Një “hulumtim” mbi kuptimin e “Çekanit dhe Draprit”, simbolit sovjetik
Drapri dhe çekani, simboli i njohur botërisht i pushtetit të Sovjetëve ka një histori të vetën që nuk është edhe aq e thjeshtë për t’u zbërthyer deri në fund. Në një shkrim të vetin në “Russia Beyond the Headlines” autori Vladimir Khutarev, shkruan se simboli i famshëm u propozua nga artisti moskovit Yevgeney Kamzolkin dhe u miratua zyrtarisht në Sesionin e Pestë të Sovjetëve në vitin 1918. Fillimisht pati disa mendime dhe propozime: çekani dhe drapri, çekani dhe fshesa, çekani dhe sfurku apo edhe çekani me plugun. Çekani ishte prezent kudo dhe ai u zgjodh si asociim me punëtorët e Europës. Bashkë me një vegël bujqësore, simboli duhet të ilustronte sloganin e famshëm të Leninit për bashkimin e proletariatit me fshatarësinë.
Ka disa elementë interesantë historia e simbolit sovjetik: Khutarev shkruan se artisti që bëri propozimin, Kamzolkin, nuk ishte komunist. Përkundrazi, ai ishte një njeri thellësisht fetar nga një familje e pasur. Ai kishte qenë për 10 vjet pjesë e Shoqërisë Artistike Mistike “Leonardo da Vinçi” dhe i kuptonte mirë domethëniet e simboleve. Kështu, çekiçi dhe drapri asociohen me simbolet masonike të çekiçit dhe daltës, të dyja përfaqësuese të një qëllimi dhe vulllnetit që qëndron pas tij. Çekiçi, në simbologjinë fetare europiane, përfaqëson një forcë agresive mashkullore, vdekjeprurëse. Fillimet mund të gjenden që te Hefesti në Greqi, te perënditëë sllavike Svarog apo te Tori i nordikëve.
Duke patur parasysh këto, Khutarev shtron pyetjen nëse Kamzolkin mund të ketë përfshirë nëntekste të tjera nga ato të sloganit të Leninit në simbolin sovjetik? Nuk ka asnjë evidencë apo provë për këtë, por thjesht aludime që i bazon në dy qëndrime të dy personave publikë: së pari ai i filozofit rus Alexei Losev, sipas të cilit “simboli është një...parim konstruktiv për veprimin njerëzor dhe vullnetin...Këtu ne shohim simbolin e bashkimit të punëtorëve me fshatarët, simbol i shtetit sovjetik”. Një pasazh i dytë vlerësues vjen nga historiani dhe akademiku rus, Yury Gauthier, i cili shkruante në vitin 1921 në ditarin e tij: “Egërsia ka përfshirë Moskën për ditë të tëra. Si do të përfundojë e gjitha kjo? Përgjigjen duhet ta kërkojmë te fjalët “çekan, drapër”, duke i lexuar mbrapsht”.
Pra korrje dhe asgjësim. Khutarev i bën këtë lexim mesazhit të “koduar” të Gauthier në ditarin e tij: fjalët çekan dhe drapër në rusisht janë Molot dhe Serp. Pra Molotserp të lexuar mbrapsht japin Prestolom, që do të thotë: Fron. Një mënyrë ironike kundërvënieje ndaj një pushteti brutal. Të vihet re ironia tjetër, shqiptare: Në Shqipëri asnjëherë nuk është thënë “çekan dhe drapër”, por e kundërta: “Drapri dhe çekani”. E di vallë këtë Khutarev?
Simbologjia mesjetare e lidh draprin me vdekjen, sikurse në panteonin pagan indoeuropian parafytyrohej Mara, apo Morana, që mbante një drapër në dorën e majtë. Një lexim kureshtar, por që ngjan i kotë po të shohësh se edhe sikur origjina e simboleve, përfshirë ndonjë lojë të Kamzolkin, të jetë kështu, sërish sovjetikët i dhanë një tjetër kuptim atij. Kjo mund të kuptohet edhe te mendimi i parë që të vjen kur sheh ndonjë flamur të epokës sovjetike.
Add new comment