Dueli Basha-Nishani dhe “kryeministri” Meta

Postuar në 17 Maj, 2016 21:56
Eduard Zaloshnja

Në lajmin për takimin e djeshëm Basha-Majko, Top Channel-i kishte përdorur titrat “Takimi ‘presidencial’ Majko-Basha”. Pamjet ekskluzive të takimit, të transmetuara nga ky televizion, lënë të kuptohet se takimi mund t’i jetë lajmëruar më parë nga organizatori i tij, Majko, dhe se zgjedhja e fjalës “presidenciale” në titra mund të mos ketë qenë e rastësisshme.

Në pamje të parë, ky lajm “i mbjellur” lë të kuptohet se ka filluar një duel i heshtur Majko-Nishani për presidencën, por në fakt, dueli që ka kohë që ka filluar duket se është ai Basha-Nishani, për postin e kryetarit të PD-së. Dhe ky duel duket se është tejet i lidhur me betejën më të rëndësishme politike në vend – atë për postin e kryeministrit në 2017-ën.

Basha ka deklaruar në mënyrë taksative se “sa të jetë kryetar i PD-së, nuk do të ketë kurrë një koalicion me LSI-në”. Dhe kjo deklaratë e tij shoqërohej me kërkesën për dorëheqjen e kryeparlamentarit Meta. Në kundërpërgjigje të këtyre deklaratave, Meta deklaroi nga Skrapari se po krijohej një paradoks, kur dukej se PD-ja e PS-ja ishin në opozitë, dhe se LSI-ja ishte e vetme në pushtet. Më tej, ai i dërgoi një mesazh publik Doktor Berishës, duke thënë pak a shumë se, kur “malësori skraparlli” i thotë po “malësorit tropojan”, po-ja mbetet po.

Qysh prej asaj dite, Basha etj. nuk e sulmuan më LSI-në, ndërsa Berisha ka deklaruar publikisht tri herë se nuk e parapëlqen një koalicion me LSI-në para zgjedhjeve të 2017-ës, por do ta pranonte pas tyre, nëse rezultatet e zgjedhjeve do ta diktonin atë, si në 2009-ën.

Po përse Meta do të pranonte të ndahej nga koalicioni i “familjes së majtë”, e të rikthehej në koalicionin e Doktorit? Për të qenë zv.kryeministër i Bashës?... Apo për të vazhduar të jetë në postin e kryeparlamentarit?...

Ribashkimi me koalicionin e Berishës pas zgjedhjeve, presupozon daljen më vete të LSI-së para zgjedhjeve. Dhe kjo është një lëvizje me rreziqe elektorale (një parti merr më shumë mandate parlamentare, kur është brenda një koalicioni të madh).

Meta mund t’i futet një rruge të tillë të pasigurtë, vetëm nëse Berisha i ka premtuar postin e kryeministrit (prej të cilit iku i detyruar nga marrëveshja Nano-Berisha më 2002). Duke bërë llogaritë se koalicioni i Ramës (pa LSI-në) ka marrë 66 mandate në dy palë zgjedhje parlamentare rradhazi, Berisha mund të shpresojë se Rama nuk do të jetë në gjendje as këtë herë ta krijojë qeverinë i vetëm. Dhe ndoshta Rama nuk do të jetë i gatshëm t’ia japë postin e kryeministrit Metës, në një qeveri “të majtë”.

Por ku hyn në këtë analizë takimi Basha-Majko? Nga fjalët publike të Berishës dhe nga takimet që bëjnë ambasadorët me të - pas çdo takimi me Bashën - kuptohet qartë se ky i fundit nuk është më “djali i besuar” i Doktorit. Ndërsa aktivizimi i skajshëm politik i Bujar Nishanit në muajt e fundit, u jep mesazhin militantëve të PD-së se ai është tani “djali i besuar” i Doktorit. Në rast se Basha e kundërshton marrëveshjen e presupozuar në këtë analizë (mes Berishës dhe Metës, për postin e kryeministrit), dhe flirton me Majko-Ramën, Berisha mund ta bëjë hasha.

Në këtë rast, Nishani mund ta zëvendësojë Bashën në krye të PD-së. Dhe militantët nuk do ta kundërshtonin këtë gjë -- sepse Bujari është treguar vërtet Besniku i Partisë.

Po shqiptarëve të thjeshtë ç’u hyjnë në punë këto ekuacione politike? Ne fakt, shumica e tyre duan vetëm që të shkojnë  punët më mirë se sot. Por, siç kishte thënë Afrim Krasniqi dje në një intervistë, kjo ndoshta do të ndodhë vetëm kur të ikin nga skena politike ata që u shfaqën në të, në fillim të viteve ’90…

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.