Në Gjirokastër nuk bëjnë hilera. Njerëzit largohen nga puna “me letër me vrimë”

Postuar në 05 Prill, 2016 00:14

Reforma në Drejtësi qenka bërë në Gjirokastër përpara se të nisë në Tiranë. Sot emisioni “Fiks Fare” ka përcjellë atë që ndodh në spitalin e këtij qyteti, ku sanitaret hiqen nga puna, me “letër me vrimë”. “Quhem Ziliha Voco dhe kam telefonuar në emisionin “Fiks Fare” sepse më kanë shkurtuar nga puna. Para 4-5 ditëve, drejtori i spitalit na mblodhi të gjithave në një dhomë dhe mes 30-40 punëtoreve sanitare hodhi shorteun me letra me vrimë. Na tha troç, kujt i bie letra për t’u larguar, do të ikë, të tjerët do të qëndrojnë.  Nga frika asnjëri prej nesh nuk foli. Një ditë më parë ishin ndarë zarfet se kush duhej larguar për shkak të shkurtimit të vendit të punës, por dikush prej tyre duhej të qëndronte. Për të mos e vënë vet gishtin, ai zgjodhi këtë metodë. Zgjodhëm secila nga një letër dhe në atë timen shkruhej largohu! M’u drodh mishi, ia tregova atij, por nuk foli fare. Me këtë metodë u larguan rreth 10-13 vetë. Unë kam rreth 27 vite që punoj në spital dhe nuk më ka thënë njeri plaç me gojë. Burri ka mbi 10 vite që nuk punon, me përjashtim të ndonjë rasti kur ka gjetur përkohësisht, ndërsa në familje jam e vetmja që kisha një punë. Me këtë zarf që më dërgoi drejtori në pavion, pavarësisht halleve të mia me dy fëmijë e një burrë të papunë, por edhe me disa probleme të vogla kredie, ai nuk e vuri aspak dorën në zemër dhe më shkurtoi. M’i la fëmijët pa bukë, këtë gjë nuk e kemi dëgjuar kurrë në histori”, shprehet Ziliha Voco. Vazhdon kjo rrëfenjë e padëgjuar:  “Sa i përket shorteut, ajo shton: “Në një tavolinë të vogël ishin ulur shefi i kuadrit, drejtori në mes dhe kryeinfermieri i të gjithë pavioneve. Mbi të ishin vënë letrat e vogla të mbështjella, në të cilat shkruhej largohu ose qëndro. Emrat i thërriste me radhë, por unë isha nga fundi, ndërsa ato të fillimit qëlluan shumica me qëndro! Ne të pavionit tim thuajse u larguam”. Më tej kamera e fshehtë zbardh bindjen e drejtorit se ka bërë drejtësi, pra se asnjë hile nuk pati. Letra me vrimë është letër me vrimë, kështu që ec e merru me fatin tënd. Tjetër punë kur të heqin mbi kritere politike, tjetër kur të ndëshkon shansi. Më saktë se kaq për këtë lloj vendi që jemi nuk gjen. Ndaj...ç’të thuash!

http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=323388&fundit

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.