Kauza e zgjedhjeve/PD-ja premton: “Me debate dhe primare si në SHBA”
Partia Demokratike po përpiqet të shesë si arritje të vetën atë që sot në Partinë Socialiste është kauzë debati: zgjedhjet brenda partisë. Në përmbyllje të procesit të zgjedhjes së krerëve të Forumeve Rinore nëpër rrethe dhe në takim me të rinjtë fitues, kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se procesi zgjedhor në këtë parti do të jetë një leksion demokracie në Shqipëri. “Kam vendosur t’i propozoj Këshillit Kombëtar për 35 përqind përfaqësim të të rinjve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nuk ju kam dhënë më shumë se ç’ju takon. Nuk do t’i caktojmë, do t’i zgjedhim me debate dhe primare si republikanët dhe demokratët në SHBA dhe do t’i japim Shqipërisë një tjetër leksion demokracie”, u shpreh ai. Mbetet për t’u parë sesi do të ecë ky proces në kushtet kur nga e majta problemi kryesor është mungesa e zgjedhjeve. Dhe kjo për fatkeqësinë e të gjithëve.
Add new comment