Pazari që mund të shitet për Marrëveshje
Prej dy ditësh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, ka ndryshuar tonin dhe termat e komunikimit me opozitën. Duke nisur që nga konferenca për shtyp me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin, Hahn, Partia Demokratrike ka pushuar së qeni “Shqupi” dhe “qeveria në mërgim”. Ajo është tani e ftuar për dialog të nivelit të lartë, aty ku mund të përcaktohen disa piketa për të ecur më tutje me reformat si dhe për dhënë një sinjal ndaj Europës aq i nevojshëm për qeverinë në kuadër të procesit të Integrimit. Ndryshimi i sjelljes nuk është lënë vetëm tek fjalët; sot nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, deklaroi se mandati i saj është pronë e Gjykatës Kushtetuese , si përgjigje ndaj kërkesës së PD-së për vlerësimin e mandatit të saj në kushtet e një gjykimi për konflikt interesi. Dy elementë që kanë qenë kushtëzim i PD-së për vijimin e punës me reformën në drejtësi.
Nëse do të vijojmë me elementët krysorë, konkretë, që ka çliruar kjo sjellje e re politike, do të mund të theksonim skualifikimin e Parlamentit si një mjedis ku mund të përpunohen vendimet reale, qendërzimin e Lulzim Bashës si një nga dy aktorët kryesorë të skenës politike, të cilit akti i Valentina Leksajt, i dha një atu për të skualifikuar çdo kundërvënie të fortë në partinë e tij. Ishim të gjithë dëshmitarë se sot dy janë lajmet e ditës nga politika: letrat e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për fillimin e dialogut. Deklaratat kundështuese e Sali Berishës në këtë konteskt tingëlluan periferike përderisa ka disa kohë që ish-kryeministri perceptohet se po ndjek axhendë personale, më shumë sesa një axhendë politike që i zgjeron perspektivën PD-së dhe opozitës. Nëse lexojmë përmbajtjen e letrës së Lulzim Bashës aty ndër të tjera thuhet se: “Si gjithmonë, jam i gatshëm të takohemi për çështjet më të rëndësishme: zbatimi pa pengesa i dekriminalizimit, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, vijimi i duhur i reformës në drejtësi dhe çështje të tjera të rëndësishme përfshirë një reformë të plotë Kushtetuese”. Në tërësinë e vet kreu demokrat kërkon paracaktimin e axhendës me kushtet e njohura nga PD-së për të shtuar edhe një sugjerim që është shumë i rëndësishëm: atë për reformë të plotë kushtetuese.
Parë nga vështrimi i nevojës për ulje të tensioneve, komunikimi ka vlerë pozitive. Por njësoj siç ka ndodhur gjatë 25 viteve, ky mall për dialog vjen papritur, jo si rrjedhojë logjike e ngjarjeve, madje në kundërshtim me të dhe si produkt i një pazari të cilit vonë i del tymi. Askush nuk e di se cila është arsyeja e vërtetë e këtij kursi të ri dhe këtu mund të spekullohet: nevoja për një notë pozitive nga BE-ja, nevoja për ta mbyllur sa më shpejt reformën në drejtësi, vizitat në SHBA, apo edhe vizita e John Kerryt.
Diçka mund të na mësojë përvoja e këtyre viteve, pasi siç po shohim është apo jo Berisha apo Nano, sjellja është po ajo: Hajde të ulemi të bëjmë Pazarin dhe ta shesim për Marrëveshje.
Përvoja na mëson se reformat kushtetuese që vijnë si pasojë e vendimeve në një tavolinë pazari janë afatshkrutra dhe pa vizion. Ndërhyrjet në Kushtetutën e vitit 1998 nuk kanë sjellë përmirësime thelbësore, pasi ato kanë qenë më tepër me natyrë proceduriale, apo me synim ndryshimin e disa kompetencave. Kuadri i të drejtave mbetet po ai që ka qenë dhe po aq i nëpërkëmbur. Propozimi për një reformë të plotë kushtetuese do të kërkonte hapjen e një debati dhe një procesi për të cilin nuk mund të ketë ekskluzivitet Edi Rama me Lulzim Bashën, as edhe Parlamenti vetëm.
Dekriminalizimi, në dritën e një dialogu të nivelit të lartë do të spostohej në plan të dytë në diskursin politik, pasi kauza në fjalë ishte një moment taktik për opozitën e djathtë, po aq e prekur nga infeksioni i të fortëve dhe njerëzve me predentë penalë në radhët e saj.
Reforma në Drejtësi, si temë kryesore e dialogut ofron një mundësi për të gjykuar disa momente. Së pari oferta e kryeministrit për “të folur dhe dëgjuar njëri-tjetrin”, lë pas idenë e dikurshme “të një reforme ekspertësh”. Diçka që nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Këtu, kryetari i PS-së po ndërmerr një lëvizje që përveçse zhbën atë që ka thënë deri më dje dhe që do të duhet të kishte hapur procesin e reformës në drejtësi. Mazhoranca ia delegoi me “sy mbyllur” përpunimin e ndryshimeve disa ekspertëve që në fakt i zgjodhi vetë duke e lënë opozitën pa rrugëdalje. Pasi një proces ekspertësh, thjesht dhe vetëm teknik, ku pranon të bëhesh pjesë, legjitimohet si i tillë. Cilidoqoftë produkti i tij ai është legjitim. Ndaj edhe garancitë politike për synimet e një reforme janë e vetmja recetë që procesi të marrë një konsensus relativ.
Reforma nisi me nëntesktin e burgosjeve të nivelit të lartë dhe këtu të dyja palët patën dakordësi për një gjë: njerëzit e sistemit gjyqësor dhe të hetimit u përjashtuan nga procesi i reformës. Formulat e ndryshme të propozuara nga ekspertët e PS-së, PD-së dhe LSI-së u kaluan pa probleme serioze kur Venecia përcolli opinionin e vet. Problemi lindi te hetimi dhe Byroja Kombëtare, çka sugjeron se ku qëndron thelbi i problemit e që është shkarkimi i barrës së përgjegjësive dhe fajeve që vijnë nga e shkuara. Por kjo reformë sot po konkludon si një rishkrim Rregullash loje mes dy palëve që edhe njëherë kuptojnë nevojën e madhe për njëra-tjetrën në teatrin që ofrojnë prej kohësh.
Politikisht sot kreu i opozitës ka një shans të ulet në tryezën e vendimmarrjes me në status të ri, duke kaluar realisht në hije zërat e fortë të partisë së tij. Duke hedhur një hap tjetër që duket se ka mbështetje edhe nga aktorë ndërkombëtarë. Dhe duke kaluar në provën e parë reale si kryetar i PD-së dhe si njeriu që ka marrë përsipër të drejtojë opozitën. Mbetet për t'u parë nëse ai do ta kryejë këtë akt politik ose jo.
Problemi është se çfarë përfaqëson ky zhvillim për qytetarët dhe njerëzit në përgjithësi që kanë qenë dëshmitarë të teatrit të dy palëve që gjoja hahen dhëmbë për dhëmbë. Reforma në drejtësi, kushtetuta etj., në fund reduktohen në gjëra abstrakte kur trajtohen në parim. Çfarë rrjedh prej tyre është problemi. Qytetarët do të kishin garanci sado pak nëse ky takim do të nisej nga premisa parimore, ndonëse nuk kemi pse ta mohojmë nevojën për të. Por ai nuk është i tillë dhe këtë mundet fare mirë ta konstatojmë te fraza e kryeministrit: “Të ulemi në tavolinë dhe të dëgjojmë...Kjo bëhet nëse Partia Demokratike heq dorë nga gardhi”. Gardhi i Liqenit ku aludohet se do të bëhen ndërtime. Mos vallë kërkesa për të hequr dorë që bëhet këtu, është rruga drejt atij Pazarit që do shitet nesër për Marrëveshje? Ku i dihet, por e drejta për të dyshuar nuk ka pse të na quhet për kompleks.
Add new comment