Armët për vetëmbrojtje, një propozim që duhet diskutuar seriozisht

Postuar në 22 Maj, 2016 17:54

Gazeta e njohur amerikane “The Washington Post” i ka kushtuar një shkrim atyre që kanë nisur të quhen “patriotë” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e të cilët shohin si kërcënim kryesore për liritë e tyre kushtetuese qeverinë federale. Në krye të lëvizjes, e cila po rritet shpejt, është një 40 vjeçar B.J.Soper, i cili nisi lëvizjen bashkë me 30 njerëz të tjerë. Qendra është në Oregon dhe synimi i lëvizjes i qartë: “Të vetëmbrohemi nëse është e nevojshme”(http://www.washingtonpost.com/sf/national/2016/05/21/armed-with-guns-and...). Nga do të vetëmbrohen këta individë? Përgjigja është: nga qeveria federale, duke evokuar kështu një traditë të gjatë në historinë e SHBA që e gjen shprehjen e vet të xhelozisë së madhe të qytetarëve për mbrojtjen e lirive kushtetuese nga një qeveri centralizuese, tek institucioni i Gardës Kombëtare.

Vetëqeverisja ka rrënjë të forta në SHBA, por lëvizja e tanishme, e cila është e pajisur me armë, është diçka, që për gazetën në fjalë lidhet me zgjedhjen e e Barak Obamës si presidenti i parë me ngjyrë në historinë e vendit, por edhe reçesionin ekonomik. Por referimi kushtetues është i qartë madje edhe ai historik, kur Soper thotë se “Nuk thuhet në Kushtetutë që nuk mund të ngrihesh dhe të mbrosh veten. Ne e lejuam qeverinë që të kalojë vijnë dhe të na sundojë dhe ky nuk ka qenë asnjëherë synimi në këtë vend”, deklaron ai, duke iu referuar parimeve që themeluan Amerikën, mes të cilëve ai i vetëqeverisjes është ndër më kryesorët.  

Por ka edhe një shqetësim në rritje për ndryshimin e madh të mënyrës së jetës në Amerikë, për kërcënimet në rritje dhe për prishjen e atij imazhi të Amerikës së viteve ’50.

Numri i simpatizantëve arrin në qindra mijëra dhe kjo frymë ka një kujtim të afërt, që është përplasja me armë e vitit 1990 mes civilëve dhe agjentëve federalë në Ruby Ridge dhe në Ëaco në Teksas, ku mbetën të vrarë 90 persona.

Për qeverinë federale, synimi është vetëm një: rrëzimi me armë i saj, çka konsiderohet “një ide shumë e gabuar”.

***

Ky shembull që po bëhet shumë shqetësues në SHBA, e vendos paradigmën e demokracisë apo sigurisë si e dhënë përfundimtare, me instancë të fundme qeverinë, në krizë. Këtë sugjeron edhe Kushtetuta shqiptare sa për një ilustrim, apo edhe kushtetutat e mjaft vendeve të Europës Perëndimore, por në dritën e krizës së madhe të tanishme, ekstremizmi po legalizohet, sikurse shumë vendime të qeverive qendrore kundërshtohen. Kjo edhe sepse qeveritë po identifikohen me shtetin, duke invaduar hapësirën e të drejtave që thjesht: duhen mbrojtur. Dhe mbrojtja e tyre nuk mund të delegohet.

Për Shqipërinë ky diskutim shkon edhe më tej, pasi Shqipëria nuk ka një traditë të vërtetë institucionesh, njësoj sikur zbatimi i të drejtave kalon përherë nga trillet dhe shkeljet flagrante që e bëjnë librin e ligjeve, një ushtrim fakultativ. Dhe në finale një kanon arbitrariteti.

Nuk është vetëm përvoja e këtyre viteve që na e provon këtë, por edhe mesazhet apo raportet e aktorëve ndërkombëtarë, të cilëve u kemi deleguar besimin e verbër të monitorimit dhe vlerësimit. Edhe dje, ministrja britanike e Mbrojtjes, kërkoi të propagandonte daljen e vendit nga BE-ja, me rrezikun që paraqesin vende si Shqipëria, Serbia, e Mali i Zi, ku siç tha ajo “kanë probleme me bandat dhe celulat terroriste”.

Është e vërtetë se në një plan strikt ligjor, arma, apo thirrja për armë në Shqipëri është antikushtetuese, por nëse i referohemi po konstatimit se Kushtetuta jonë udhëhiqet nga parimet e të drejtave të njeriut, mbrojtja e tyre, nuk mund të jetë e sigurtë në një vend ku praktikisht nuk ka shtet. Shembujt, edhe ato të kohëve të fundit janë të shumtë, por ky diskutim  që vjen nga SHBA, është instruktiv dhe me gjasë i jep një bazë diksutimi sugjerimit të ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha, për armatosjen e popullsisë. Vetëmbrojtja është e ligjshme dhe e drejtë dhe sot në Shqipëri, nevoja për vetëmbrojtje është emergjente, kundrejt individëve që kanë nga 3-4 emra dhe kanë uzurpuar institucionet e vendit. Përballë individëve të tredhur, që përgjojnë pa ligj, që lejojnë njerëz në kërkim të ikin(http://www.gazetatema.net/web/2016/05/22/skandali-lirohet-nga-burgu-i-sh...), që sajojnë tendera e grabisin pasurinë. “Çdo njeri ka të drejtën e një procesi gjyqësor të paanshëm”, thotë Kushtetuta jonë. Si ta aplikojmë këtë të drejtë në kushtet kur vetë ata që zgjidhen e cilësojnë gjyqësorin një korporatë kriminale? Apo edhe kur vetë gjyqësori madje, në një shprehje cinizmi të paprecedentë, vlerëson se “policia nuk jep mbrojtjen e duhur...”, siç ishte rasti i arsyetimit që Gjykata e Lartë bëri për lirimin e shtetasit Ismail Morina.

Jemi përballë një entiteti, që vetëquhet shtet, i cili kërkon me aktet e zyrtarëve të vet, që të gjithë ne të bëjmë kompromise praktike me të drejtat tona, në kurrizin tonë. Duke hequr dorë, duke çeduar dhe në fund, duke pranuar një modus vivendi, ku qytetari flet i fundit. Për të mos thënë që është vetëm shtetas, që nuk flet fare.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.