Zhgënjimi i radhës përtej "dashakeqësisë" së mediave
Pak ditë më parë ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, ia faturoi medias interpretimet keqdashëse për ekonominë shqiptare, duke deklaruar se ana tjetër e medaljes që mediat nuk duan ta shohin është rritja e investimeve të huaja në ekonomi dhe përmirësimi i klimës së biznesit. Sot Shoqata e Investitorëve të Huaj publikoi indeksin e klimës së biznesit, i cili ka vijuar rënien në të katërt 3- mujorët e 2015-s. Në fokus të anketës ka qenë biznesi i sektorit të energjisë, mineraleve dhe hidrokarbureve, që vlerësoi si “probleme të mëdha” në klimën e ekonomisë sistemin gjyqësor, ndryshimin e taksave dhe informalitetin. Një element tjetër i marrë në studim ishte edhe monitorimi i klimës së biznesit në vend nëpërmjet impaktit të ligjeve ekonomike të miratuara nga Parlamenti me ndikim në kushtet e të bërit biznes gjatë vitit 2015. Disa nga ligjet e kaluara gjatë periudhës në studim, të cilat janë perceptuar me impakt negativ nga biznesi, ishin paketa fiskale e 2015-s, ligji për taksën mbi vlerën e shtuar, ligji mbi të ardhurat dhe ligji i gjobave. Më tej, në raport thuhet se faktorë të tjerë, siç janë legjislacioni i punës, rregulloret që lidhen me licencat dhe certifikimet, infrastruktura dhe aksesi në financë janë perceptuar si pozitive nga ky grup kompanish. Po ashtu, nga biznesi janë parë me pritshmëri pozitive ligji i koncesioneve apo dhe ligji i turizmit. Ky raport vjen pas anketës zhgënjyese të Dhomës Gjermane të Tregëtisë ku Shqipëria renditej e fundit nga vendet e rajonit për interesin e investitorëve gjermanë.
Add new comment