A ka vendim të PS-së për përjashtimin e Armando Prengës? Tri ditë më parë figuronte si pjesë e Grupit Parlamentar
Sot Partia Demokratike ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë nismën “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike”. Në një prej pikave të veta, opozita propozon që: “Në nenin 2 bëhen këto shtesa dhe ndryshime: a) Fjalia e parë e paragrafit 1 ndryshohet si më poshtë vijon:
“1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo qarku, këshilltar në këshillin bashkiak apo të qarkut, drejtues të njësive administrative, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:”.
b) Në paragrafin 2, të nenin 2, pas shkronjës “a”, shtohet shkronja “a/1” me këtë përmbajtje:
“a/1) ndaj të cilëve është zbatuar masa e arrestit në flagrancë për krime kundër jetës të kryera me dashje, ose veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit”.
Nuk ka asnjë dyshim se ky propozim vjen pas ngjarjes skandaloze, prodhuar nga një Gjykatë si Gjykata e Lartë, e cila ndryshoi masën e sigurisë për deputetin Armando Prenga, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje. Zotëria hapi zjarr me armë pa leje ndaj personave të tjerë, por sot ai deklaroi se “jam deputet dhe mandatin nuk ma ka dhënë Sali Berisha”.
Në një deklaratë për shtyp, Partia Socialiste vuri një deputet të vetin, Alfred Peza, që të “argumentojë” sesi qëndron kjo punë sipas saj. Tha deputeti: “Kush i kontrollon gjyqtarët, mazhoranca që kërkon t’i kalojë ata në sitë për të larguar të korruptuarit, apo opozita që i ka emëruar vetë pjesën dërrmuese të tyre e që sot kërkon t’i mbrojë duke i mbajtur në detyrë. Kurse sa i takon rastit të Armando Prengës, faktet flasin shumë qartë. Armando Prenga është përjashtuar nga Partia Socialiste qysh ditën që u gjend i përzier në konfliktin famëkeq të Laçit. Ne nuk pritëm as prokurorinë, as gjykatën për ta përjashtuar deputetin nga radhët tona, ndërkohë që Partia Demokratike të ndaluarit dhe të dënuarit e radhëve të saj për korrupsion i ka shpallur të persekutuar politikë. Qytetarët dinë ta bëjnë dallimin e të kuptojnë se kush do shtet e kush do sherr”.
Ndonëse në planin ligjor dhe kushtetues, propozimi i PD-së duket se bie ndesh me prezumin e pafajësisë, vendime si këto që jep Gjykata e Lartë e Shqipërisë, imponojnë masa shtrënguese të reja. Propozimi i PD-së është i dobishëm, pavarësisht se cilat janë premisat nga niset ai apo llogaritë politike. Fakti është se ky Parlament përfaqëson çdo gjë, por vetëm qytetarinë dhe normalitetin jo. Sa për albinë e PS-së, duhet të shtojmë se vetëm tri ditë më parë, pra atë ditë kur Gjykata e Lartë dha vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë, deputeti Armando Prenga figuronte në faqen online të Kuvendit të Shqipërisë në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Pra vetëm tri ditë më parë. Ndaj një kërkesë publike për PS-në, me shpresë se do të ketë akoma kurajo, apo edhe sekretariat normal, është: Ku është vendimi i shkruar për përjashtimin e Armando Prengës nga Grupi Parlamentar? Deklarata e Olta Xhaçkës kur ndodhi ngjarja nuk është vendim.
Add new comment