Logokracia popullore e 97%-it*
Mbi këtë fletë votimi, mbi këtë pyetje, ata që zyrtarisht sot shpallen si anëtarë të Partisë Socialiste, kanë votuar masivisht. 97% pro mandatit 7 vjeçar të Edi Ramës.
3% kundër? Aspak. Me këta shokët e kryesisë do të nisin punën për të sqaruar paqartësitë e përhapura nga komentatorët që kërkojnë standarde. Konfirmimi për këtë vjen nga fituesi, kryetari Edi Rama: "As unë e as shumica dërrmuese e shokëve e shoqeve të trupës drejtuese të PS, nuk kemi dyshuar asnjë çast se anëtarët e familjes sonë politike që, bashkë me qindramijëra qytetarë të tjerë, na dhanë besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm, për të drejtuar qeverinë e Shqipërisë pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit, e kanë mirëkuptuar e mbështetur plotësisht mosmbajtjen e zgjedhjeve për kryetar partie pas marrjes së detyrës së kryeministrit nga ana ime”.
***
Një rrëfenjë që plotëson emocionin tonë të përgjithshëm post-victory:
“Janë dy veta që hahen me fjalë, edhe njëri syresh ka pesëdhjetë përqind të drejtë, shumë mirë, pra s’ka pse të rrihen me sho-shoqin.
Po sikur njëri syresh të ketë gjashtëdhjetë përqind të drejtë? Shumë bukur, atëherë, gëzim i madh, dhe duhet të falënderojë Zotin për këtë!
Po ç’duhet të themi për gjashtëdhjetëepesë përqind?
Njerëzit e mençëm thonë se kjo është shumë e dyshimtë.
Mirë atëherë, po njëqind për qind? Kush thotë se ka një qind për qind të drejtë, është një kafshë e ndyrë, një bandit i frikshëm, është maskarai i maskarenjve.
Një çifut plak nga Karpatet
S.Vinçens: “Lart në bjeshkë”
*Cituar nga hyrja e librit “Mendja e robëruar” me autor Çesllav Millosh.
Botimi shqip i vitit 1998 i serisë “Libra për një shoqëri të hapur” të Fondacionit “Soros”
Add new comment