Si mocioni i mosbesimit për kryeministrin: Referendumi për kryetarin e PS-së, rruga e vetme për zgjedhje
Referendumi që sugjeroi Edi Rama, si mënyrë për votëbesimin e tij si kryetar, mund të zhvillohet pas Kongresit të 19 marsit. “ABC News”, citon burime të kësaj partie që thonë se procesi do të zbatohet sipas statutit të ri që parashikohet të miratohe në Kongres dhe se ai në fakt mund të jetë në formën e një pyetjeje që lidhet me qenien ose jo të Ramës si kryetar i PS-së. “Referendumi mes anëtarësisë së Partisë Socialiste, i kërkuar nga Edi Rama në lidhje me mandatin e tij të kryetarit, duhet të thirret brenda datës 18 prill, gjithnjë nëse Kongresi do ta miratojë atë. Votimi do të zhvillohet jo në bazë të rregullave aktuale por në bazë të statutit të ri, i cili do të hyjë në fuqi menjëherë ditën e Kongresit të 19 marsit. Në nenin 40, drafti i ri përcakton se është pikërisht kompetencë e Kongresit përcaktimi i datës kur thirret anëtarësia për të zgjedhur kryetarin e partisë sipas parimit një anëtar një votë, por kjo nuk mund të ndodhë më vonë se 30 ditë nga data e zhvillimit të Kongresit. Ky formulim duket se do të përshtatet edhe në rastin e referendumit të kërkuar prej Ramës”, raporotn “ABC News”(http://www.abcnews.al/lajme/politike/1/68596). Një garë pa alternativa reale, pasi edhe në rastin se shumica e votuesve do të thonë “jo” për Ramën, do të duhet që PS-ja të kalojë në zgjedhje për kryetarin. Moralisht “jo” do të duhet ta përjashtonte kryetarin humbës nga gara e mëpasme, por në kushtet aktuale kjo është përjashtuar, pasi mendohet se ai është i pasfidueshëm realisht.
Për analogji ajo që ndodhi me statutin e PS-së në formën që paraqitet aktualisht është deri diku si ndryshimi i Kushtetutës në vitin 2008, që sanksionon se mocioni i mosbesimit ndaj kryeministrit kushtëzohet nga paraqitja e një kandidati tjetër që të ketë marrë 71 firma(neni 105). Në thelb e njëjta gjë po imponohet si rregull në PS: kryetari vihet në diskutim si pozicion vetëm nëse dikush, përmes artificës së referendumit ja del të sigurojë “jo” e shumicës së anëtarësisë kundër tij. Cili është atëherë sensi i mandatit dhe kohëzgjatjes së tij?
Add new comment