Po quhen Rilindës ata që dëmtojnë interesat kombëtare
Deputeti Ben Blushi ka qenë sot në Lezhë ku ka promovuar librin e tij “Kandidati”. Nisur nga diskutimet që ka provokuar libri dhe asocimet me persona të caktuar, Blushi ka bërë disa sqarime që hedhin dritë, por edhe që vijnë si komente për situatën politike. “Dua të them se ky libër është për Shqipërinë e ditëve tona. Në 50 vjet u mësuam që mjafton të ishe komunist apo të ishe me regjimin ishe shumë i mirë pavarësisht çfarë kishe bërë, çfarë bëje, sa mediokër mund të ishe, pavarësisht çfarë vlerash morale mund të kishe, vlerësoheshe. U kthyem mbrapsht. Mjafton të kesh qenë antikomunist, apo në dukje dhe ishe hero. Në një qytet të Shqipërisë që e përshkruan në libër ky njeri vlerësohet si nder i qytetit, ç’ka është e pamundur. Kjo tregon sesa poshtë ka rënë morali jonë këto 25 vjet, ç’ka nuk ndodh askund”- tha Blushi. Më tej deputeti –shkrimtar ka folur edhe për përmbysjen e vlerave në Shqipëri, një vend ku vepron një moral i paprecedentë në krijimin e modeleve aktualë, por edhe ata historikë. “Në Shqipëri sa më shumë i dëmton interesat kombëtare, aq më lart ngrihesh në piedestal. Kjo është e vërtetë në sensin historik por dhe në ditët tona. Shumë njerëz që po e dëmtojnë Shqipërinë nderohen, vlerësohen, quhen rilindës, patriotë, njerëz të vlefshëm. Shpresoj që letërsia -pasi politika e ka të pamundur – e cila ka lindur të purifikojë mendimin njerëzor, ti japin pak mundësi brezave të rinj të kuptojnë çfarë vlen e çfarë jo, si dhe t’i ndihmojnë të kenë një set parimesh të cilat nuk ndryshojnë pavarësisht nga regjimet që kemi. Parimet deformohen nga regjimet, por parimet në fund të fundit mbeten dhe historia njerëzore ka treguar se parimet mbeten ndërsa qeveritë ndryshojnë”, tha Blushi.
Add new comment