A po e reduktojnë sipërfaqen e mbrojtur të Parkut të Liqenit?
Gjergj Bojaxhi shkruan sot në “Facebook” për mundësinë e betonizimit të Parkut të Liqenit në Tiranë, përmes një manovre të pisët, që i fsheh qytetarëve të vërtetën. Çdo gjë lidhet me vendimin për t’i kaluar Parkun e Madh të Liqenit Artificial (asetet e ndodhura në të) nga Drejtoria e Përgjithshme nr. 1, në administrimin e Agjensisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Por harta mungon. Ndaj Bojaxhi ka bërë këtë investigim: “Në mungesë të një harte nga ana e Këshillit Bashkiak, ne kemi bërë një verifikim të numrave të pronave të bëra publike në komunikimin e vendimit dhe duket qartë se nëpërmjet këtij vendimi, Këshillit Bashkiak i Tiranës po i kalon në administrim Agjensisë së Parqeve dhe Rekreacionit, një sipërfaqe më të vogël sesa sipërfaqja aktuale e Parkut, e miratuar me vendim të KKT. Kjo është pa dyshim një tjetër përpjekje për t'i grabitur parkut copa të tjera trojesh, të cilat me siguri do të jepen për ndërtim. Pronat që mungojnë janë në pjesën juglindore të parkut, në zonën me ndërtime informale, e cila praktikisht po hapet për zhvillime rezidenciale apo kullash, në veri, në zonën poshtë digës, dhe pjesën jugore, në anën e Farkës pranë unazës së madhe”, shkruan Bojaxhi që shton këto pyetje për kryetarin Erjon Veliaj:
“1) Pse APR-së po i kalohet për menaxhim një kufi parku i pa përcaktuar qartë dhe po harrohen shumë prona publike pa u përfshirë në të?
2) Pse nuk miratohet Plani për Parkun i cili të parashikojë zgjerimin e sipërfaqës të parkut dhe pas miratimit të kufijve të zgjeruar të parkut, t'i kalohen APR-së të gjitha sipërfaqet për menaxhim, me klauzolat specifike?”(https://www.facebook.com/Gjergj.Bojaxhi/?fref=ts)
Ky shqetësim mund të marrë përgjigje nëse Bashkia publion hartën, të cilën shpresojmë që të bëhet. Jemi përpara një individi si Erjon Veliaj, që akuzohet se fallsifikon firma, që nxjerr nëpunësit në protestë para gjykatave, që konsulton me militantë partiakë projekte madhore dhe i shet sikur i ka konsultuar me qytetarë dhe që nuk jep përgjigje direkte për ato që pyetet. Janë të gjitha arsyet që të dyshohet se po luhet pisët në këtë zonë, ndoshta me bekimin e PD-së, e cila deri më tani nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike se çfarë ka ndërmend për Parkun kur të vijë në pushtet. Kjo e Bojaxhiut është një denoncim personal që merr interes publik, deri kur Bashkia do të sqarojë me dokumente si qëndron e vërteta.
Add new comment