shihnim Grace Jones, modelen më të njohur botërore duke u transformuar ‘disi’ nga improvizimi i goditjeve të shkopinjve të tupanëve në videon e këngës së saj. Ishte shprehje perfide e mazohizmit seksual, derisa ne kërkonim pak seks për të mësuar në letërsinë shqiptare. Shumë nga shprehjet seksuale, edhe me femra, thuheshin në serbishte, për të shmangur ‘pastërtinë’ e: familjes, kombit, idealeve, të tkurrura nga bombardimi i seksit që vinte pas revolucionit seksual në Perëndim. Kishim gjetur, meshkuj e femra, të torturuar nga nevoja biologjike, “Sikur t’isha djal”, “Lulja e kujtimit”, “Lumi i vdekur” etj., ishte kjo letërsia ku konsumohej (lexo: krijohej me mund akti seksual përmes imagjinatës së lexuesit).

Si të ‘korruptuar’ përjetë nga televizioni, më të padurimshmëve, kjo letërsi i tingëllonte në impotencë, ejakulim ‘pastërtie’ të dhunshme përkundër nevojës biologjike. Ishim të rinj, brenda vorbullës së natyrës. Disa më të guximshëm, hulumtonin në vepra që shfaqnin transformime të sëmura të seksit: në Malësorja, Kroi i ilaqit etj., më kujtohet, romani ‘Femrat’ i Charles Bukowskit, në versionin kroatisht, në fillim të nëntëdhjetave bartej si pamflet i rrezikshëm prej shokut te shoku, prej tij te shoqja, etj. Ishim të fascinuar nga mundësia e të përjetuarit të seksit, zhveshur nga erotika dhe komercialiteti i pornografisë. Seksi vinte si kërkim i njeriut, si përjetim i tjetrit, mundje e vdekjes, përmes këtij romani. Atëherë nuk ka ekzistuar qëllimi i të kënduarit për të shfaqur: prapanicat, gjinjtë, buzët, dhe shumë më shumë, si për këngëtaret e tanishme. Vonë pati filluar Adelina Ismaili ta bënte këtë. Tani plaku 70-vjeçar nuk e dëgjon, as shikon këngën, nëse nuk ka lakuriqësi, apo, “linja të bukura”. Thënë shkurt seksi, seksualiteti, lakuriqësia, “linjat e bukura” që shfaqen në TV, para dhe pas lajmeve, derisa pimë çaj me familjen dhe hamë bukë, ndoshta janë pasojë e abstenimit gjysmëshekullor të popullit nga seksi? Shpërthim tej asaj “Pastërtisë” së dhunshme nga të qenët pjesë e botës perëndimore.

Dua të them se askund nuk ekziston një brumë i ‘vendosur’ në kulturën tonë lidhur me këtë akt biologjik dhe bukuroshet tona janë më të ‘hapura’ se, të themi, Beyonce, për shkak se veprojnë sipas instinktit për t’u njohur, jo për shkak të ndonjë përvoje të plleshme seksuale të jetëve të tyre. Janë të paformuara intelektualisht, mendoj në nivel me nevojat e profesionit të tyre, për të ‘mbështetur’ guximin seksual që kanë, gjë që është – duke filluar prej Adelinës minorene e deri tek Tuna etj., – njëlloj abuzimi seksual ndaj tyre. Nga kush? Nga populli ( i etur për seks, ndoshta) nëse faji nuk gjendet, nëse ai nuk kërkon racionalitet në tërë këtë.

Seksi gjithherë është parë si një “e zezë” e domosdoshme brenda së “bardhës”, komuniste, patriotike, etj. Gjë që e ka paralizuar, dhe vazhdon ta paralizojë, jo vetëm shkrimtarin kur merret me seksin. Shfaqja e tij tek-tuk në letërsinë e sotit është njëlloj tragjedie në vete. Populli është shumë më i ‘hapur’ seksualisht sot në krahasim me mentalitetin e shkrimtarit, brumin e tij, mekanizmat shprehës, falë abuzimeve seksuale televizive. Në “Dying Animal” (“Kafsha në vdekje”, Philip Roth trajton tragjedinë e plakjes së njeriut) teksti fillon me seks oral, një profesor në moshë duke e ‘nënshtruar’ një të re studente, seksualisht, me dëshirën e të dyve, plaku duke u hakmarrë ndaj rinisë, jetës. Këtu nuk ka erotikë, dhe as pornografi, e vlerëson konteksti amerikan, ka shtjellim të ndodhjes së njeriut në botë, në tokë.

"Shqip"

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.