Edukim fetar, apo njohuri mbi fenë?

Postuar në 08 Maj, 2016 14:50
Arqile Bërxholi*

Kur dëgjova në media se kryetari i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë deklaroi solemnisht: “Të futim edukimin fetar në shkollë, pasi kjo do t’i vaksinojë nxënësit kundër ekstremizmit”, me thënë të drejtën, si intelektual, studiues, mësues për 47 vjet, u shokova dhe nuk e kuptova.

Ende nuk po e kuptoj, çfarë domethënieje ka kjo “akrobaci”; kur zoti Kryeministër e di shumë mirë që “korniza kushtetuese dhe ligjore” nuk i lejon asnjë pike të mundshme të kalimit të “kufirit” për një ndërmarrje të tillë. Njëherësh ky deklarim më la një shije shumë të hidhur. Shija e hidhur më erdhi nga ajo që ne, si popull, me gojën e Kryeministrit të shtetit tonë, penalizohemi dhe vihemi në një radhë me ekstremizmat terroriste të vendeve të tjera.

Për këtë jam i detyruar të pyes zotin Kryeministër: “Ku është shfaqur terrorizmi shqiptar që ju ka shqetësuar kaq shumë Juve zoti kryetar i Qeverisë, si dhe ndonjë aleat që e quajti ‘të zgjuar, tepër brilante’ këtë nismë”? Unë do të thosha zoti Kryeministër se “kriminalizimi” në Shqipëri nuk është dukuri e masave popullore, por e politikës, sistemit të drejtësisë, e “baballarëve të kombit”, që na udhëheqin “nga fitorja në fitore”.

Prandaj duhet të jenë ata të parët që të shkojnë të “edukohen” me mësimet e fesë, por jo në shkollë, por në sallën e gjykatës. Nga ana tjetër, u habita se si një kryetari Qeverisë, që urdhëron prishjen natën të vakëfeve, i ardhka keq që “nuk bëjmë mësim fetar në shkollë, që të shpëtojmë Europën nga terrorizmi shqiptar”.

Mund të justifikohen instancat e ndryshme se: “Na e kërkon Perëndimi”, siç kemi bërë në shumë raste. Perëndimi apo Lindja mund ta kërkojnë një gjë të tillë, por ato janë shtete me fe unitare, nga ana tjetër ato nuk e njohin fare historinë e feve në Shqipëri. Megjithatë, vendet e Perëndimit dhe të Lindjes europiane kanë mbi dymijë vjet që “ushqehen” me mësimet e fesë, por si është e mundur që “vaksina” nuk ka bërë efekt dhe kontinenti ka qenë protagonist i terrorizmave më të tmerrshme që ka njohur globi?

Duke iu referuar historisë, shtroj pyetjen: Pse gjermanët, italianët, japonezët etj., në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore shkaktuan kasaphana të pashembullta mbarëbotërore (12 milionë të vrarë në Luftën e Parë dhe 56 milionë në Luftën e Dytë), megjithëse në shkollat e tyre “kishin bërë vaksinën me mësimet për fenë”. Po agresionet bashkëkohore, po gjenocidi serb ku priftërinjtë bekonin paramilitarët kur shkonin të masakronin boshnjakët apo kosovarët?

Mungesa e “edukimit fetar” e kishte fajin për këto dukuri terroriste makabre? Prandaj këto janë disa “tullumbace” që i janë dashur kreut të Qeverisë t’i përdorë si flamurë në turin e tij politik. Unë, si edhe mjaft intelektualë të tjerë, nuk jam në gjendje të kuptoj se çfarë programi i edukimit fetar do të futet në shkollë (që, siç deklaroi zonja ministre e Arsimit, fillon në shtator): mësim i fesë apo njohuri mbi historikun e lindjes dhe mbi vlerat shoqërore të fesë?

Po të jetë se në programet shkollore do të futet mësimi i fesë si lëndë e detyrueshme, do të thotë që në të, në shkollat joteologjike, t’u mësohen nxënësve dogmat fetare dhe Doktrina e Shenjtë. Atëherë si do të veprohet me programet shkencore joteologjike, që sot zhvillohen në shkollë? Do të hiqet dorë nga ato?

Do të zhvillohet teoria e evolucionit të Darvinit, apo jo? Do të zhvillohet “teoria e pllakave e Vegenerit”, apo jo? Do të flitet për teorinë e tranzicionit demografik, apo jo? Flitet nga zoti Kryeministër për futjen e “mësimit të fesë në shkollë”, po si mund të besohet kjo kur shteti nuk interesohet për dhunimin e objekteve të shenjta që ende administron ai nën petkun e të ashtuquajturve “monumente të kulturës”, si mund të jetë e besueshme kjo kur vetë shteti lejon dhunimin e ikonave të shenjta, duke lejuar të bëhet reklamë tregtie me femra të zhveshura para tyre.

“Mësimi i fesë” në shkollë, të parin problem që do të shtrojë do të jetë shenjtëria e objekteve të kultit dhe adhurimit të tyre. Ku qëndron shenjtërimi në këtë rast? Atëherë për çfarë edukimi fetar bëhet fjalë? Flet zoti Kryeministër për futjen e “mësimit të fesë në shkollë”, po si mund të besohet kjo kur një ish-ministër deklaron se bashkësia ortodokse dhe kreu i kësaj bashkësie janë në shërbim të të huajve, për këtë unë kam të dhëna, shënon ai, dhe shteti hesht.

Puna e parë që duhej të bënte shteti: ky ish-ministër (pjesëtar i organizmit të tij politik) i një institucioni, që nuk duhet të flasë në pazar, duhej ta dërgonte në prokurori dhe ai të denonconte akuzën, por shteti nuk e ka atë dëshirë, prandaj më duket e habitshme se si sot, në këto kushte, të gjendet një “çelës i tillë magjik” për të “shpëtuar njerëzimin” nga ekstremizmi terrorist që mund të “lindë në Shqipëri”, prandaj duhet bërë “vaksinimi me mësimet e fesë”.

Mirë fëmijët 7-14 vjeç do t’i “vaksinojmë”, po 2.6 milionë banorët e tjerë, me se do t’i “vaksinojmë”? Po klasën politike me se do ta “vaksinojmë”, po sistemin e drejtë- sisë? Tani të marrim me radhë disa probleme. Deklaroi Kryeministri papritur se “në shkollë do të futet mësimi i fesë”. Pas tij, disa vartës u munduan të bëjnë ndonjë retushim. Duhet thënë qysh në fillim se zoti Kryeministër nuk ka përfillur as Kushtetutën, as ligjin parlamentar për arsimin parauniversitar.

Do të ishte mirë që e thëna të ishte në formë propozimi, pasi korniza kushtetuese dhe ligjore nuk të lejojnë të veprosh si të duash, zoti Kryeministër.

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 10, pika 1, thotë: “Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare; pika 2 thotë se: “Secili është i lirë të zgjedhë e të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit etj; në pikën 3 thuhet: “Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare”; mirëpo futja e programit të detyruar të mësimit fetar në shkollat jofetare, dashur pa dashur është detyrim i karakterit shtetëror.

Kjo Kushtetutë që cituam është miratuar në referendum, është aprovuar në Parlament dhe është dekretuar nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 2260, datë 28.11.1998, si dhe gjithë ndryshimet e bëra gjer më 2008-n. Më konkretisht, le të shohim ligjin “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, hartuar në bazë të neneve 78, 83 (pika 1) të Kushtetutës), shpallur me dekret nr. 7696, datë 18.07.2012 të Presidentit të Republikës.

Në këtë ligj thuhet: Neni 7. Laiciteti: “1. Arsimi parauniversitar është laik; 2. Përjashtim bëjnë ato institucione arsimore që themelohen nga bashkë- si fetare të njohura me ligj”. Neni 41, pika 4 e ligjit thotë: “Institucionet arsimore private, në të cilat zhvillohen lëndë fetare, që themelohen apo administrohen nga bashkësitë fetare, hapen e mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Pra fjala është për të drejtën mbi shkollat private fetare dhe jo mbi shkollat publike.

Neni 72 thotë se efektet ky ligj i shtrin në vitin shkollor 2015-2016, pra në ditët e sotme. Me sa shihet, korniza ligjore kushtetuese nuk i lejon asnjë dritare Kryeministrit të veprojë me nismën e tij. Në fillim duhet rregulluar kjo kornizë, pastaj të veprohet. Lind pyetja tjetër: A duhet të futet “edukimi fetar në shkollë”?

Sipas mendimit tim, mirë do të jetë, por mendoj të mos jetë “edukim fetar” por “njohuri mbi fenë”, ku të flitet jo për “dogmën fetare”, por për etikën, moralin, marrëdhëniet shoqërore, familjare, raportet me shtetin, mbi rolin e Doktrinës së Shenjtë në zhvillimin e artit në vendin tonë, të muzikës popullore, të bashkim-vëllazërimit në momente kyçe të historisë, për trashëgiminë kulturore të paçmuar krijuar në shekuj nga klerikët dhe nga joklerikët, për pikturën murale, ikonografinë, skulpturën, arkitekturën, rolin e tyre në zhvillimin e mëtejshëm kulturor e shpirtëror të vendit.

Po ashtu, mendoj se një program i tillë, që duhet të jetë i integruar për të gjithë bashkësitë fetare, duhet të integrohet me programin e sociologjisë, filozofisë, me atë të gjeografisë sociale, historisë etj., dhe këtë program mendoj se nuk duhet ta zhvillojnë klerikë, por kuadro shumë të specializuar në fushën e sociologjisë dhe filozofisë. Ky lloj integrimi nuk sjell diferencime midis fëmijëve, kur dihet që në Shqipëri shumë familje dhe gjithë shoqëria janë thellësisht të ndërthurura me pjesëtarë të bashkësive të ndryshme fetare.

Në mënyrë të specifikuar mendoj se kurrsesi nuk duhet të futet në shkollë rituali fetar, në shkollë nuk duhet të ketë simbole të ndryshme fetare dhe nuk duhet të hyjë e zyrtarizuar asnjë lloj literature jashtë asaj të programit, ndërsa jashtë shkollës individi është i lirë të veprojë si t’i duket më e arsyeshme. Programin dhe literaturën përkatëse nuk duhet t’i hartojnë vetëm klerikët, të çfarëdo kualifikimi qofshin, në grupin e punës duhet të ketë sociologë, historianë, sociogjeografë, biologë etj.

Mendimin do ta shtyja edhe më tej, në formë rekomandimi, se edhe në shkollat e mirëfillta teologjike klerikët në radhë të parë duhet të përgatiten si qytetarë të mirë dhe pastaj si klerikë të zotë, po ashtu edhe programet e tyre duhet të jenë bashkëkohore lidhur me zhvillimin e mendimit shkencor të sotëm, kjo do bënte që kisha apo xhamia të kishte gjithnjë e më shumë aktivistë, sidomos të rinj.

Nga ana tjetër, shteti, mbështetur në kornizën ligjore dhe aktmarrëveshjet me bashkësitë fetare, duhet t’u kushtojë më shumë kujdes programeve të mësimit në shkollat fetare, veçanërisht ritualit që kryejnë gjithë seminaristët gjatë procesit mësimor apo jashtë tij, po ashtu vëmendje duhet t’i kushtojë legjitimitetit të institucioneve fetare që ushtrojnë veprimtarinë në vendin tonë.

Në fund, desha të shtoj se nuk duhet menduar se me futjen e edukimit fetar në shkollë u gjet dhe “rruga e shpëtimit”! Rruga e shpëtimit gjendet kur qytetarët të jetojnë mirë, të jenë të sigurt, të rinjtë të gjejnë një treg pune normal dhe real ku të konkurrojnë që të punësohen, kur ligji të vërë në vend drejtësinë, kur bashkësitë fetare të respektohen dhe t’u njihen të drejtat sipas ligjeve në fuqi, kur politika të mos lëshojë “fishekzjarrë” vetëm për të marrë votat.

*Demograf-sociogjeograf

"Panorama"

Comments

Submitted by M.Z.Gojani (not verified) on

JO EDUKIM FETAR, por njohuri mbi historine e krijimit dhe zhvillimit te feve e trasformimin e tyre ne vite.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.