Bon Jovi, test i gomarllëkut të mediave shqiptare
Lajmi se Bon Jovi do të vijë në Tiranë për të dhënë një koncert në ditën e verës, u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme në thuajse të gjitha mediat online, përfshi këtu edhe ato të gazetave kryesore të vendit. Pa asnjë verifikim, ai u transmetua rrufeshëm duke i ngritur mendjen publikut, që filloi të interesohej menjëherë për vendshitjet e biletave. Faqe të tilla si "Gazeta Mapo", "Gazeta Dita", "Gazeta Shekulli", "Tv Klan", "Balkanweb", "Lapsi.al", "Gazeta Sot", si dhe faqe të tjera nga Kosova e diaspora si "Bota Sot", "Telegrafi.com" e madje edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare "ATSH", ranë në grackën e një sajese të tillë, duke e botuar menjëherë si lajm, pa kurrfarë konfirmimi, ndonëse kishte një mori arsyesh për të mos e besuar. Lajmi është përhapur aq shumë sa Bashkia e Tiranës, e cilësuar si një nga organizatorët e koncertit, është detyruar të bëjë një përgënjështrim duke mohuar ekzistencën e një eventi të tillë. Shumë prej këtyre mediave e kanë fshirë lajmin nga faqja, por askush prej tyre, siç ka ndodhur edhe më parë, nuk ka marrë mundimin e siqertë të kërkojë ndjesë për gomarllëkun e treguar, të paktën për të respektuar sadopak lexuesit e tyre.
Gjithçka vë në dyshim nivelin mendor të këtyre gazetarëve, pasi mjafton një hetim 5 minutësh dhe e vërteta mund të sqarohet menjëherë nga kushdo, pa llogaritur mjetet e konfirmimit që gazetari ka në dorë prej aksesit që ka në burimet zyrtare. Faqja ku është marrë ky lajm është thjesht një faqe facebook-u, nga ato që kushdo mund t’i hapë me shumicë. Aty tregohet thjesht emri i kompanisë që pretendon se do sjellë Bon Jovin “G.A Tirana Events”, për të cilën jepet vetëm një adresë, dukshëm e sajuar, (autostrada Tiranë-Durrës, 3 km tek rruga dytësore), si dhe objekti i punës së kompanisë: të sjellë në Shqipëri disa nga yjet e muzikës botërore. Vetë faqja e facebookut e kësaj “kompanie” ka gjithësej 3 postime në murin e saj, prej të cilave dy janë për eventin në fjalë, dhe njëra është thjesht një logo. Faqja aktualisht ka rreth 300 friend, dhe në postimin e parë ka vetëm një like, në të dytin (ku është hedhur linku i eventit të Bon Jovit), ka 9 like, ndërsa në të tretin, që është përsëri për koncertin, ka 49 like (pasi lajmi ka marrë dhenë).
Nuk dimë se çfarë duhet më tepër për të kuptuar se nuk kemi të bëjnë me një kompani të vërtetë! Është vërtetë një katastrofë të konstatosh që një gazetë e rëndësishme si "MAPO" e jep lajmin duke iu referuar si burim, “posterit të shpërndarë nëpër Tiranë”. Në cilën shkollë gazetarie mund të mësosh se një poster anonim rrugësh mund t’u përdorka si burim lajmi, aq më tepër kur as ka pasur fare poster të shpërndarë nëpër rrugë?!
Lajmi duket qartësisht si një shaka, apo mashtrim, i cili, sidoqoftë ia ka dalë të vërë në lojë për të disatën herë gazetarinë shqiptare, me të cilën duket se mund të tallet kushdo sot. Për të disatën herë ajo bie në një banalitet të tillë të cilin e kemi evidentuar më parë, në disa raste të përafërta, në një prej të cilave ka qenë protagonist edhe vetë blogu ynë. Mesa duket, tallja me gazetarinë po kthehet në një sport popullor në Shqipëri, duke intriguar shumë individë të ngrenë kurthe që venë në provë inteligjencën e gazetarëve, provë ku shumica e mediave rrëzohet dorë për dorë. Rasti i koncertit të Bon Jovit është kthyer në argëtimin e rradhës në rrjetet sociale ku batutat dhe humori ofrohen pa kursim. Një sërë eventesh kanë shpërthyer së fundmi ku: dikush thotë se në 17 maj do vijnë "Iron Maiden", ndërsa dikush tjetër se në 14 mars do vijë të këndojë në Tiranë tek "Uzina Dinamo"grupi "NIRVANA" dhe vetë Curt Cobain, ku suport do të jenë “Vëllezërit Korçarë”.
Ja teksti i lajmit për eventin e Iron Maiden:
Grupi Metal anglez, nga me te miret ne planet…do te performojne ne kete dite magjike….ne sheshin “Nene Tereza”.
Hyrja cift!
Sponsore: Lgbt Tirana, bar kafe “Lali” , Mandi Nishtulles
Shoqerueset e nuses : "Elita 5", grupi “Ali Pasha” , Erik Lloshi
Ju mirepresim!
Humori është i zi sterr, ashtu si dhe realiteti që e ushqen. Tragjike është pasoja e këtij degjenerimi mendor që buron nga këto mjete informimi. E të mendosh se këto mjete janë burim i informacionit që krijon edhe perceptimin për qeverisjen në këtë vend, gjë që orienton edhe votën e qytetarëve në zgjedhje …
"Postbllok.com"(http://www.postbllok.com/bon-jovi-test-i-gomarllekut-te-mediave-shqiptare/)
Add new comment