“Shteti ka nxitur varfërinë”
Avokati i Popullit ka përgatitur një raport që i është dorëzuar Kuvendit të Shqipërisë ku vë theksin te rritja e varfërisë në Shqipëri. Dokumenti citohet nga revista “Monitor” sipas së cilës, Avokati i Popullit vlerëson se varfëria, përfshirë varfërinë ekstreme, ka njohur rritje në Shqipëri. Më tej akoma, sipas këtij institucioni, janë politika të qeverisë aktuale ato që çojnë drejt thellimit të saj, e që shkojnë ndesh me pretendimin për një shtet social. “Avokati i Popullit më tej ka renditur 7 mekanizma me të cilët shteti në vend që të ulë varfrinë e ka nxitur më tej atë:
Së pari, ende nuk dihet zyrtarisht minimumi jetik në Shqipëri, si koncept që lidhet ngushtësisht me nevojat që ka njeriu për të siguruar mbijetesën në kushtet aktuale, si dhe me përcaktimin dhe nivelet e përfitimeve në skemat e mbrojtjes sociale, sigurimeve shoqërore, sistemit të pagave, etj.
Së dyti, sot aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike trajtohen rreth 81.621 (tetëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e njëzetë e një) familje dhe individë në nevojë nga rreth 1.1 milion familje që janë në shkallë vendi, dmth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike. Por, në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh...
Së treti, papunësia është në nivele të larta dhe mundësia e punësimit nuk ofrohet sipas një skeme prioritare për individët e familjeve të varfra.
Së katërti, një familje ekstremisht apo absolutisht e varfër, nuk ka mundësi pagese të energjisë elektrike që mund të konsumojë, dhe në rastin më të keq i hiqet aksesi në rrjetin e furnizimit me energji elektrike, për shkak të mospagimit.
Së pesti një familje ekstremisht apo absolutisht e varfër nuk ka mundësi pagese të ujit të pijshëm që konsumon, dhe në rastin më të keq i hiqet aksesi në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm, për shkak të mospagimit.
Së gjashti, sistemi ynë i sigurimeve shoqërore në kushtet e mospagesës së kontributeve për shkak të varfërisë së individit, siguron vetëm përfitimin e një pensioni social në një masë krejtësisht të pamjaftueshme për përmbushjen e nevojave bazë të jetesës, pas arritjes së moshës së pensionit.
Së shtati, mungesa e një kuadri të përshtatshëm ligjor për të drejtën për strehim, sot ka sjellë pasoja serioze dhe konflikte të reja sociale, gjatë trajtimit të rasteve të dëbimeve me forcë, si mungesën e sigurimit të një strehimi të përshtatshëm, për familjet me të ardhura të ulta (në varfëri ekstreme, apo absolute), familjet përfituese nga skemat e ndihmës ekonomike, gratë e pastreha viktima të dhunës në familje, apo edhe për kategorinë e ish qiramarrësve të strehuar në banesat shtetërore”, citon “Monitor” raportin(http://www.monitor.al/avokati-popullit-zbardh-7-skemat-te-cilat-qeveria-...).
Problemi që evidentohet këtu thekson se në Shqipëri varfëria po çon në ndarje të thellë sociale, sa kohë që jo vetëm qeveria nuk kthen sytë nga zgjidhja e tij, por edhe një pjesë e shoqërisë nuk ka mundësi, ose në rastin më të keq, nuk dëshiron të kontribuojë.
Add new comment