Një ministër që jep garanci 100%
Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar të Sigurisë, ku është diskutuar për situatën me refugjatët sirianë që parashikohet të hyjnë në vendin tonë. Edhe njëherë tjetër, ministri ka preferuar të japë garanci absolute, teksa ka deklaruar se “jemi të përgatitur përr çdo lloj emergjence”. “Jemi në bisedime me partnerët për plane të përbashkëta të përballimit të emergjencës. Shqetësim ka qenë evitimi i rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore. Jemi të vendosur që të mos lëmë asnjë mundësi që rrjetet kriminale të përdorin vendin tonë për trafikimin e qenieve njerëzore dhe për këtë duhet bashkëpunimi me partnerët”, tha Tahiri. Ministri ka shtuar se BE-ja do të asistojë Shqipërinë, ndonëse nuk është e qartë nëse me ndihmë nënkuptohet një fjalë e thënë në Tiranë nga komisioneri Avramopoulos. Sa vlejnë këto garanci të ministrit të Brendshëm, i cili me këtë gjuhë foli edhe për trafikun e drogës, i cili lulëzon në Shqipëri? Me siguri janë minimale kredencialet e një ministri shqiptar kur dlet për sfida të tilla, ndaj do shpresuar që BE-ja vërtet do të ndihmojë(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=322421#tab).
Nga ana tjetër ministri ka bërë thirrje që Presidenti të dekretojë sa më shpejt ligjin për sigurinë publike, i cili parashikon vendosjen e kamerave në mjedise private, përfshirë edhe pallate banimi. Siç është bërë e qartë në diskutimet e para disa muajve, ligji është as më shumë e as më pak një mundësi për tender kamerash. Pa folur këtu për sigurinë e të dhënave, privatësinë, të cenuarabnë mënyrë flagrante edhe në një sektor delikat si Drejtoria e Tatimeve.
Add new comment