Disa mësime nga zgjedhjet e fundit në universitete
Mësimi 1: Reforma Vdiq!
Zgjedhjet në universitete ishin një shans i mirë për ta lehtësuar reformën duke i hequr asaj një nga pengesat, drejtuesit e tetë viteve të fundit, veçanërisht ata në Universitetin e Tiranës. Ky moment, bashkë me “të drejtën” e qeverisë për të përcaktuar rregullat e lojës zgjedhore, kishte rëndësi për tri arsye:
Së pari, sepse ky moment ishte një rast i mirë për qeverinë socialiste të eleminonte drejtuesit çifligarë të universiteteve, kundërshtarë të reformës dhe pro gjendjes aktuale dhe të vazhdonte reformën jo me shkatërruesit e universiteteve dhe arsimit të lartë, por me njerëz të rinj.
Së dyti, sepse ky moment ishte një rast mirë për qeverinë socialiste për të “justifikuar” ndërhyrjen dhe veprimet kundër drejtuesve që kanë drejtuar universitetet në tetë vitet e fundit dhe kanë kontribuuar në degradimin e tyre. Nëse më parë kryeministri Rama dhe ministrja e Arsimit Nikolla nuk vepronin dot kundër tyre për shkak të gjoja “autonomisë” së universiteteve, dhe në një farë mënyre e kishin justifikuar fillimin e reformës socialiste duke “bashkëjetuar” dhe e kryer atë me drejtuesit që gjetën në universitete, ardhja e zgjedhjeve të reja dhe angazhimi i Minsitrisë së Arsimit në caktimin e zgjedhjeve dhe rregullave të tyre, ishte një moment i mirë për vetë Ramën dhe Nikollës, që të “hiqnin qafe” drejtuesit shkatërrues të universiteteve dhe kundërshtarë të reformës dhe ndryshimit.
Dhe së treti, sepse ky moment ishte një rast i mirë për Ramën dhe Nikollën për të “dëshmuar” vullnetin politik dhe angazhimin e tyre, jo vetëm për të vazhduar reformën e nisur, por edhe për eliminuar çdo pengesë kundër hapave të saj, aq më tepër kur eleminimi i pengesave të tilla si ajo e eleminimit të drejtuesve shkatërrues të universiteteve favorizohet dhe mundësohet përmes veprimeve ligjërisht korrekte.
Zgjedhjet në universitete pra, ishin një rast i mirë “Ponc-Pilatian” për Ramën dhe Nikollën për larë duart përpara shqiptarëve për çdo gjë të parealizuar ose lënë përgjysmë nga reforma e tyre; për t’ia faturuar mosavancimin e reformës, jo mungesës së vullnetit të tyre politik, por rolit kundërvënës të drejtuesve të universiteteve; dhe për të dëshmuar vullnet dhe mos-hezitim për të ndërmarrë veprime për të eliminuar çfarëdolloj pengese, sidomos kur kjo mundësohet edhe nga kuadri ligjor.
Mënyra se si Rama dhe Nikolla “menaxhuan” këtë moment, shpie në konkluzionin se vazhdimi dhe thellimi i reformës në arsimin e lartë vdiq!!!
Në disa analiza të mëparshme, “ngrirjen” apo lënien përgjysmë të reformës në arsimin e lartë e kam shpjeguar me menaxhimin nga ana e Ramës të kostove politike që gjenerojnë reformat e marra në shumë fusha njëherësh. Përballë vëmendjes, presionit të madh dhe kostos politike në rritje për avancimin dhe kryerjen e reformës në drejtësi, Rama ka treguar gatishmërinë për të sakrifikuar ose lënë mënjanë reformën në arsim, vetëm e vetëm që të mbajë nën kontroll koston politike të avancimit të reformave në disa fusha njëherësh. Pas zgjedhjeve në universitete të Prillit 2016, mund të thuhet sidoqoftë që reforma në arsimin e lartë dhe universitete vdiq jo për shkak të kostove dhe energjive që kërkojnë dhe marrin reformat në fushat e tjera, por sepse vetë Rama-Nikolla e vdiqën, ose kishin planifikuar ta linin gjytyrym reformën e trumbetuar prej tyre.
Reforma vdiq sepse në vend që Rama-Nikolla t’u hiqnin të drejtën drejtuesve shkatërrues të universiteteve për të marrë përsëri çfarëdolloj posti drejtues në strukturat e universitetit, Rama-Nikolla hartuan një rregullore që iu lejonte po atyre drejtuesve, që Rama-Nikolla iu kishin atribuar shkatërrimin e universiteteve dhe arsimit të lartë, të “konkurronin” përsëri dhe të mbanin përsëri poste drejtuese:
Rektorëve iu lejua të kandidonin për Dekanë; Dekanëve që nuk konkuronin dot për Rektor iu lejua të kandidonin për Shefa Departamentesh!
Nëse sheh listën e personave që zgjedhjet kanë nxjerrë për drejtues, 85% e drejtuesve “të rinj” përfaqësojnë persona të cilët ose janë thjesht riciklimi më i fundit, ose kanë qenë dikur në poste të ndryshme drejtuese! Ky riciklim dhe rokadat që u lejuan në strukturat drejtuese të universiteteve, në mënyrë logjike të shtyn të pyesësh: Në ç’mënyrë, ai Rektor apo ata Dekanë, të cilët me mendësinë, politikat dhe praktikat e tyre, gjatë të paktën tetë vitive të fundit kanë qenë përgjegjës për degradimin e universiteteve shqiptare, do të kontribuojnë në ndryshimin e cilësisë së universiteteve në ato nivele drejtuese ku janë ricikluar??? Në ç’mënyrë ish-çifligarët dhe shkatërruesit e universiteteve dhe arsimit të lartë shqiptar do të kontribuuojnë në ndryshimet në nivel Universiteti, Fakulteti apo Departamenti? Do sjellin avancimin e reformës dhe ndryshimeve në arsimin e lartë?
Për këdo që nuk ka iluzione se shkatërruesit e ricikluar mund të ndryshojnë për mirë universitetet tona, logjika i thotë se nuk mund të ketë reformim të universiteteve dhe arsimit tonë të lartë me të njëjtët njerëz që kanë kontribuar për degradimin e tyre; se vetë reforma socialiste në arsimin e lartë, nëse ka ekzistuar ndonjëherë në të vërtetë, vdiq përfundimisht në 21 Prill 2016, ditën e zgjedhjeve në universitete!
Vëzhguesi*
*Autori është një njohës i mirë i çështjeve dhe problematikave të Arsimit të Lartë. Për arsye të vetat, ai kërkoi që shkrimi të publikohet nën autorësinë “Vëzhguesi”
Comments
ha debat
Reforma behet me njerez me mendesi te reja. Ata qe u zgjodhen ne te gjitha universitetet publike ne mbare vendin jane thjesht shishe plastike te ricikluara. Rrofte reforma ne arsimin e larte, qe nuk ka per t'u bere asnjehere. Mjere te rinjte shqiptare per diplomat qe do te marrin e do t'i fusin ne sirtare se askush ne bote nuk ua njeh.
Po pse o "vezhgues" paske
Po pse o "vezhgues" paske patur shprese ti se Kulja me shoke do leshonin postet e tyre? Ti qenke naiv fare, more gjoja njohes "i mire" i universiteteve. Paske qene tuhaf ti qe paske patur shpresa te rilindja e rames dhe e universiteteve. Neve na pelqen te vjedhim dhe te na vjedhin; te genjejme dhe te na genjejne; te pelqejme mos te mesojme, te marrim diploma kot, pa vlere, dhe te na japin kartona pa vlere!!!
O shoku, zgjohu dhe mos fol brockulla. Ke thene disa mesime dhe ne titull ke vene vetem "mesimi 1"; do pres te shoh se cilat jane mesimet e tjera qe paske nxjerre ti dhe qe do na i tregoge neve. Por po te them qe tani qe mos u lodh te qullosesh gje se te gjtihe mesimet qe do ta na thuash i dime edhe pa na i thene ti. Hajde tung.
Add new comment