Ish-shefi i SHIK-ut në Pogradec e Kavajë: Gazidede më dha snajperë për të eleminuar Meksin
Ish-shefi i SHIK-ut në Pogradec e Kavajë në gjysmën e parë të viteve ’90 Adrea Dimushi rrëfen për gazetën “Dita” se ka ekzistuar një plan i dytë për eliminimin fizik të ish-kryeministrit Aleksandër Meksi në vitin 1994.“Unë di që eleminimi i Meksit ishte prioritet në ato vite. Di të them se Bashkim Gazidede e urrente verbërisht Meksin dhe nuk e fshihte"-thotë ai. Sipas tij plani ishte përhatitur në zyrën e Bashkim Gazidedes. Ai kujton ngjarjen kur u thirr në zyrë nga Gazidede në ’94 dhe iu dha një pako në të cilën ishin dy snajperë.
“Fol me kujdes nëse mund të godasim Meksin”-tha Xhahiti. “nëse pranojmë u japim itinerarin ditë më parë që të kenë kohë të përgatiten. Me këto armë merru ti t’u mësosh përdorimin, S’po kuptoja cfarë donin, të lëndohej apo të vritej? Më thoni shqip cafrë duhet të bëjnë, e pyeta. Ta heqin qafe si si duhet askujt “mustaqja”! ishte përgjigja.
Më poshtë intervista e plotë për Gazetën Dita
Ish- shefi i SHIK-ut në Pogradec e Kavajë në gjysmën e parë të viteve ’90 rikthehet me këtë rrëfim në ‘DITA’ pasi ka lexuar debatin që u bë para pak kohësh lidhur me dyshimet mbi një atentat të dështuar ndaj ish-Kryeministrit Aleksandër Meksi në aeroportin e Rinasit në vitin 1992.
Dimushi thotë se ka ekzistuar një plan i dytë për eliminimin fizik të Meksit në vitin 1994.
– Zoti Dimushi, kohët e fundit pati replika mbi dyshimet për tentativën e eliminimit të ish-Kryeministrit Aleksandër Meksi në vitin 1992. A i kini ndjekur?
– Natyrisht që e kam ndjekur dhe nuk iu heq asnjë presje atyre që thonë se ka ekzistuar një plan i tillë. Ata që e pohojnë këtë plan e dinë shumë mirë dhe nga faktet që sillen janë mjaft të besueshëm.
– Pse jeni kaq i bindur?
Andrea Dimushi
Nëse Berisha refuzoi të rrëzonte Aleksandër Meksin në pragun e katastrofës që do ndodhte në vitin ’97, kjo nuk do të thotë se ai e donte vërtet Meksin si kryeministër dhe si njeri, pasi tek Meksi tashmë i dobët si kryeministër dhe me krizën te dera, ai realizonte plotësisht kontrollin mbi qeverinë (një e drejtë që ishte imponuar nga ligjet e bëra vetë atë kohë, ku merrte e drejtonte edhe mbledhjet e qeverisë), ndërsa tek Meksi si njeri ai nuk kishte asgjë të ngjashme e ishin si dita me natën larg. Dua të nënvizoj se në atë kohë ishte e lehtë të realizohej një eliminim fizik flagrant. Madje më lehtë se sa një plan i llojit që ju kini botuar.
– Le të flasim më konkretisht, Andrea…
– Ke të drejtë. Pa dashur as të lavdëroj apo fyej z.Meksi, përshtypja ime për të ka qenë dhe mbetet se ai ishte një kryeministër si njeri “babaxhan”, por si qeveritar i penguar tërësisht në punët e drejtimit të qeverisë, e cila për fat të keq drejtohej realisht nga Presidenca e asaj kohe, domethënë nga Berisha. Dua të veçoj se Meksi është burrë shumë i zgjuar, po jo trim përballë një përbindëshi si Sali Berisha. Saliu në “dispozitat kushtetuese” mori të drejtën që të drejtonte edhe mbledhjet e qeverisë. Arsyeja e vetme ishte mosbesimi ndaj Meksit.
-Po ky mosbesim duhet të shkonte deri atë që ju thoni, eliminimin? Mos po e teproni?
– Aspak. Ekziston fakti (dhe Meksi e di mirë), që në fillim të revoltave të 97-s që kërkonin largimin e tij, ai donte të dorëhiqej si Kryeministër, por rrëzimi i qeverisë në ato momente dramatike do të sillte humbjen e sigurt të pushtetit nga PD dhe këtë Berisha nuk do ta lejonte, gjer sa e bëri shkrumb gjithë Shqipërinë dhe e çoi vendin në prag të luftës civile.
Dobësia e socialistëve në marsin e ’97-s, (e kam fjalën për marrëveshjen e turpshme të 9 marsit), solli për pasojë fikjen e motorëve të helikopterit që do degdiste Berishën përfundimisht nga Shqipëria, duke i dhënë një mundësi të artë të mbijetojë në politikë sot e kësaj dite, duke u bërë njeriu që i ka sjellë këtij populli aq fatkeqësi sa armiqtë tradicionalë të këtij vendi nuk kanë mundur.
– E kishim fjalën te Meksi. Pse mendoni se ai ishte në shënjestër për t’u eliminuar? Në fund të fundit Meksi nuk ia rrezikonte pushtetin Berishës….
– Nuk e di arsyen thelbësore. Di të them se Bashkimi (Gazidede) e urrente verbërisht Meksin dhe nuk e fshihte. Armiqësia e Meksit me Saliun ka lindur që në zgjedhjet e para në PD ku Meksi fitoi fillimisht garën. Për rrjedhojë, nëse Bashkimi kishte alergji për Meksin kjo nuk mund të ishte personale, përveç se shfaqje e ndjesisë se kështu ndjente Saliu për Meksin.
Pa u zgjatur më tej po tregoj një episod në të cilin përveç meje, kanë marrë pjesë dhe dy të tjerë të cilët janë gjallë akoma. Si parantezë dua të pohoj faktin se Meksi ishte gjithë kohën i survejuar – zyra e tij përgjohej non stop dhe ai i ruhej si djalli temjanit, që mos i rrëshqiste goja brenda zyrës në biseda të “pakëndshme”apo që nuk ishin edhe mendim i Berishës.
– Pra Kryeministri përgjohej?
– Po, non stop. Që i përgjohej zyra, besoj shumë që Meksi e ka ditur. Por miq e të afërt jo rrallë e kanë këshilluar gjithashtu të jetë i kujdesshëm për kokën. Le të ma mohojë ish-kryeministri se nuk ka patur këshillat miqësore të mikut të tij A.M që ishte në rrezik jete… Nuk më kujtohet data por ajo ditë për të cilën dua të tregoj më poshtë koincidon me përurimin e xhamisë së Kavajës, në ceremoninë e së cilës mori pjesë Sali Berisha.
Bashkim Gazidede
– Kur ka ndodhur kjo?
– Në pranverë të vitit ‘94, data nuk më kujtohet.
– Dhe çfarë ndodhi realisht?
– Meqë vinte presidenti, unë si në të tilla raste duhet të isha në Kavajë, por në tribunën e ceremonisë mbrapa presidentit në vendin tim ishte nënkryetari i degës Besnik… ndërsa unë isha njoftuar të isha në Tiranë në takim me ‘shefin’ (Bashkim Gazideden), në zyrën e tij! Ishte një kohë kur marrëdhëniet e mia me Gazideden ishin nga më të mirat që ai kishte me kryetarët e degëve në rrethe.
Emërimi im në Kavajë (mbas largimit për marrje ryshfeti të paraardhësit A.Lilamani – i filmuar në mënyrë sekrete nga ekipi i drejtuar nga B.R), ishte në fakt besim i Bashkimit ndaj meje, në zonën elektorale të Sali Berishës. E tregova këtë për të thënë se gjer atë moment ka patur një besim e mirëkuptim reciprok mjaft besimplotë midis nesh.
– Pra ju shkuat te Gazidedja?
– Ishte kohë dreke e në paradhomë, Mirela (sekretarja personale) pasi e njoftoi për praninë time aty, me përzemërsi më lejoi të futem në zyrën e Bashkimit. Pasi u përshëndetëm, i dhashë dorën edhe A.Sh, të cilin e njihja për fytyrë por jo personalisht. Prezenca e A.Sh aty ishte një surprizë për mua, mbasi mendoja se Bashkimi nuk kishte ndonjë raport të veçantë me të.
– Dhe si shkoi ai takim?
– “Çfarë përshtypje ke për Kazazët?”. Më erdhi befas një pyetje nga Bashkimi. “Di që Islami (Lomi-Lom “mashtruesi”, si e thërrisnin me shaka) është pishtar i demokracisë”, iu përgjigja. “Po Eqeremin e njeh?” ishte vazhdimi i Bashkimit. “Po e njoh, i thashë, është djalë i ri, ndonëse me sa jam në dijeni ka patur dhe probleme me ligjin”. “Besoj shumë se janë djem besnikë”, tha Bashkimi. “Po”, i thashë dhe as që e vija në dyshim besnikërinë e tyre ndaj PD-së. Për atëherë e kam fjalën, se sot PD i ka shpallur armiq.
Pas kësaj Bashkimi tentoi disa herë të lidhej me dikë në telefon, por nuk po i përgjigjej njeri. Më në fund linja u hap e Bashkimi i foli: “Po ku je mor Xhahit? Sille poshtë atë pakon”.
Për pak minuta dera u hap e hyri Xhahiti me një pako të gjatë në dorë që mezi e vuri mbi tavolinën e gjatë të punës së Bashkimit.
– E, ç’kishte brenda asaj pakoje?
– Ishin dy pushkë snaiper. Njëra tip normal nga ato të përdorura me shumë sukses në Luftën e Dytë Botërore – tjetra snaiper “Simonov” perla e ushtrisë ruse. Për çdonjërën të kapur vietnamezëve, amerikanët jepnin mijëra dollarë gjatë luftës së Vietnamit. Nuk kisha prekur me dorë armë të tilla, ndonëse dija për ekzistencën dhe precizionin e lartë në distancë gjatë qitjes me këto armë.
I fola për dy modelet për aq sa njohuri kisha. (Të tilla shoh tani shpesh në fotot që publikojnë xhihadistët). Snajperi Simonov në duart e duhura ndan monedhën në 1000 m largësi. Mbasi mbaruam me armët, u ulëm e po bënim biseda të përgjithshme. Por mendimi më rrinte tek armët… Ç’lidhje kisha unë me to? Isha i sigurt se diçka do më kërkohej.
Qeveria Meksi
– A t’u kërkua realisht ndonjë gjë?
– Po. Papritur biseda ndërroi temë dhe u ndal tek Meksi. S’më kujtohet se si u hap kjo bisedë, por pashë një shpërthim urrejtjeje në ato çfarë fliste Bashkimi e sidomos më bënte përshtypje ndërhyrja e Xhahitit, i cili villte vrer. Për aq kohë sa e njoha Bashkimin, por dhe sot e kësaj dite, nuk e kam kuptuar pse ai kish njëfarë përulësie të dukshme ndaj Xhahit Xhaferrit, ish të burgosurit “politik” i cili u përmbys njëherë me makinë tek ura në hyrje të Librazhdit bashkë me thasët me marka e dollarë të marra në Kapshticë…
Ky njeri i moshuar dhe gjysmë idiot u bë komandant garde i Republikës, duke e kthyer atë njësi në një kazermë të vërtetë nën urdhrat e Berishës. Në ’97-ën të gjithë dinë veprimet e gardistëve të Xhahidit në Spitalin Ushtarak e plot bëma të tjera. Por, a e di se kush e propozoi Bashkimin për kryetar SHIK-u e Bujar Ramën, nënkryetar? Bashkimi u vendos në atë detyrë nga Safet Zhulali, ndërsa Bujar Rama nga Baki Shehi…
– Kthehemi te biseda për Meksin në zyrën e Gazidedes…
– Drejt. “Beson tek Kazazët?” më pyeti befas sërish Bashkimi. “A janë të devotshëm për punë të vështira nëse ua kërkojmë?” Pa hezituar e pohova. Nuk di pse pikërisht më pyeste vetëm për dy vëllezërit e sidomos për Eqeremin. Me sa kujtoj, atë kohë Eqeremi ishte dhe në ”kërkim policor”, për një akuzë që s’ja vlen të flasim. Në vazhdim të bisedës, pasi u tor gjatë biseda për Meksin si i “padenjë dhe i paaftë”, vazhdoi duke thënë se është bërë halë në sy për PD-në e “atë lart”.
Pastaj, duke u kthyer nga unë, Bashkimi më thotë: “Nuk të kemi thirrur vetëm për të na folur për armët, pasi mund të thërrisnim edhe ndonjë tjetër, por duam një punë nga ty. Apo jo Xhahit?”, iu drejtua Xhaferrit. Nuk mendoja dot që ajo kokë e zbardhur e këtij njeriu të kish aq ligësi brenda. “Nëse mundesh, fol njëherë me ata dy djemtë e tu…”, shtoi ai duke u kthyer nga unë. (Islam Kazazi ishte punonjës i SHIK-ut me detyrën e vëzhguesit-nënoficer….kuptohet vëzhguesit janë “anonimë”).
– Pra, bëhej fjalë për eliminimin e Meksit?
Pikërisht. “Fol me kujdes nëse mund të godasin Meksin”, tha Xhahiti. Tek policia e ushtarakët nuk kishin pikë besimi, pasi mund të shfrynte problemi. “Nëse pranojnë, ne u japim itinerarin ditë më parë që të kenë kohë të përgatiten. Me këto armë merru ti t’ua mësosh përdorimin nëse do pranojnë. “Pyeti çfarë kërkojnë në këmbim”, ndërhyri “njeriu me shenjë” që gjer atë çast veç dëgjonte. S’po kuptoja akoma se çfarë donin të arrihej në finale… Të lëndohej apo të vritej?! Po më rrotullohej zyra…
– Dhe çfarë e u vendos?
– “Ma thoni shqip çfarë duhet të bëjnë?”, pyeta. Ta heqin qafe se si duhet askujt “mustaqja”!, ishte përgjigjja…
Add new comment