Kodheli në Gjermani/Zona rreth Serbisë e pasigurtë, kurse Maqedonia ka ende rrugë për anëtarësim. Kërkohet pjesëmarrje në misionet e NATO-s në Egje
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli i ka dhënë një intervistë agjencisë gjernane të lajmeve “Deutsche Welle” në kuadër të vizitës së saj në Gjermani. Kodheli është pyetur për shumë gjëra, por komentet e saj kanë rëndësi në disa çështje, pasi paraqesin pikëpamjen e qeverisë aktuale dhe angazhimet e saj.
Zgjerimi i NATO-s, zona rreth Serbisë e pasigurtë. Maqedonia ka ende rrugë për anëtarësimin
Së pari është zgjerimi i NATO-s në Ballkan. Lidhur me këtë, ministrja shqiptare, ka deklaruar se Shqipëria mbështet një politikë të dyerve të hapura, por ka nënvizuar se vende si “Maqedonia, Kosova dhe Bosnje – Hercegovina, kanë ende rrugë për të bërë”. “Rajoni ynë ende ka probleme me sigurinë, probleme që vijnë nga shkaqe historike, por edhe për shkaqe të demokracive të reja e të brishta që kemi ndërtuar pas komunizmit. Pikërisht këto e bëjnë më të domosdoshëm integrimin euroatlatantik të vendeve të rajonit. Ka vende që ende kanë shumë rrugë për të bërë, si Maqedonia, po ashtu Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, por ndërkohë edhe Serbia, e cila suksesshëm po ecën drejt BE-së, por ka një mosdëshirë, ajo synon të jetë bashkëpunuese dhe jo një anëtare me të drejta të plota. Në këtë kompleksitet, Shqipëria jo vetëm është promotor në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, por edhe promotor i rrugës euroatlantike të përbashkët për të gjitha ato vende të rajonit që janë drejt kësaj rruge, por që kanë ende detyra shtëpie për të bërë...”, tha Kodheli. Pyetja e gazetares i referohej një përcaktimi të ministres shqiptare gjatë leksionit të saj në Akdeminë e Drejtuesve në Hamburg, ku Kodheli foli për një pikë të dobët në Ballkan, “diku në mes të Shqipërisë, Kroacisë, Hungarisë dhe Bullgarisë, të gjitha vende anëtare të NATO-s që janë në kufi me vende joanëtare të NATO-s”.
Nuk është e qartë se përse Shqipëria insiston të shohë si problematike rajonin që qarkon Serbinë, për më tepër kur forca e vendit tonë nuk është proporcionale me angazhime deklarative si këto. Por më befasuese është qëndrimi i Kodhelit për Maqedoninë, për të cilën deklaron se ka ende shumë rrugë drejt NATO-s. Fakti historik është se Maqedonia – të cilën ministrja e thërret me emrin historik dhe jozyrtar – i ka përmbushur kriteret për të qenë në NATO, po aq sa Shqipëria. Në vitin 2008 kur vendi ynë u anëtarësua, Maqedonia u ndëshkua thjesht dhe vetëm për shkak të vetos greke për çështjen e emrit që vijon ende. Ndaj ky koment nuk është me shumë vend, veçse nëse Tirana zyrtare vijon t’u përmbahet deklaratave të bëra pas incidenteve të Kumanovës ku kërkoi me gjysmë zëri një Marrëveshje të re të Ohrit. Edhe këtu forca e Shqipërisë vështirë se mund të imponojë diçka, sikurse është e vështirë të mendohet se Shqipëria dotë përdorë veton ndaj Shkupit në këmbim të lëshimeve politiko-kushtetuese.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në FRONTEX dhe policët gjermanë në Kakavijë
Një çështje e dytë të cilën e njoftoi ministrja në intervistën e saj është nisja e aktivitetev patrulluese të NATO-s në Egje, ku pretendon të marrë pjesë edhe Shqipëria. “...një propozim që i bëra ministres gjermane von der Leyen lidhur me pjesëmarrjen tonë në një mision të NATO-s, sa të domosdoshëm aq edhe të nevojshëm në momentet që po përjetojmë. Bëhet fjalë për mbështetjen që disa vende anëtare të NATO-s i japin Frontex-it, misionit europian për menaxhimin e ujërave në kufijtë jugorë të Europës. NATO ka vendosur, me propozim të ministres gjermane von der Leyen në një nga samitet e BE-së, të jetë prezente me anije ushtarake për menaxhimin e ujërave, sidomos atyre të Detit Egje. Shqipëria ofrohet me mjetet e saj lundruese që do të kenë një kohë të caktuar qëndrimi bashkë me anijet e tjera të vendeve të NATO-s. Ky propozim u mirëprit nga ministrja dhe besoj se ekspertët teknikë do të ulen e bien dakord për mënyrën si do të procedohet. Pjesëmarrja në këtë projekt e nderon Shqipërinë, e nderon Ministrinë e Mbrojtjes, qeverinë shqiptare dhe Forcat tona të Armatosura”, tha ministrja.
Në të vërtetë kjo është një gjë e mirë, por ajo ka vlerë diçka më pak sesa simbolike. Shqipëria nuk ka kapacitete reale, në mjete lundruese që të menaxhojë ujërat e saj, as edhe të zgjidhë situata të vështira në det, saqë të pretendojë zgerimin e aktiviteteve jashtë ujërave territorialë. Rasti i tragetit të linjë Gumenisë – Bari, “Norman Atlantic” është një dëshmi e pjesshme për këtë ndonëse duhet thënë se pala shqiptare shprehur gatishmëri të plotë.
Dëshmia më e plotë për kapacitetet shqiptare apo më mirë për politikën me dy standarde dhe pa kuptim që ndjek Tirana është ajo e menaxhimitm të kufijve shtetërorë. Vitin e kaluar qeveria shqiptare pranoi që të vendoste në pikat doganore me Greqinë policë gjermanë, për të cilët nuk u sqarua deri në fund se çfarë detyrash do të kishin(http://www.respublica.al/2015/08/12/kloni-i-shengenit). Zv.ministrja e Brendshme nuk qe në gjendje të bënte të qartë se çfarë do të bënin policët gjermanë në doganat me Greqinë për të ndalur fluksin e njerëzve që ikin për azil, ndërkohë që vetë qeveria shqiptare deklaronte se azilkërkuesit më të shumtë iknin nga Greqia.
Rasti i dytë është pranimi i policëve italianë për të ndalur fluksin e mundshëm të refugjatëve sirianë nga Greqia drejt Shqipërisë.
Në të dyja rastet, misioni Frontex ka qenë prezent në kufi me Shqipërinë, por në asnjë prej tyre nuk i është besuar palës shqiptare si palë e besueshme. Kërkesa e Kodhelit në këtë rast është as më shumë e as më pak një ambicie e pambështetur në kapacitete për të qenë prezent në një zonë detare problematike jo vetëm për çështjen e refugjatëve.
Diplomaci, mbrojtje, por edhe një lajm pazari
Disa media sot kanë referuar një shkrim të tabloidit gjerman “Hamburger Morenspost” sipas të cili ministrja Kodheli ka qëndruar në Hamburg për të bërë Pazar rrobash në një nga dyqanet më të shtrenjta. “Tri limuzina me drita të ndezura, një Mercedes S-Class dhe një automjet i policisë ushtarake. Vizitë shtetërore? Jo, ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli po bën pazar. Kodheli gjendet në një vizitë zyrtare në Gjermani, ku të hënën u taku me homologen e saj, Ursula von der Leyen. Në këtë takim u diskutua kryesisht për situatën në Ballkan, konfliktin në Ukrainë dhe politikat e presidentit rus Putin. Pas vizitës në Berlin, Kodheli shkoi në Hamburg me helikopter. Në këtë qytet, ministrja e Mbrojtjes ka bërë dy orë shopping në dyqanet VIP të Alsterhaus”, referohet shkrimi i gjermanes “Morenpost”(foto3).
Pyetjes së “ResPublica” për këtë akuzë nga mediat gjermane, Zyra e Shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes iu përgjigj se “ministrja i është përmbajtur protokollit të vendosur me palën gjermane”. Pa shkuar më tej me komente. Një përgjigje që lë të vagullt nëse Kodheli ka qenë apo jo në dyqanet Vip, ku çmimet tejkalojnë fuqinë e rrogës së saj si ministre, njësoj si edhe angazhimet zyrtare që pretendohen për Shqipërinë tejkalojnë mundësitë.
Add new comment