Leskajt e Sulit u vjen zelli për Gjykatën Kushtetuese
Presioni i opozitës për mandatet e deputetëve Leskaj e Suli duket se ka dhënë rezultat. Ndonëse për javë të tëra qëndruan në heshtje dhe refuzuan t’i nënshtrohen procedurës si në rastin e deputetit Koço Kokëdhima, Leskaj e Suli kanë treguar një ditë pas vizitës së komisionerit Hahn devotshmërinë që mandati i tyre të çohet në Kushtetuese. Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, i është drejtuar me një letër kryetarit të kuvendit Ilir Meta, ku i kërkon që të jetë parlamenti ai që të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për mandatin e saj. “Duke qenë se veprimtaria ime si deputete është në përputhje të plotë me jursprudencën e Gjykatës Kushtetuese, po ju drejtohem me këtë letër që Kuvendi i Shqipërisë ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që PD i a përcjellë Kuvendit me 2 mars 2016”, shkruan Leskaj në letrën drejtuar kreut të kuvendit. Edhe deputeti tjetër Rakip Suli u shpreh për mediat se është i gatshëm që mandati i tij të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
Add new comment