Online, një media e ndryshme. Duhet gjetur modeli i gazetarisë për këtë erë të re që po vjen

Postuar në 21 Maj, 2016 19:34

Henry Blodget, kryeredaktor i “Business Insider” i ka dhënë një intervistë revistës gjermane “Der Spiegel”, ku flet për median dixhitale, të ardhmen e saj, debatin mbi materialet që publikohen, kombinimin e tyre etj.. Boldget është i mendimit se suksesi në këtë lloj të ri medie – e ndryshme siç thotë ai – nga televizioni, radio, apo print, qëndron te miksimi i materialit, duke theksuar se kësaj lloj medieje, nuk mund t’ia mohosh argëtimin si rubrikë. “Publikimi i suksesshëm lidhet me miksimin. Ajo që Buzzfeed zbuloi është se njerëzit pëlqejnë fotografitë e maceve. Ne mund të pretendojmë dhe të vihemi në siklet si specie nga kjo, por kjo është e vërteta. Kështu që Buzzfeed publikon shumë fotografi me mace. Por ata i përdorin paratë që vijnë nga këto foto për të krijuar një redaksi lajmesh shumë të veçantë e cila pubikon histori që shumë pak njerëz duan t’i lexojnë. Por është gazetari shumë e rëndësishme”, thotë Blodget.

Ky konstatim që rrjedh nga përvoja e deritanishme e medias online, vjen si arsyetim, jo vetëm empirik ndaj pretendimeve a priori, të moralistëve gjithfarësh, që e shohin median me sytë e lexuesit, por asnjëherë në sensin e analizës së një biznesi. Për më tepër që një  media e ndryshme, konfrontohet me shijet e medias tradicionale. Ky është një debat që do të vazhdojë gjatë, por Blodget që drejton një media të njohur dhe që vjen nga Wall Street, deklaron se ambicia e tij është të zbulojë dhe të kuptojë modelin gazetaresk të mediumit dxhital, “të gjesh historinë e duhur që lexuesit duan, kohën e duhur për ta publikuar...”.

Nëse do të flasim për etikën e kësaj medieje, Blodget jep një ide që lidhet më shumë me SHBA-të, por gjithsesi mund të merret në konsideratë. “Në Business Insider në duam të vlerësojmë jo vetëm kompanitë që krijojnë vlerë për aksionerët, por edhe për klientët, apo punonjësit në botë – kompani si Google, apo Amazon...Financial Times është një publikim i mrekullueshëm, siç ështe edhe Wall Street Jornal apo shumë të tjera. Por brezi i ri konsumon media krejtësisht të ndryshme...”, shprehet ai.

Ja një pyetje kritike: Titujt tuaj, shpesh janë goditës, të fortë dhe të drejtpërdrejtë. Nuk do ishte më mirë një ton më i qetë, reflektiv?

“Arsyeja është se në print, në momentin që lexuesi e ka blerë gazetën, nuk ka më rëndësi nëse ata e lexojnë përmbajtjen. Ne na duhet të tërheqim lexues në çdo histori që publikojmë”, thotë Blodget, që shton se “njerëzit e pëlqejnë mënyrën tonë bisedore”.

Mund të jesh dakord, ose jo, por është në debat që duhet të ngrihet edhe në Shqipëri, ku prej dy vjetësh media online ka fituar tjetër rëndësi. Dhe në ndryshim nga ky diskutim i mësipërm, kritika e vetme ka ardhur nga qeveria, apo nga shtojcat gazetareske të saj që fshihen pas etikës. Atë etikë, që në punën e tyre e shkëmbejnë me marrjen e teserës informale të “njeriut tonë”. 

 

http://www.spiegel.de/international/business/interview-with-henry-blodge...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.