Deportimi i dy shtetasve shqiptarë nga Kosova, një model edhe për Gjykatën e Lartë të Shqipërisë
“Boikeni, Arbri dhe nacionalistët e tjerë”. Kështu titullohet një opinion i sotshëm i Halil Matoshit në gazetën “Koha Ditore”. Siç mund të merret me mend, Matoshi trajton çështjen e deportimit nga Kosova të dy shtetasve shqiptarë, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosja, Arbër Zaimi dhe Boiken Abazi. Ideja e Matoshit është se në trajtimin e këtyre problemeve që nxisin qëndrime emotive, duhet vështruar ftohtë dhe referuar vetëm ndaj ligjit. “Struktura shoqërore e quajtur ”komb” po del nga historia për t’ia lëshuar vendin shtetit modern që përthith fuqitë kombëtariste, për t’i rikthyer shtetasit në ligj dhe emancipim, thjesht për t’i orientuar ata në një projekt madhor që është perëndimorizimi i shoqërisë e jo të kërkuarit strehë në ekstremizmat fetarë dhe politikë…”, shkruan ai. Kjo nënkupton një kritikë për thuajse histerinë që kërkoi të ngrinte VV-ja pas vendimit për deportim të dy shtetasve shqiptarë, duke iu përmbajtur përherë emocioneve me sfond nacionalist.
“Deportimi i Boiken Abazit fillimisht nga ana e policisë kosovare dhe pastaj edhe i Arbër Zaimit (me masa më të zbutura) u bë problem madhor kombëtar dhe medial, sepse hataja qëndron në faktin se ata përkasin në lëvizjen e Albin Kurtit, “Vetëvendosje”, e cila angazhohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ndërsa për qindra shtetas të Shqipërisë (më së shumti romë që vijnë në Kosovë për të lypur lëmoshë) që deportohen për shkelje të ligjit kosovar për të huajt ose për krime të ndryshme dhe anasjelltë, për shtetasit kosovarë që po ashtu deportohen për delikte të ndryshme, askush s’e thotë asnjë fjalë”, vijon Matoshi, për të konkluduar se “Pas Luftës së Dytë Botërore flamurin e nacionalizmit shqiptar paradoksalisht e ka bartur e majta shqiptare madje edhe stalinistët e veshur me kostum rozë dhe po ashtu, paradoksalisht, neoenveristët që janë në pushtet gjithandej në trevat e banuara me shumica shqiptare. Mirëpo, duket se lideri shpirtëror i VV-së, Albin Kurti, po ndryshon kursin e nacionalizmit shqiptar, nga ai folklorik tek nacionalizmi etatist, për ta mbrojtur Republikën nga ndikimet e jashtme dhe nga rrëzbitja e brendshme. Shqiptarët thjesht duhet të mësohen të jetojnë në harmoni me ligjet, pra të kultivojnë më shumë kulturë shtetërore…”(http://koha.net/?id=31&o=1201).
Interesante mbetet gjithsesi që Matoshi nuk kujtohet se Albin Kurti, ishte i ftuar nderi në kongresin e PS-së, një parti që ka traditë kultivimin e nacionalizmit etatizt për të cilin flet publicisti kosovar!
Deportimi ka një përgjigje që duhet të kalojë vetëm nga ligji dhe jo nga politika: a është vendimi i policisë në përputhje me ligjin? Matoshi na thotë që po dhe në fakt, askush deri më sot nuk ka mundur të ngrejë pretendime me karakter juridik ndaj këtij vendimi. Duan apo nuk duan nacionalistët, ata që pëllasin se janë të tillë, apo edhe ata që e kanë vokacionin nacionalist, i cili kapërcen jo rrallë në shovinizëm, në raport me ligjin nuk ka të veçantë. Rasti është një shembull i mirë edhe për Shqipërinë, e konsideruar prej gati 100 vjetësh një shtet qesharak dhe joserioz. Është shembull i mirë pasi ai vjen si pasqyrë e duhur për të kuptuar se çfarë absurditeti dhe se në çfarë primitiviteti ushtron drejtësi një institucion si Gjykata e Lartë, e cila me një vendim të paprecedentë nxori si të pafajshëm thuajse, shtetasin Ismail Morina, i ndaluar me dy armë pa leje në makinën e tij. Gjykata referon në pjesën arsyetuese edhe rolin e Morinës në ndeshjen e Beogradit të 14 tetorit 2014, duke konsideruar se atij i ishte rrezikuar jeta, një rrethanë që sipas Gjykatës shqiptare, nuk ishte marrë në konsideratë nga policia. A mos vallë Morina u arrestua duke u fshehur gjëkundi, apo duke tentuar të hynte në ndeshjen Shqipëri-Serbi në Elbasan? Si ka mundësi që një gjë e tillë si Gjykata e Lartë e Shqipërisë nuk e merr në konsideratë këtë rrethanë për të parë se Morina nuk po sillej si i kërcënuar? Përgjigja është e thjeshtë: në logjikën antishtetërore të një institucioni si ky ka vepruar po ai “emocion”- llogari - urdhër dhe po ajo histeri nacionaliste, e cila sheh te njerëzit disa qytetarë të mirë dhe disa të këqinj. Për fatkeqësinë e të gjithëve kuptohet, qeverisin dhe mbajnë poste nacionalistë milionerë.
Comments
Ndonese sjellja e Shqiperise
Ndonese sjellja e Shqiperise ndaj ndonje shqiptari rrugac qe kapet me arme rrugeve, apo faktit se deportimi I personave problematike me shtetesi shqiptare nga Kosova jane akte parimisht te drejta, artikulli, per mendimin tim, shpesh here calon nga ana logjike.
Se pari, qe 'nacionalizmi ka dale mode' eshte nje ide ca si teper ekstreme. Ne fakt ne Europen e sotme po shohim nje kthim te forte ne identitetin nacional, nje rikthim ne identitet nese do te flasim keshtu dhe nje terheqje nga multikulturalizmi qe momentalisht po shihet nga pjese te medha te publikut europian (madje edhe ate nativist amerikan) si nje problem I veshtire per tu zgjidhur dhe jo me si nje gje e bukur qe duhet levduar. Se dyti, ne realitete si ai Ballkanik, ndjenja nacionale eshte pjese e instinktit te mbijeteses dhe jo nostalgji qe na e ka lene historia. Nuk po flasim ketu per nacionalizmat folklorike te tifozeve te futbollit por nje ndienje nacionale e udhehequr nga logjika dhe e mbartur nga nje ndergjegje e perbashket qe ekziston si ne Republiken e Shqiperise ashtu edhe ne trevat shqiptare jashte saj. Se fundi nocioni 'neoenveristet qe jane sot ne pushtet' eshte nje nocion sharlatan. Enveri ka 30 vjet qe ka vdekur dhe I eshte harruar emir nga te gjithe, perjashto gazetare entuziaste apo politikane qe kane frike mos u harrohet edhe atyre emri. Z. Rama me qeverine e tyre, jane (gjithmone neopnionin tim personal) te 99-shit, absolutisht jo-kompetente dhe sipas disa gojeve 'te liga' hajdute, per te cilen une nuk kam prova dhe nuk flas dot. Por neo-enveriste??? Ne cilin aspect shikon autori neoenverizmin? Ne Shqiperi nuk ka asnje deshire per autarki, jemi duke ju lepire perendimoreve sidomos amerikaneve deri ne shemti, ideologjikisht qeveria ka privatizuar cdo sherbim, mjet apo nderrmarje per te cilen mund te behet nje tender dhe ndjeke nje politike sociale ultra-liberale (psh politika ndaj abortit, minoriteteve dhe orientimeve seksuale). Fakti qe autori spekullon akoma me nje term shume spekullativ, ve ne dyshim tere permbajtjen e shkrimit...
Add new comment