“Tjetërsimi i pronave në Bregdet, në caqet e një “genocidi pronësor". Vëmendje ndërkombëtare për komunitetin historik të Himarës"
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka dalë sot me një deklaratë për shtyp përmes së cilës ka apeluar për vëmendje ndërkombëtare ndaj asaj që e quan “trajtim të komunitetit historik të Himarës”. Në deklaratë nënvizohet ndërhyrja që po ndodh në zonën e Bregdetit ndaj pronës, nën emrin e kthimit të saj dhe të kualifikimit si monument kulture, duke mos u ndalur as edhe para pronave të Kishës. “Këto ditë të javës së Madhe dhe të Shenjte të Pashkës Orthodhokse, por njëherësh edhe të pragçeljes së sezonit turistik, Dhermiu dhe Vunoi në veçanti dhe gjithë Bashkia e Himarës në përgjithësi janë venë "nën pushtimin" e buldozerëve, skrapeve dhe forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Diku me evokim selektiv të ligjit dhe diku të "maliqit", vjelin haraçe, prishin objekte, tjetërsojnë prona. Kërcënojnë çdo familje individualisht dhe kultivojnë panik kolektiv.
Frymëzimet Kokedhima-Rama të mishëruara në "projekte zhvillimi" për bregun e Jonit synojnë tjetërsimin tërësor të statusit pronësor në dem të pronarëve të ligjshëm privatë, komunitarë dhe kishtarë. Thirrja jonë i drejtohet së pari zotit Rama që të ndërpresë menjëherë këtë ndërmarrje që prek caqet e një "genocidi pronësor" dhe së dyti komunitetit ndërkombëtar që të kthejë vështrimin dhe të shikojë se si trajtohet komuniteti historik i Himarës nga qeveria e një vendi kandidat të BE”, thuhet në deklaratë.
Add new comment