Nis operacioni “Kandidati” kundër Blushit

Postuar në 06 Mars, 2016 02:00

Kryetar të uroj nga zemra të jesh mirë dhe të kesh fuqi të vazhdosh rrugën që ke nisur. Unë që po të shkruaj jam një shqiptar që më dhemb ajo parti që të kanë besuar; më dhemb sepse vetëm ajo ka të drejtë “ta marrë për dore” popullin si i thonë një fjale e ta çojë përpara, aty ku meriton të jetë. Ndaj fjalët që po t’i shkruaj këtu, mos mi merr për këshilla, sepse nuk do t’ia lejoja vetes këtë gabim, por si një lutje me disa sugjerime që vijnë nga përvoja.

Ajo që ndodhi në Elbasan me nipin e Dhimitër Shuteriqit dhe djalin e Kiço Blushit nuk është e mirë për partinë tonë.  Sepse sa më shumë njerëzit zemërohen e ngrenë zërin, aq më shumë tingëllojnë parimore e të vërteta fjalët e Benit. Për të mirën tonë, duhet një tjetër rrugë. E cila ta zgjidhë problemin përfundimisht.

Ai është familje e njohur dhe plus tani ka nisur e shkruan libra, pra ka emër dhe është i njohur pavarësisht se është nga partia jonë. Ky është rasti tipik pra i problemit intelektual në parti, të cilin sot nuk e zgjidh dot më me shtim radhësh e përjashtime. Ne nuk mund të lejojmë largimin e intelektualëve nga radhët tona, por duhet me patjetër t’i rekrutojmë. Intelektualët që rrinë larg partive, herët apo vonë do të flasin e do të konkurojnë atë që i themi ne popullit. Këtë po ta shikosh me kujdes e di mirë edhe Saliu. Dhe ky është mësim.

Në kohën që jetojmë nuk vlen shumë zgjidhja sovjetike e psikiatrisë për intelektualët, por një përdorim i kufizuar i saj po. Djali i Kiços do të vazhdojë me takime në Elbasan, madje është mirë që dikush t’ja shtjerë  në mendje këtë. Në takimet e tij le të rregullohet puna që të shkojë i gjithë stafi i spitalit psikiatrik të qytetit. Madje në çdo takim. Do të ishte shumë mirë nëse ndonjë nga doktorët të tregohej i gatshëm për t’u bërë pjesë e “lëvizjes për mendimin ndryshe”, të shoqërohej me të, të shkruante në gazetë shkrime, ku të firmoste përherë: “Mjek psikiatër, spitali psikiatrik, Elbasan”.

Është karakteri i sjelljes njerëzore që ta pëshpërisë këtë në mënyrë denigruse: “Benin e mbështesin vetëm të çmendurit. Por edhe kaq po ja bën iks doktor që ka vite që punon e nuk është në rregull”. Vini Qazimin ta përhapë këtë punë se e bën mirë ai. E njëjta mund të përsëritet edhe në Vlorë.

Doktori që sugjeroj do të ketë edhe një rol tjetër: atë të Doktor Gashesë për Van Gogun, por sipas stigmës që na sjell Artaud. Z. Kryetar, ti je i fushës së artit dhe besoj më kupton drejt.

Doktori do të nisë të flasë për “zhgënjim”, do të thotë se po bën çmos ta bindë Benin se “duhet të heqë dorë nga idetë e këqija”. Çka na çon te pëshpërima e dytë e drejtuar nga “Kandidati”, pra Qazimi, se tani “po e lënë edhe të çmendurit”. Mund të jetë adapt për këtë punë edhe ai Balla, deputeti.

Duhet të punohet fort nga Qazimi me thirrjen e Benit për të hequr zvarrë bustin e Lef Nosit. Të shihet se këto janë simptoma dhe jo ndjeshmëri politike. Si mund t’u kërkosh elbasanllinjve që të bëjnë 20 shkurt për djalin e qytetit të tyre? Këtë e bën vetëm një që s’është në rregull, një që ndryshon letrat sipas humorit.

Ai është nipi i Dhimitër Shuteriqit, që është i pari që propozoi që kryengritjen e Haxhi Qamilit ta shkruanin si histori kryengritjeje fshatare. A nuk është kjo z. Kryetar një marrëzi? Pse të mos bëhet një emision për këtë?

Siç mund ta kuptoni “Beni ka nisur të ecë vetë”, apo “Bibilushi” që thotë Saliu po rritet. Kjo është shqetësuese z. Kryetar, i mbush kokat e njerëzve me lloj-lloj idesh të kota. Dhe ti dhe unë e dimë mirë, që koka e këtij mileti nuk mban shumë. Është enë e vogël. Ndaj i duhet zënë rruga sa më shpejt, të mos lihet që kjo farë të rritet. Na duhet kimikati për këtë punë dhe jo tifozeria. Sa më shpejt, aq më mirë.

“Demokracia është një përrallë që duhet ta tregojmë vetëm ne”.

Shpresoj të konsideroni këto që po ju shkruaj.

Me respekt, Bio-grafisti!

PS: Letër dërguar kryetarit të PS-së lidhur me shqetësimin që ka krijuar fryma fraksioniste në parti

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.