Reforma, exit Halimi, entrant Tabaku! Quo vadis PD?

Postuar në 12 Maj, 2016 19:42
Ilir Sinanaj

Reforma në Drejtësi është në vëmendjen e rendit të ditës për mediat shqiptare në përgjithësi. Ajo që përbën lajm në lidhje me këtë Reformë është fakti se është shumë e rëndësishme dhe duhet miratuar sa më shpejt nga ligjvënësit tanë. Duke përdorur të drejtën kushtetuese të lirisë së të shprehurit do të guxoja të vë në pah faktin se publiku shqiptar në përgjithësi “ende” është i panjohur me një “arsye konkrete” se përse kjo Reformë është kaq e rëndësishme dhe si do të ndikojë në jetët tona të përditshme. Nga ana tjetër, duke qenë se jetojmë në një system kapitalist, ku ekonomia e tregut është motorri i marrëdhënieve të shkëmbiveme ndërnjerëzore dhe karburanti i qëndrueshmërisë së shoqërisë, ende nuk e kemi të argumentuar qartë se çfarë do të sjellë Refroma në Drejtësi vis-à-vis zhbllokimit të forcave krijuese dhe prodhuese që ndikojnë në rritje ekonomike. Megjithatë duket se përkrahësit e Reformës në Drejtësi mjaftohen me ezoterizmin e faktit se me t’u miratuar do të zhduket korrupsioni... Ashtu qoftë!

Pra me sa u tha më lartë, kjo Reformë në Drejtësi, duket se është më shumë “nga ligjvënësit për ligjvënësit” se sa “nga qyetarët për qytetarët”. Normalisht thelbi duhet të ishte tek kjo e dyta. Gjithsesi ajo që serviret për publikun është që kjo reformë në Drejtësi duhet të miratohet. Por kur vallë do të ndodhë kjo? Për edhe sa kohë do të duhet që “ekspertët” të kenë shteruar çdo mundësi hulumtimi për të pasur një projekt të përsosur?

Duke u bazuar në hipotezën, sipas mendimit tim të shprehur lirisht (gjë që ma garanton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë) se Reforma në Drejtësi po bëhet nën parrullën “nga ligjvënësit për ligjvënësit”, ndryshimet në përbërjen e anëtarëve të Partisë Demokratike në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi besoj se mund t’u përgjigjen pyetjeve të mësipërme

Eduart Halimi është një ligjvënës me përvojë disavjeçare në fushën e jurisprudencës. Si ai për Partinë Demokratike ashtu edhe Fatmir Xhafaj për Partinë Socialiste janë “lokomotivat”që tërheqin “vagonat” e Reformës në Drejtësi. Më datë 11 maj “çuditërisht” Eduard Halimi tërhiqet nga Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi për arsye personale apo shëndetësore, sipas burimeve pranë PD-së. Tani lind pyetje kur Reforma në Drejtësi është një prioritet kaq i madh për vendin tonë, aq sa rëndësia e saj ka bërë jehonë ndërplanetare, a mund të largohesh prej saj, sidomos në një moment kaq kritik për sa i përket rrugëtimit të miratimit të saj? Në fakt për rëndësinë që ka Refoma në Drejtësi një ligjvënës, pavarësisht gjendjes personale apo shëndetësore, duhet të veprojë si Konstandini tek legjenda “Konstandini e Doruntina”, për të punuar në miratimin e kësaj Reforme. Ndërkaq, ai “zëvendësohet” nga një deputete e re, Jorida Tabuku, e cila kurrsesi nuk ka përvojë politike në nivelet e Halimit. Ndërkohë Reforma në Drejtësi është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Pikërisht këto ndryshime të bëjnë të mendosh se reforma është drejt fundit pasi PD nuk ka më “nevojë” në komisionin e Posaçëm për të zëvendësuar Halimin me një “peshë të rëndë politike”, çka do të thotë se juridikisht gjërat janë “kopsitur” për PD-në. Nga ana tjetër me Tabakun në Komisionin e Posaçëm, PD-ja ka argumentin se “të rinjtë e sollin ndryshimin”. Reforma në drejtësi me sa duket po afron...vërtet. Fabula acta est!

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.