Vetëm hetimet nuk kanë vlerë – ministrja e Mbrojtjes: Dekoratë pas statusit “Dëshmor i Atdheut” për pilotët

Postuar në 12 Prill, 2016 12:51

Mimi Kodheli, për ca kohë gëzonte një imazh të mirë mes ministrave të një qeverie që përflitet për çdo gjë dhe që gjithënjihet nga të gjithë si e paaftë. Fakti që drejton një ministri që për shkak të profilit qëndron larg debatit të ditës, i ka lejuar ministres që të fitojë pikë imazhi përmes heshtjes. Fati i keq e solli që një ngjarje të Grizë të Shkodrës të zbulojë shumëçka për zonjën Kodheli, ministre e Mbrojtjes.

Sot dikasteri që ajo drejton ka njoftuar se ministrja, që ka dy ditë që po garanton se “hetimit të aksidentit të helikopterit”, do t’i shkohet deri në fund, ka propozuar dekorimin e pilotëve. “Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli i ka propozuar presidentit të Republikës, dhënien e “Dekoratës së artë të Shqiponjës” (pas vdekjes), për kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha me motivacionin: “Për veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë paqeje”. Dhe pak më tej shakaja e një Ministrie që quhet e Mbrojtjes: “Propozimi i ministres Kodheli vjen pas vendimit të marrë nga Komisioni Qendror i Statusit ”Dëshmorët e Atdheut” nr. 705, datë 06.04.2016 për t’i shpallur “Dëshmor i Atdheut”. “Në propozimin dërguar presidentit të Republikës thuhet se kapiten Floran Jahja Delia dhe toger Donald Vesel Hoxha, kanë qenë ushtarakë të devotshëm, pilotë të talentuar dhe gjithmonë të gatshëm të sakrifikojnë për të tjerët”, vijon njoftimi.

Të shikojmë pak me kujdes këtë iniciativë të re të zonjës Kodheli që duke u përpjekur po ja del të bëhet më në fund “lajmi”:

Ngjarja u përshkrua si Aksident, nga vetë Ministria e Mbrojtjes. Çfarë është aksidenti? Aksidenti është një ngjarje e paparashikuar, rastësore, si pasojë e shkaqeve të panjohura, e që mund të ishte shmangur nëse këto shkaqe do të ishin njohur më parë. Që këtej ministrja propozon një dekoratë e cila ka si motivacion “Për veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë paqeje”!!! Zonja ministre, kini mëshirë për logjikën më elementare kur formuloni fjalitë! Është lutje për ministren jo për Kodhelin. Nëse dekorata lidhet me aktivitetin e pilotëve në tërësi, atëherë mund të thuhet se ministrja gjeti rastin e ndarjes së tyre nga jeta për të dalë me një vleresim. 

 Së dyti, në njoftimin e Ministrisë vihet në dukje posaçërisht fakti se “Propozimi i ministres Kodheli vjen pas vendimit të marrë nga Komisioni Qendror i Statusit ”Dëshmorët e Atdheut” nr. 705, datë 06.04.2016 për t’i shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Çfarë do të thotë kjo? Kështu si na shërbehet, kjo ka kuptimin se propozimi i ministres pason një vendim kolegjial të një Komisioni shtetëror, i cili u mblodh ditën e aksidentit!  Të dyja bashkë, pra statusi “Dëshmor i Atdheut” dhe dekorata i japin dy pilotëve të ndjerë një status që me siguri e komplikon hetimin e mëtejshëm të aksidentit dhe me gjasë vulos sekretin e përfundimit të tyre. Një shkrim në media që ngrinte dyshime për mënyrën dhe legjitimitetin e shpalljes “dëshmorë” të dy pilotëve u bë, dhe gjithfarë insinuatash dhe leksionesh morale mbinë ngado.

Në këto kushte dhe në kushtet kur raportohet, por kjo nuk është e konfirmuar, se presidenti ka kërkuar informacion nga Prokurori i Përgjithshëm për ecurinë e hetimeve, propozimi i ministres është më së paku i pajustifikuar dhe i nxituar. Një ministre që vetëm dje garantonte hetimin deri në fund, sot propozon dekorimin duke garantuar aktet e guximit të dy pilotëve. Nga cilat premisa niset zonja ministre në këtë propozim dhe në këto garanci, të cilat do të mund të jepen vetëm nga hetimi? “Blindimi” me tituj dhe dekorata është një lloj imuniteti që synon të konservojë të vërtetat e papëlqyeshme, që mund, e theksojmë MUND, të rezultojnë nga hetimi. Prej dy ditësh mediat që kanë mundësi për të marrë informacione konfidenciale e kanë lënë të hapur këtë dyshim. Sidoqoftë, pa paragjykuar dhe duke pritur hetimin, është e ligjshme dhe krejtësisht objektive të vlerësohet se kjo që bën së fundmi ministrja e Mbrojtjes është krejt pa vend dhe në rastin më të keq, e dyshimtë.

Comments

Submitted by Helikopteri (not verified) on

Nuk mbulohet dielli me helikën e helikopterit!

Submitted by dekorata (not verified) on

Po ne qytetaret e thjeshte a mund ti propozojme Presidentit per te dekoruar ndonjerin ?
Une psh do te propozoja qe ministres ti jepej "Dekorata e Arte Torollakja e Atdheut". Ose me mire e Kombit, se nuk mendoj se edhe ne viset e tjera te banuara nga Shqipetare, apo ne diaspore, mund te kete ndonje qe tja kaloje per kete cilesi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.