Doli njëzetepesa për kusarë...

Postuar në 09 Maj, 2016 03:12
Ilir Mborja

Ambasadori i Amerikës Donald Lu, që kur zbriti për herë të parë në aeroportin e Rinasit, na u drejtua duke folur shqip. Duket, se ata që e dërguan, ia kishin bërë të qartë që më parë se politikanët shqiptarë nuk e kanë për gjë, që kur ua do interesi, ta përkthejnë anglishten e Uashingtonit gjithnjë si t’u vijë përmbarë atyre. Prandaj, për t’i prerë rrugën këtyre spekulimeve, përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë në Tiranë, ndryshe nga pararendësit e tij, i bën në shqip të gjitha deklarimet e tij publike. Edhe deklaratën e fundit më 4 maj, kur paraqiti Projektin për Reformën në Drejtësi, Donald Lu e citoi ngadalë në shqip. Përpara kamerave, ai, në krah të ambasadores Romana Vlahutin, artikuloi në shqip, me një theks të saktë logjik, gjuhën zyrtare të Amerikës dhe të Europës për këtë çështje. Një qëndrim i qartë, i prerë dhe në dukje kërcënues për politikanët si asnjëherë tjetër. Të gjitha këto në shqip dhe pa asnjë nuancë diplomatike që mund t’i errësonte frazat. Më shqip nuk bëhej. Por, zoti Lu u duk pak i çuditshëm dhe jo fort i besueshëm kur tha: “Jam krenar të them se e mbështes atë, edhe pse nuk e kam manipuluar përmbajtjen e tij dhe as nuk më kanë dhënë ndonjë kopje përpara.” Pra, pas gjithë asaj odiseje, për të cilën i ranë këmbët duke bredhur sa nëpër zyrat e Ramës dhe të Bashës, tek ajo e Berishës, Xhafës apo e Metës, në fund na yshti të besojmë se ai, i palodhuri ambasador i SHBA-ve Donald Lu, nuk kishte qenë as kureshtar për t’i hedhur një sy dhe për të parë formën përfundimtare të draftit?!. Tha se besonte apriori në: “integritetin, njohurinë dhe paanshmërinë politike të dy ekspertëve ndërkombëtarë... Dr. Smibert dhe Dr. DeVille janë ndër njerëzit më të mençur në profesionin e tyre në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara”

Por duke iu drejtuar anëtarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi më 4 maj, ambasadorin Donald Lu e dëgjuam të gjithë ne shqiptarët. Në më shumë se një herë, në fjalën e tij ai na u referua drejtpërsëdrejti kur tha: “...që t’i shërbejë më mirë popullit shqiptar... ju dhe unë e dimë se populli shqiptar, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, qytetarë të fshatit e qytetit, burra e gra, e kërkojnë këtë reformë” ose: “...do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare...”
Bukur! Kur i besonte ambasadori Lu apriori projektit, s’kishte pse të tregoheshim mosbesues ne shqiptarët. Por aty brenda, ca shqiptarë, vunë re se dikush kishte vënë dorë tek neni 25 dhe kishte shtuar një pikë tjetër?! Pikën 135, që përjashtonte nga hetimi, dmth i amnistonte të gjithë ish - ministrat e para tre vjetëve?!

***

Por zoti Donald Lu, më parë se të flasë për shqiptarët e varfër apo të pasur, është dashur të dijë diçka më shumë se gjuha shqipe. Për t’u kuptuar më mirë gjatë komunikimit me ne, veç njohjes së mirë të leksikut dhe gramatikës së gjuhës, është e domosdoshme edhe njohja e moralit të shqiptarëve. Sidomos kur flitet për ligje. Mentaliteti shqiptar dëshmon se morali i ligjeve të pashkruara është ku e ku më i fortë se çdo kushtetutë e shkruar. Për t’u bindur, mjafton t’i hedhësh një sy kulturës së krijimtarisë gojore të shqiptarëve. Folklori, mund të përfillet pa frikë, si një fosil i gjallë i cili mund të shfrytëzohet në funksion të zbulimit të veçorive dhe tipareve sociale të një kombi. Kështu funksionon edhe për ne shqiptarët. Po kështu, edhe për rastin e Reformës në Drejtësi, besoj se ia vlen t’i drejtohemi folklorit dhe të kuptojmë më mirë shqipen e njëri tjetrit. Dmth, që edhe ambasadori Donald Lu të kuptojë diçka më shumë nga shqipja jonë e shqiptarëve të varfër e të pasur, që është shumë më e fisshme se ajo e politikanëve tanë. Pse jo, edhe më e ndershme, sesa gjuha që përdori ai më 4 maj, kur na paraqiti Projekt Reformën e Drejtësisë...

E gjithë reforma ka në thelb luftën ndaj korrupsionit, që më shqip do të thotë vjedhje. Në fjalorin që ka përdorur zoti Lu për të mësuar shqipen, për personin që e kryen atë ka disa sinonime. Përveç emrit vjedhës, më të përdorurat janë: hajdut, grabitës dhe kusar. Në fakt fjala hajdut dallohet dukshëm nga fjala grabitës për arsye se ndërsa për të parin veprimi i përvetësimit të gjësë së tjetrit është i fshehtë, për të dytin, grabitësin, ai bëhet hapur, forcërisht. Hajduti i fsheh ose mundohet t’i zhdukë gjurmët e veprimit të tij. Ndërsa i grabituri e ka parë me sytë e tij se kush ia ka rrëmbyer forcërisht pronën. Por më interesant del shpjegimi i emrit kusar. Për këtë na vjen në ndihmë folklori. Ai na dëshmon se përcaktori KUSAR është dëgjuar për së pari në zonat e Labërisë. Prej shekujsh që nuk mbahen mend, barkat me piratë që niseshin nga ishulli i Korsikës, pasi ankoroheshin në brigjet e Himarës apo gjirin e Vlorës, zbarkonin dhe plaçkitnin banorët e atyre anëve. Prej këtej kemi edhe foljen BASTIS që tregon se piratët ishin nga Bastia e Korsikës... Që të mos zgjatem, dua të them se kusarinë dhe bastisjen nuk i kemi shpikur ne shqiptarët, por na i kanë importuar dhunshëm të huajt. Emërtimet e fenomeneve dëshmojnë se ato i kemi peshqesh nga Perëndimi.

Folklori na dëshmon se, në veprimet e atij që në këngët popullore cilësohet KUSAR, ka më shumë gjëra të afërta me ato të piratëve prej Korsike, se sa me veprimet e fshehta të një hajdudi. Edhe kusari është i dhunshëm, ashtu si pirati i Korsikës. Kusari në folklorin lab është po aq i kapardisur sa ai pirati i Korsikës para shumë shekujve. Ashtu guximtarë si dikur piratët bastë të Korsikës, trima të çartur e brutalë kanë mbetur gjer më sot të gjithë banorët e trevave të Labërisë. Interesant është fakti se si ka evoluar perceptimi i shoqërisë në lidhje me fenomenin e kusarisë. Ashtu si pirateria, edhe kusaria përfillej gjithmonë si guxim, si forcë. Ajo përdorej si test provimi që duhej të kalonte burri për t’u martuar. Kusaria ishte vetëm një test, ku burri, nëpërmjet sakrificës dhe gatishmërinë për ta kryer atë, veç zotësisë, duhet të dëshmonte dashurisë për nusen e ardhshme. Këtë tregojnë edhe vargjet e këngës, ku kandidati për dhëndër është një bej. Dhe ai, nuk është një bej dosido, por bej kasabaje, dmth “shqiptar i pasur”. Atij, sigurisht, që nuk i mungojnë as paratë dhe as pasuria, por ligji i pashkruar e do që edhe ai të provojë sakrificën e tij të kusarisë para syzezës: “Moj sy e vetulla llaja!/ Të flet beu nga kasabaja/ ... Syzezë e vetulla pish’!/ Haram të qoftë ai mish!/ Ai mish që të solla prëmë/ E vodha natën pa hënë/ Qentë lehnin unë po zërë...”

Në Kushtetutën tonë, në Kodin Penal, precizohen qartë juridikisht dallimet midis hajdutit dhe grabitësit. Ndërsa aty nuk përmendet gjëkundi fjala kusar, në folkor ndodh e kundërta. Në këngët popullore nuk gjen asnjë rast të përdorimit të cilësorit grabitës për burrat, por vetëm kusar. Cilësorin autokton grabitqar, shqiptarët e përdorin vetëm për kafshët. Psh: “kafshë grabitqare, shpend grabitqar”. Kjo tregon se në popull, ai kurrë nuk e fitoi statusin njerëzor të vesit të importuar nga piratët e Korsikës. Shekujt, ashtu siç e transformuan fjalën nga korsikan në kusar, e përshtatën këtë të fundit edhe me ndryshimet e natyrshme që sillte civilizimi. Në Shqipërinë e para 100 vjetëve, kusaria mori formën e një loje. Gjer në fund të shekullit që lamë pas, gjejmë gjurmë të sportivitetit që i dhanë kusarisë shqiptarët. Si në një lojë të rrezikshme kusari mund të linte edhe kokën gjatë aktit të tij nëse diktohej nga i zoti i bagëtisë që i ishte vënë syri të rrëmbehej. Dhe plumbi që mund të binte mbi kusarin, në asnjë rast nuk ndizte hasmëri të mëtejshme mes fiseve. Morali shqiptar, që për hiç gjë na çonte në gjakmarrje me njëri tjetrin, kusarët i amnistonte plotësisht. Këtu fillonte dhe mbaronte loja. Nëse kusari ia kishte dalë ta rrëmbente bagëtinë pa u diktuar në atë çast nga i zoti, më pas ajo quhej “ligjërisht” e tij. Madje, ishte radha e kusarit që të nesërmen, pasi ia kishte dhuruar mishin të dashurës, të shkonte dhe t’ia hidhte te këmbët të zotit lëkurën e bagëtisë së rrëmbyer. Ky xhest donte t’i thoshte atij: “Je njeri kot. I paaftë. Të kam dhjerë qentë!..” Kënaqësia e kusarit në këtë moment kapardisjeje para të dashurës, si edhe poshtërimi publik që i bëhej të zotit, vlenin shumë më tepër se mishi i vjedhur. Ajo shfaqet hapur si një sakrificë që dëshmon burrërinë e djalit përballë të dashurës së tij. Ndryshe nga piratët e Korsikës, kusarët shqiptarë shpallen si piratë zemrash. Edhe Hënën prandaj e duan, se jo vetëm i kujton të dashurën “Moj e bukura si Hënë!”, por edhe se u ndriçon shtigjet kur nisen natën për kusari. “Doli Hëna për kusarë”, nis një këngë popullore, dmth, sa për t’u ndriçuar udhën atyre dhe për asgjë tjetër. Pikërisht, për këtë nuancë romantike, kusaria në folklorin tonë dhe sidomos në lirikat labe nuk fshihet fare.

Shembujt e mësipërm nga folklori i solla për të ndarë bindjen time me ambasadorin Lu se: “populli shqiptar, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, qytetarë të fshatit e qytetit, burra e gra,..” të cilëve ai iu referua, në shqip kuptojnë më shumë seç mund t’ia marrë mendja ndokujt. Kushtetuta e pashkruar, që këndohet në folklorin e shqiptarëve, dëshmon se ke të bësh me njerëz që prej shekujsh e njohin shumë mirë institucionin e amnistisë. Duke e kthyer në lodër bastisjen e piratëve, e amnistuan me sportivitet krimin e atyre që vinin përtej detit. Prandaj shqipja e ambasadorit Donald Lu do të ishte shumë me e ndershme psh, po të na drejtohej kështu: “Shqiptarë! Ky projekt kërkon 94 vota që të votohet në Kuvend. Është faji juaj që më 2013-n nuk mundët të votonit dot për të çuar atje 94 njerëz të pastër. Kështu është kur votimet i merrni me sportivitet. Nuk kishte rrugë tjetër. Për të arritur tek ky numur, duhet të amnistohen të gjithë kusarët e qeverive të mëparshme. Prandaj në Projektin e fundit të Reformës në Drejtësi u shtua neni 25. U bë për të amnistuar kusarët. Kështu e menduam.”

Kjo do të ishte një gjuhë e ndershme me shqiptarët. Shumica e shqiptarëve të varfër, mbetën të tillë, jo se nuk dinin të ngrinin dy gishtat lart në formë “V”-je dhe të grabitnin “rezultatin e lirisë” që ofronte anglisht më ‘91-shin në Tiranë Sekretari i SHBA-ve, James Baker. Shumë fisnikë, nga ata që sot kanë mbetur të varfër apo morën udhët e emigracionit, thirrjen e Perëndimit se: “Freedom works” - “Liria jep rezultat”, nuk mund ta përkthenin si banditët e Berishës: “Liri për të grabitur”. Shqiptarët fisnikë, siç e kam ilustruar me shembuj nga folklori më lart, vesin e “grabitjes” ia kanë rezervuar vetëm kafshëve. Me pak fjalë, pasuria shpirtërore që quhet folklor, dëshmoi se morali i shumicës shqiptare është më i fortë edhe se ligji i xhunglës shqiptare që ndërtoi Berisha. Koha do të tregojë se ai do të mbetet përsëri më i fortë se çdo ligj e reformë që do të votohet nga kusarët tanë...

***

Bash për këtë, hilja amerikane me nenin amnistues 25 në Reformën në Drejtësi, nuk kishte pse të na servirej në shqip nga ambasadori i Amerikës Donaln Lu. Ai mund të na e kishte kursyer shqipen tonë të ndershme në këtë rast. Shqiptarët janë të varfër por jo aq budallenj sa ta besonin atë kur tha që në fillim se “nuk e kam manipuluar përmbajtjen e tij dhe as nuk më kanë dhënë ndonjë kopje përpara:” Edhe tonin “kërcënues” në thirrjen që i bëri në fund politikanëve: “Ndaj lërini lojrat politike!..” , në një shqipe të ndershme do të ishte: “ Kusarë! Jeni të amnistuar! Ndaj lërini nazet dhe votojeni shpejt!..” Ndërsa ne shqiptarëve, mund të na thuhej: “Shqiptarë, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, qytetarë të fshatit e qytetit, burra e gra, ju që kërkoni drejtësi! Kjo është reforma. Për të arritur numrin 94 amnistuam kusarët. Për këtë shtuam edhe një pikë tjetër tek neni 25. Vepruam si ai kusari i kapardisur, që për ta poshtëruar të zotin, lëkurën e bagëtisë së vjedhur, ia hedh të nesërmen para syve...” Kjo do të ishte më e ndershme. Por kjo nuk ndodhi dhe e gjitha kjo histori tingëllon si një tallje. Meqë jemi brenda talljeve, ne shqiptarëve s’na mbetej gjë tjetër, veçse t’ia merrnim këngës në kor: “Doli njëzetepesa për kusarë...”

Comments

Submitted by Nase Jani (not verified) on

Nje shkrim i vecante, midis politikes dhe folklorit, midis Lu-se te Amerikes dhe parlamentareve tane... Ku ironia eshte e vertete. Ilir Mborja, gjithmone ka bere shkrime te zgjuar, me mendim e zgjidhje, sic quhen rendom: opinioniste. Sot ne Diten e Europes, qe eshte 9 maji i fitores mbi Fashizmin, eshte njer Turp Politik e Diplomatik i Aktoreve qe kane perdredhur gjuhen (mend te thosha edhe by...) me te drejten shqiprae. Akoma me MASHTRIME?!! Po cfare reforme eshte kjo po nuk u denuan ata qe VODHEN E VRANE, para 2013?!! Por kjo "binte ere" qe kur Ambasadori Lu dhe Europiania, takohen me BerisheN. Ne cile vend Demokratik pyetet apo i merret dora ish kryeministrit? Vetem ne Shqiperi, ku edhe perfaqesuesit e SHBA dhe Europes, i presin zgjidhjet nga Berisha?! Qysh aty mbaron Reforma. Dhe shqiptaret ta kene te qarte se Reforme ne Drejtesi duke falur hajditet e kriminelet nuk ka.

Submitted by musa (not verified) on

I shkreti popull shqiptar. gjithe jeten e kane marre ne qafe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.