Në vend të pianos së Tefta Tashkos, një garroq në Muze

Postuar në 12 Prill, 2016 14:10
Violeta Murati

Duket sikur është e njëjta kohë, ku historitë iluzive krijojnë një imazh sa grotesk, aq dhe dëshpërues. Është rasti i disa fotove të publikuara dje, ku shihet se disa punëtorë sikur po ngarkojnë në një kamionçinë të vogël “pianon” e sopranos së famshme shqiptare, Tefta Tashko Koço. Nuk kemi iluzionin e parë në filmin socrealist “Koncert në vitin ‘36”, ku sopranoja shihej baltërave të Myzeqesë me pianon e ngarkuar mbi qerre.

Nuk është ajo piano, por ajo që “ruhej” në Lice ishte piano e madhe koncertale, së cilës nuk i dihej origjina, ndonëse ka debate se mund të kishte ardhur nga Shkodra.

Ajo “piano” zyrtarisht dje, po dërgohej në Muzeun Historik Kombëtar, duke u propaganduar si një ngjarje e negociuar pak kohë më parë, në shenjën e relikes së trashëguar nga sopranoja.

Por kush ka vizituar Liceun artistik, së paku në këtë dhjetëvjeçar ka parë në korridore këtë “piano” mbushur me bishta cigaresh, pisllëqe, letra, glasa zogjsh…dhe shpesh, siç dëshmojnë, është përdorur edhe si shkallë. Pianoja e Tefta Tashko Koços sot është një send pa vlerë që i ka mbetur vetëm druri. A mund të quhet më relikte kjo “piano”? Si duket, dy institucionet më të rëndësishme në vend, Ministria e Arsimit, ajo e Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar kanë vendosur të thyejnë gjithë parametrat për një relikte, duke shpikur dhe këtë formë, kur kanë mbetur vetëm disa pjesë druri, dhe asgjë në brendi të saj.

Pse gjithë kjo propagandë për ta quajtur relikte ish-pianon e sopranos?! Për të birin, Eno Koço, kjo është një situatë e tmerrshme, e dhimbshme, ku shihet se si një model institucioni, shkolla e muzikës të degjenerojë deri në shkatërrim një instrument të përdorur nga një personalitet unik i muzikës shqiptare. Pra, ky institucion që duhej të ishte modeli i mbrojtjes së këtyre instrumenteve si raste të papërsëritshme, jep imazhin e një shkatërrimi të paskrupullt.

Ata që e dinë vlerën e pianos, duhej të reagonin e denonconin më parë, qoftë edhe familjarët. Por si duket, ndjeshmëria vjen më shumë kur u duhet drejtuesve të institucioneve si kredite për punën e tyre, për të bërë zhurmë dhe për të mos ballafaquar realitetin.

piano1I biri i sopranos, dirigjenti Eno Koço, i kontaktuar dje nga gazeta, e ka pasur të vështirë të fliste për këtë, duke u shprehur se nuk donte të merrte pjesë në këtë “dramë mediatike, një rast i shëmtuar, për t’u përdorur si lajm”. Në fakt dhe ai vetë, pas këtij informacioni është shprehur se e ka parë nga afër gjendjen e pianos disa vite më parë, duke u shprehur se: “pse arriti një shkollë muzike ta katandiste në këtë derexhe pianon. Është e dhimbshme dhe e neveritshme”!

Si kaloi pianoja në Lice duket se nuk ka lidhje aq me “konfiskimet” e mëdha të ndodhura me vendosjen e diktaturës. Është një situatë enigmatike e pashpjeguar. Megjithatë, pianoja është përdorur deri në fillimet e viteve ’90. Këtë kujtesë na e jep dirigjenti, i biri i sopranos. Ai thotë se deri më ’91, kur e ka parë për herë të fundit, pianoja ka qenë në gjendje dhe përdorej prej Liceut. Koço mban mend se ishte 10 vjeç kur pianoja kaloi në Lice, duke na dhënë vitin 1953. Pak kohë më parë, drejtori i Muzeut, Melsi Labi ka konfirmuar në media se janë bërë negociata me Ministrinë e Arsimit që ky instrument me vlera muzeale të zhvendoset në bazë të rregullave nga lista e inventarëve të Liceut Artistik dhe pritet një ceremoni me ketë rast.

Në fakt, sa dëshmohet, sopranoja Tefta Tashko Koço nuk e përdori asnjëherë në Liceun Artistik këtë piano, sepse ndërsa priste të niste mësimet, ajo u kthye e sëmurë rëndë nga Rusia, ku kishte shkuar për t’u kuruar. Lirikja shqiptare nuk e mundi dot kancerin, që i mori jetën.

Tefta Tashko Koço ka qenë pjesë e atij grupi të artistëve shqiptarë në fillim të shek. XX, që e pasuruan repertorin e muzikës popullore tradicionale dhe qytetare me teknikë të re.

Artistja i takonte muzikës së dhomës, duke treguar origjinën e këngës tradicionale gojore, dhe operës. Ende dhe sot janë të pranishme te publiku shqiptar këngët e repertorit të saj si “Kroi i fshatit tonë”, “Dola në dritare“, “Kur më vjen burri nga stani”, “Unë o ty moj të kam dasht, “Kenke nur i bukurisë” etj. Shumë prej tyre i përkisnin poezive të krijuara nga miku i saj më i mirë, poeti i madh Lasgush Poradeci. Tefta kishte në repertorin e saj rreth 90 këngë popullore nga të gjitha qytetet shqiptare. Ka qenë e vlerësuar nga kritika shqiptare dhe ndërkombëtare si një soprano lirike me një formacion perfekt: Tone të lehta dhe të gjalla, intonacion, teknikë të pastër dhe të kristaltë, vokal të përsosur dhe performancë të rafinuar.

Sigurisht, kur të bëhet ky prezantim publik, do shihen disa pjesë drurësh, të kthyer në garroqë pa asnjë element të pianos brenda, madje do tregohet se si përdorej si skelë në shkollën e muzikës, sepse relikte s’besojmë se ka më kontekst, përveç shëmtisë si kujtesë se si e trajtojmë historinë, personalitetet!

 

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.