Reforma në drejtësi si gjyq publik

Postuar në 21 Mars, 2016 15:09
Gëzim Allaraj/Kryetar i Unionit të Juristëve të Pavarur të Shqipërisë

Kërkesave të vazhdueshme në rritje të qytetarëve të Shqipërisë dhe partnerëve tanë euroatlantikë për drejtësi në Pushtetin Gjyqësor partitë politike pushtetmbajtëse iu përgjigjën duke marrë iniciativën konkrete dhe filluar procesin për Reformë në Drejtësi, jo thjesht sa për të afruar standardet me vendet e BE, por tashmë duhet pranuar dhe pranohet nga të gjithë se plaçkitja legale, e cila favorizohet nga plaçkitja ilegale (korrupsioni) është bërë e rrezikshme për individët, liritë dhe të drejtat e tyre, për mbarë shoqërinë, pasurinë shoqërore, publike, kombëtare dhe shtetërore.

Kaq shumë është shtrembëruar drejtësia dhe ligji nga grupet pushtetmbajtëse, saqë ka vënë në rrezik ekzistencën ekonomike-shoqërore të vetë shoqërisë që pa asnjë ekuivok mund të themi se shoqëria shqiptare shtetin nuk e shikon si të mirën e përgjithshme – ku mbrohen dhe harmonizohen interesat dhe të drejtat e të gjithëve individëve, por si një mekanizëm që është në dorë të pak njerëzve që, nëpërmjet tij bëjnë çfarë të duan pa kufizim, për llogari të interesave të tyre duke maksimizuar ato në kundërshtim të plotë me parimet demokratike. Edhe në nismën për Reformën në Drejtësi, klasa politike, parlamentarët nuk dolën nga modeli abuzues me pushtetin. Kategoritë që e kanë vuajtur padrejtësinë dhe po e vuajnë – shoqëria civile dhe grupet e interesit – edhe kësaj radhe u mbajtën larg procesit, jo vetëm për të dhënë idetë dhe projektet e tyre, por nuk u ftuan as në diskutime publike.

Pikërisht këtu lind pyetja: Cili është qëllimi i kësaj reforme që njerëzve, mediave dhe gjithkujt, i humbi shumë kohë dhe energji si spektatorë nga zhurma që vazhdon akoma për reformën dhe rreth saj? Zënia në kurth e njërës palë politike, kundër palës tjetër, si antireformiste, bërja sa për sy e faqe e reformës për të dhënë përshtypjen te shqiptarët dhe europianët, për të zgjatur jetëgjatësinë e tyre në pushtet (e këtu përfshihet krijimi i disa strukturave të reja ku do të ndryshohet mënyra e funksionimit dhe organizimit të pushtetit, por përsëri do të ketë përsëri korrupsion, subjektivizëm ndaj tij dhe selektivizëm subjektiv), apo bërja e një reforme në drejtësi për të eliminuar objektivisht korrupsionin në gjyqësor?

Qëllimi është i përqendruar te dy variantet e para, ndërsa eliminimi i korrupsionit në sistemin gjyqësor është një tabu për çdokënd, për vetë ekspertët që u morën me këtë proces, për Komisionin Parlamentar të Reformës në Drejtësi, por edhe çdo grupim parlamentar apo personalitet publik me influencë. Çuditërisht nuk kemi ndjekur qoftë edhe një pyetje të vetme për protagonistët e reformës të tillë: A eliminon korrupsionin nisma dhe projekti juaj, dhe nëse po, si?

Qytetarët dhe shoqëria civile, por dhe media në përgjithësi, dëshiron eliminimin e korrupsionit dhe nuk janë të kënaqur me kërkesa minimaliste dhe projekte e rezultate të mangëta me reforma eksperimentuese zhgënjyese e kohë humbëse si strategji për të zgjatur jetën në pushtet, për të paaftët e të padrejtët. Derisa njerëzimi është i prirë për keq, ligjvënësit synojnë të mirën, derisa njerëzimin e tërheq e keqja, ligjvënësit duhet t’i tërheqë mençuria. Por fatkeqësisht, nuk është kështu dhe rolet janë ndërruar. Ligjvënësit i tërheq dhe komandon e keqja, ndërsa njerëzimi tashmë është i prirë nga mençuria dhe rrugëzgjidhja që të çon tek e mira.

Le të kthehemi te procesi për reformën në drejtësi. Fillimi i mbarë gjysma e punës, thotë urtësia popullore. Por fillimi nuk qe i mbarë. Parlamenti, në kundërshtim me parimet e drejtësisë, emëroi disa ekspertë në mënyrë të njëanshme dhe i cilësoi si “të nivelit të lartë”. Sapo dëgjon këtë cilësim të shkon mendja te sistemi monist udhëheqja e lartë e partisë dhe gjithashtu këtu zë vend dhe fjala e urtë: Kur të ta tregojnë vreshtin e madh, shportën merre sa më të vogël.

Megjithatë, a është e drejta e Parlamentit të emëronte këta ekspertë? Patjetër që po, por ama me dakordësinë solemne të opozitës. Ekspertët u caktuan nga mazhoranca dhe kur jemi tek ekspertimi, këtu është shkelur parimi i paanësisë dhe balancimit të interesave të grupeve parlamentare. Këtu fillon deformimi dhe del qartë se reforma nuk është nisur nga parimet, por nga interesat. Pra, duket qartë se iniciuesit e kësaj reforme janë nisur nga motivi qëllimi gjithçka, por rezultati asgjë.

Vetë procesi nuk ishte demokratik që me caktimin e ekspertëve, vetë ekspertët nuk u zgjodhën nga institucionet që vinin dhe më e keqja u përjashtuan grupet e interesit nga shoqëria civile dhe nuk u procedua në hapjen e konkurrencës së lirë e të larmishme të ideve dhe projekteve. Juristët në përgjithësi dhe profesionistët në sistemin e drejtësisë u mbajtën larg me ndonjë përthithje idesh anonime si ndihmë për ekspertët, ndërsa mendjet dhe kapacitet intelektuale u injoruan.

Edhe partitë politike, sidomos parlamentarët opozitarë, nuk treguan vlera, nuk u vunë në punë për të qenë të denjë për t’i paraqitur publikut një projekt konkurrues bindës dhe për t’u ballafaquar në referendum si mundësi e artë për të konkurruar dhe për të mos ndier forcën e presionit të votave të mazhorancës, pra nuk qenë në gjendje për më të mirën, por u mjaftuan me kritizerin dhe mbulimin e paaftësisë së tyre nëpërmjet Komisionit të Venecias. Orientimi i palëve drejt ekspertëve drejt Komisionit të Venecias e ka konkluzionin brenda. Brenda partive politike nuk ka njerëz të aftë dhe reformatore bashkëkohore aty nuk i kanë çuar meritat aftësitë dhe vlerat, por njohjet dhe shërbimet që u kryejnë eprorëve partiakë. Për këtë le të kthehemi prapë mbrapa në kohë. Le të shikojmë për reformat para kësaj që zhurmon çdo ditë.

Në vitet 2005-2013 u bënë gjoja reforma dhe më duhet të përmend tre nga të cilat njëra ngeli si projekt, liberalizimi i noterisë dhe dy të tjerat njëra që ka të bëjë përsëri me noterinë dhe ka të bëjë me lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë që u prezantua publikisht si reforma e suksesshme, por s’ishte asgjë, por një kthim në vitet 1990-1995 kur këtë akt e bënin noterët dhe tjetrën Gjykata Administrative. Te Gjykata Administrative, me krijimin e strukturës ligjore u morën dhe EURALIS etj.

Por çfarë ishte kjo reformë që u trumbetua si tejet e suksesshme? Dështim dhe zhgënjim? Efekti që i kundërt me pritshmëritë. Të drejtat e njeriut dhe biznesit u kufizuan. Aksesi për njerëzit u zvogëlua, njerëzit në nevojë, por dhe jo vetëm etj., e kanë thuajse të pamundur të kërkojnë të drejtat e tyre, pasi Gjykatën Administrative nuk e kanë në qarkun administrativ të tyre siç kanë Gjykatën Civile apo Penale, dhe në fakt, Gjykata Administrative duhej të ishte sa më afër njerëzve. Gjithashtu, ka rënduar gjendjen e biznesit. Këtë nuk mund të mos e paraqitja si shqetësim për të treguar se reformat në Shqipëri nuk bëhen të studiuara, por egoiste me përfitime të çastit, populiste, dhe se asistenca e EURALIS etj., tregon paaftësi të drejtuesve tanë, por edhe se ajo nganjëherë nuk vlen për drejtësinë, por për qeverinë në fuqi.

E duke u kthyer te gjendja e procesit të reformës në drejtësi, aktualisht gjithkush e konstaton se thelbi nuk është eliminimi i korrupsionit si e keqja që pas kësaj do të eliminonte edhe të këqijat në pushtetin ekzekutiv e kudo, por jemi te dy variantet e para që kam përcaktuar në fillim të shkrimit. Çdo lexuesi i lind e drejta të pyesë: Vërtet, a ekziston mundësia objektive e eliminimit plotësisht të korrupsionit në gjyqësor dhe si? Patjetër që ekziston dhe jo me 40 ligje, por me 40 nene rregullatore, dhe Unioni i Juristëve të Pavarur të Shqipërisë e ka bërë të ditur publikisht se e kemi një projekt të tillë. Për të dhënë drejtësi është mjaft e lehtë nga një praktikant që minimumi ka punuar 10 vjet në sistemin e drejtësisë. Por çfarë ndodh? Gjatë procesit procedurat shkelen, ngatërrohen, vështirësohen, për të shkuar te një vendim i gjatë me arsyetime teorike për të justifikuar padrejtësinë dhe korrupsionin.

Kam dëgjuar disa deputetë e ministra që thonë se ne nuk mund të shpikim rrotën. Atëherë ka dy alternativa: ose nuk dinë dhe ne jemi fatkëqij kush na drejton, ose nuk duan dhe kjo është për dreq këta 25 vjet patëm politikanë që mendjen nuk e patën në kokë, por qeverisën me mendjen te xhepat e qytetarëve e të shtetit për të mbushur thasët e tyre; kemi politikanë që duan të mbrojnë këto pasuri me mënyra nga më të ndryshmet, me mashtrime publike, duke implikuar dhe ambasadorë e zyrtarë europianë në këto reforma, pavarësisht qëllimit që kanë këta të fundit në lidhje me ta.

Pra, çfarë është reforma, procesi dhe projekti i deritanishëm në lidhje me eliminimin e korrupsionit gjyqësor? Në mes të dilemës nëse do të bëhet dhe asaj që nuk do të bëhet triumfon e vërteta se varianti i tretë, pra eliminimi i korrupsionit është një pamundësi dhe mbeten dy variantet e para. E gjitha kjo ngjan me anekdotën e filozofit të lashtë Algividhi, i cili i preu bishtin qenit të tij. Kur e pyetën pse, ai u përgjigj: E tërë Athina flet për bishtin e qenit. Pra, të merren me bishtin e qenit dhe të më lënë rehat mua. Me këtë projekt dhe me gjithë ndryshimet e mundshme konsensuale që mund të bëhen në Parlament ajo që mund të arrihet si maksimum është prerja e bishtit të qenit, pra jo eliminimi i korrupsionit në gjyqësor, atë që presin shqiptarët.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.