Tensionim paralel me afrimin e datës për miratimin e reformës në Drejtësi
Ka qenë një ditë e tensionuar ajo e sotmja në Kuvend, provokuar kryesisht nga protesta e opozitës për amendimet në ligjin për dekriminalizmin. Një ditë më parë, PD-ja propozoi disa ndryshime nisur nga vendimi i Gjykatës së Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë për deputetin Armando Prenga, i cili në mbrëmje deklaroi “vetëpezullimin”. Por sot Prenga është rishfaqur dhe ka votuar dy dekretet e Presidentit për emërmin e Arben Ahmetajt dhe Milva Ikonomit në detyrat e ministrit të Financave dhe atij të Ekonomisë. Situata është tensionuar pasi mazhoranca nuk pranoi që të fusë në rendin e ditës kërkesën për miratimin e ndryshimeve ligjore, por vetëm dekretet e Nishanit. Është qëlluar me vezë ndaj kryeministrit, ndonëse Garda e Republikës ka ushtruar kontrolle të hollësishme në hyrje të sallës. Paralajmërim për një skenar kosovar në Tiranë ose jo, fakti është se tensioni po shkon paralel me afrimin e datës për miratimin e reformës në Drejtësi, apo publikimit të opinionit të Komisionit të Venencias më 11 mars. Edhe aleati i PS-së, LSI-ja, që sot nuk i votoi ministrat e rinj që morën 73 dhe 76 vota, ka bërë thirrje për konsensus dhe adoptim të modelit kroat për antikorrupsionin, por duket se në këtë pikë nuk ka dakordësi. Pas seancës ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se “do të rishikojë qëndrimin në Parlament”, pasi sipas tij ai është tërësisht i inkriminuar. Çështja “Prenga” i jep të drejtë opozitës, por ajo që “çudit” është se në vend se PD-ja dhe Berisha ta bëjnë kauzë largimin e tij, pra dekriminalizimin, paralajmërojnë tërheqjen, duke bërë të fyerin. Kjo do të ishte braktisje e plotë dhe sërish këtu vjen në vëmendjen pyetja: a po provokon frikë reforma në Drejtësi? A po e dikton ajo axhendën e opozitës?
Add new comment