Kaos vlerësimesh për ekonominë, ministri i Financave: “Kemi lënë pas krizën”
Ekonomia është mirë dhe Shqipëria e ka lënë pas krizën. Kështu mendon të paktën ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili gjatë një takimi për zhvillimin ekonomik, zhvilluar me deputetë të Kuvendit në Komisionin e Ekonomisë, u shpreh optimist. “Shqipëria ka kapërcyer kërcënimet ekonomike dhe shkaku kryesor i rritjes janë reformat e ndërmarra nga qeveria aktuale si dhe investimet e huaja dhe vendase. Transparenca e shifrave është me shumë rëndësi. Rritja e ekonomike e 2015-ës rezultoi me 2.62%, kur e gjetëm 1.1% në vitin 2013. Ka qenë shumë e vështirë. Kemi një bashkëpunim në favor të qytetarëve. Kemi shlyer borxhet e fshehta ndaj sipërmarrjeve, në një kohë që qeveria e kaluar as që i kishte regjistruar këto boxhe. Qeveria ka shlyer 700 milionë euro borxhe të trshëguara. Këtë vit presim rritje ekonomike me 3.4%, gjithnjë falë vijimit të reformave”, tha Ahmetaj. Ky konstatim bie disi ndesh me shqetësimet e ngrituara së fundmi, qoftë nga Banka e Shqipërisë, qoftë nga shoqata të investitorëve. Kaosi statistikor arriti kulmin me përballjen mes ministrit të Bujqësisë dhe INSTAT, kur ministri kërkonte korrektim të të dhënave. Nisur nga sa po publikohet thuajse përditë, është e vështirë të thuhet se nga po ja mban Shqipëria në planin ekonomik, duke e lënë të vërtetën të lexueshme vetëm në xhepat e gjithësecilit.
Add new comment