Opozitë duke fyer Presidentin
Është e njohur praktika e radikalizimit verbal që opozitat shqiptare adoptojnë sa herë nuk dinë se çfarë të bëjnë për të rimarrë iniciativën e protagonizmit. Që nga vitet ’90 kur për pushtetin e asaj kohe përflitej thuajse çdo gjë, më tej në vitet ‘2000, e pastaj në opozitën e dytë socialiste. Siç e dimë, pas akuzave nga më të rëndat, ka ardhur paqja e një pazari. Kësaj radhe është Partia Demokratike që po luan kartën e kriminalizimit të gjithanshëm të PS-së dhe qeverisë së saj, madje edhe në arenën ndërkombëtare. Duke krijuar gjithsesi një situatë absurde.
Dje u publikua në disa media online një shkrim i marrë nga www.foreignpolicynews, me autor Peter Tase i cili prekte temën e shërbimit diplomatik shqiptar, përqendruar vetëm në dy raste: Fatos Tarifa dhe Genti Gazheli. Duke qenë se çështja “Tarifa” është e njohur, po sjellim supozimin e Tase për Gazhelin, që u caktua ambasador në Turqi: “Të vetmet nisma që mund të pritet se do të përmbushen nga zoti Gazheli në Ankara, si një ish-drejtor i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në Tiranë, janë: që të mund të forcojë prezencën dhe të fuqizojë Burimet Financiare të Shtetit Islamik, duke përdorur eksperiencën e tij në pastrimin e parave; dhe të ruajë interesat e eprorëve të tij, të cilët janë gjithashtu aksionerë të mëdhenj te Süzer Group i Turqisë”(http://www.rilindjademokratike.com/index.php?option=com_content&view=article&id=23281%3A2016-02-23-22-14-34&catid=58%3Alajme-kyce&Itemid=105).
Nuk ka asnjë fakt ta mbështesë këtë gjë, as edhe sensi i analizës së z. Tase. Por nuk përjashtohet që ai të ketë informacione që nuk ka pse t’i paragjykojmë.
Z. Gazheli nuk përfaqëson asgjë për jetën publike shqiptare, përveçse një emër që përmendet shpesh nga ish-kryeministri Sali Berisha. Deri këtu nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Por kur gazeta zyrtare e Partisë Demokratike, “Rilindja Demokratike” e rimerr shkrimin dhe e ripublikon me titullin: “Ambasadori i Ramës për të fuqizuar burimet financiare të ISIS me pastrimin e parave”, atëherë puna ndryshon. Sepse ky nuk ka sesi ky shkrim të lexohet si nevojë për të mbushur faqet, por si qëndrim i PD-së. Kur “RD”, pra PD-ja, pohon se ambasadori i ri në Turqi, është aty si lidhje e dyshuar financiare e ISIS-it, problemi ndërlikohet pikë së pari, sepse Gent Gazheli është dekretuar në detyrën e ambasadorit nga Bujar Nishani, president i Republikës, një përfaqësues që vjen nga radhët e PD-së. Dekreti i tij mban datën 8 shkurt 2016(http://president.al/?p=31464) dhe ai është një akt zyrtar legjitim i shtetit shqiptar. Pra Presidenti aktual, që është ndër të paktët institucione që mbrohet nga PD-ja, madje edhe atëherë kur kjo ngjan e tepërt, ka ushtruar kompetencat e veta dhe siç preferon të nënvizojë shpesh: ka zbatuar Kushtetutën. Për të mbërritur deri te dekreti është kaluar nga vlerësimi i kandidaturës nga shumë institucione, përfshirë Shërbimin Informativ që drejtohet nga një përfaqësues i ardhur nga PD-ja. Më tej shteti pritës duhet të japë agreementin, kandidati kalon në Komisionin Parlamentar me Jashtë dhe pastaj është Presidenti ai që ka tagrin të vendosë. Dhe këtu nuk e detyron dot asgjë, pasi me përkufizim ambasadori është i dërguar i Kryetarit të Shtetit. Për ta kuptuar sesa e pamundur është të imponosh te Presidenti një kandidat për ambasador sjellim në kujtesë rastin e Visar Zhitit.
Nga kjo pikëpamje sulmi i “RD”, pra PD-së, ndonëse përdor emrin e kryeministrit, “padashur” përfshin edhe Nishanin. Pa pyetur fare për firmën e tij, për rolin kushtetues që ka etj..Një sulm që ndoshta synon të kompleksojë kryeministrin apo të godasë imazhin e qeverisë pas vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, sikurse mund të aludojë diçka edhe në adresë të Turqisë së Erdoganit. Ndaj së cilës pak javë më parë, ish-kryeministri bëri disa insinuata jo pa rëndësi.
Për t’u kthyer te tema, ka rëndësi që në aspektin formal, PD-ja e Lulzim Bashës të dëshmojë një lloj koherence: ndërkohë që nuk lë rast pa mbrojtur çdo procedurë për dekrete, nuk është shumë e këndshme të shohësh se ia gris Nishanit në fytyrë dekretin e radhës. Ose Presidenti e zbaton Kushtetutën, ose ai nuk e zbaton. Natyrisht këtë nuk ka nevojë ta pohojë PD-ja, por një fije serioziteti ka rëndësi. Nëse ka fakte për Gazhelin, sidomos kur janë kaq të rënda, mirë është t’i dimë të gjithë; nuk ka pse Presidenti të fyhet në këtë farë feje.
Add new comment