KLSH, AMF dhe tregu i sigurimeve
Në media flitet prej kohësh për problematikat në tregun e sigurimeve, për luhatjet e primeve, pagesat e dëmeve, fondin e kompensimit, vendimet arbitrare të gjykatave, rreziqet e shtuara të katastrofave natyrore etj. Natyrisht, jehona e këtij “ndërgjegjësimi popullarizues mediatik” është i lidhur ngushtë me rëndësinë dhe natyrën e këtij tregu shërbimesh, pasi peshën kryesore e zënë sigurimet e detyrueshme. Një pjesë e këtyre problematikave janë ngritur edhe nga vetë autoriteti mbikëqyrës i këtij tregu, si dhe institucionet ndërkombëtare financiare. Në raportet zyrtare të këtyre institucioneve dhe Programin e Vlerësimit të Sistemit Financiar 2013, disa nga indikatorët e performancës më të rëndësishëm të këtij tregu rezultojnë të jenë jashtë niveleve të sugjeruara nga Banka Botërore për vendet në zhvillim. Kështu, raporti dëme/prime për tregun shqiptar sipas raportit vjetor 2014 të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) luhatej në 34%, nga 50-80% që sugjerohet nga BB.
Performanca e dobët e këtyre treguesve, mungesa e informacionit nga ana e shoqërive të sigurimit mbi raportimet financiare, si dhe çështje të tjera që lidhen me shëndetin financiar të tregut të sigurimeve, nxitën KLSH-në të auditonte performancën e AMF-së si autoriteti publik që rregullon dhe monitoron këtë treg. Ky institucion u krijua dhe funksionon në bazë të ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare” (ndryshuar) për të rregulluar, licencuar dhe mbikëqyrur subjektet që ushtrojnë aktivitet në tregun financiar jobankar. Funksioni primar i këtij institucioni është që me anë të mjeteve ligjore, administrative dhe të informacionit, të mbrojë konsumatorët, si dhe të ruajë stabilitetin e transparencën e këtyre tregjeve.
Nisur sa më sipër, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përmbushje të funksionit të vet kushtetues dhe në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit të Institucioneve Supreme Audituese dhe veçanërisht ISSAI 3000-3100 që adresojnë specifikisht auditimin e performancës, auditoi Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare në përgjigje të pyetjes kryesore: “A i ka përmbushur AMF objektivat ligjorë kah garantimit të aftësisë paguese të tregut të sigurimeve?”.
Aftësia paguese dhe likuiditeti janë dy terma që i referohen shëndetit financiar të një ndërmarrjeje, por me disa dallime të dukshme. Aftësia paguese i referohet kapacitetit të ndërmarrjes për të përmbushur angazhimet e saj financiare afatgjata. Likuiditeti i referohet aftësisë së një ndërmarrjeje për të paguar detyrimet afatshkurtra ose mundësisë të saj për të shndërruar aktivet e saj në para. Teorikisht dhe praktikisht, përdoren shumë raporte financiare për të matur likuiditetin dhe aftësinë paguese të një kompanie.
Legjislacioni shqiptar i sigurimeve trajton dhe përcakton rregulla në vendosjen e kriterit të aftësisë paguese të shoqërive të sigurimeve dhe garantimit të tyre nëpërmjet mbikëqyrjes dhe marrjes së masave nga ana e Autoritetit. Mbi bazën e këtyre rregullave të përcaktuara, shoqëritë e sigurimeve raportojnë periodikisht në AMF treguesit financiarë të tyre, të cilat verifikohen dhe analizohen nga strukturat mbikëqyrëse të vetë autoritetit. Referuar këtyre analizave në fund të vitit 2013, rezulton që 6 shoqëri sigurimi jo-jetë nuk zotëronin aftësi paguese në nivelin e kërkuar ose nuk dispononin aktive të lejueshme në mbulim të provigjoneve teknike. Ndërsa në fund të vitit 2014, nga 8 shoqëri sigurimi jo-jetë që operonin në treg, vetëm një shoqëri rezultonte me aftësi paguese në nivelet e kërkuara. Në këtë dinamikë të treguesve të aftësisë paguese ndikuan edhe ndryshimet që u bënë gjatë vitit 2014 në kuadrin ligjor të fushës së sigurimeve. Me shtimin e elementeve të zbritshëm në llogaritjen e kapitalit dhe vendosjen e një marzhi 150% mbi kufirin e llogaritur të aftësisë paguese, ligji i ri i sigurimeve ka shtrënguar kriteret ligjore që duhen përmbushur nga operatorët, duke e bërë edhe më evidente paaftësinë paguese të disa prej shoqërive të sigurimit jo-jetë.
Në lidhje me administrimin e likuiditetit, kuadri rregullativ i AMF-së ka pasur dhe vazhdon të ketë mangësi. Si në ligjin e vjetër të sigurimeve, ashtu edhe në ligjin aktual gjendet një dispozitë e veçantë (neni 84 pika 4), e cila ngarkon Autoritetin me detyrimin për të nxjerrë rregullore mbi metodat e llogaritjes së treguesve dhe normave të likuiditetit. Për shkak se asnjë rregullore nuk është nxjerrë nga AMF deri më sot, megjithëse raportimi i likuiditetit është detyrim ligjor (neni 85, pika h), asnjë nga shoqëritë e sigurimit nuk llogarit dhe raporton një tregues të tillë. Nga një vlerësim i pavarur i grupit të auditimit, rezultoi që vetëm dy shoqëri zotëronin raporte likuiditeti brenda diapazonit normal që përcaktohet në testet e paralajmërimit të hershëm të manualit të mbikëqyrjes të miratuar nga AMF.
Mbështetur në paradigmën që “Sinergjia e një sistemi arrihet vetëm nëse secila hallkë e tij funksionon në mënyrë efektive dhe eficente”, grupi auditoi efikasitetin e funksioneve rregullative, mbikëqyrëse dhe zbatueshmërisë në nxitjen e qëndrueshmërisë, transparencës, besueshmërisë të tregut të sigurimeve dhe në respektimin e ligjit, me synimin kryesor mbrojtjen e konsumatorit. Mbi bazën e kësaj filozofie, grupi i auditimit ndërtoi piramidën e pyetjeve dhe modelin kërkimor të këtij auditi, që përfshinte një set metodash dhe kriteresh, me qëllim vlerësimin objektiv, të pavarur e të paanshëm të problematikave dhe dhënien e rekomandimeve për të ndihmuar e asistuar performancën e Autoritetit.
Në lidhje me efektivitetin e funksionit rregullativ, KLSH konkludon që pavarësisht ndryshimeve në ligjin e sigurimeve, kriteret e aftësisë paguese ende janë të vendosura me regjimin e Solvency I. Meqenëse legjislacioni shqiptar vendos kërkesa më të ulëta për kriterin e aftësisë paguese krahasuar me Direktivat e BE-së, KLSH rekomandoi që Autoriteti të kërkojë amendime të bazës ligjore që rregullon kriteret minimale të fondit të garancisë në përputhje me këto direktiva. Gjithashtu, për një kuadër rregullator më të plotë dhe më efektiv, Autoriteti duhet të miratojë dhe rishikojë rregulloret në plotësim dhe zbatim të ligjit “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” dhe në përputhje me standardet më të mira të fushës.
Një nga objektivat kryesorë të autoriteteve mbikëqyrëse të sigurimeve është krijimi i tregjeve të besueshme dhe transparente. Besueshmëria e raportimeve financiare dhe treguesve të aftësisë paguese lidhet jo vetëm me ndërtimin e një kuadri rregullator efektiv në matjen dhe vlerësimin e treguesve financiarë, por dhe ngritjen e një sistemi efektiv raportues dhe mbikëqyrës. Në këtë mënyrë, për të garantuar tregje më transparente, si dhe përgjegjshmëri më të lartë nga ana e shoqërive, Autoriteti duhet të kërkojë nga shoqëritë të bëjnë publikë treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe të likuiditetit të vlerësuar sipas kritereve të vendosura nga kuadri rregullator. Gjithashtu, KLSH rekomandoi që në raportet vjetore të mbikëqyrjes të publikuara nga Autoriteti të paraqiten treguesit e aftësisë paguese edhe në nivel shoqërie. Nga ana tjetër, Autoriteti duhet të kërkojë nga shoqëritë e sigurimit jo-jetë, që përveç provigjoneve të raportuara deri më sot, të llogarisin dhe raportojnë edhe provigjonet e tjera që parashikon ligji. Në funksion të rritjes së efektivitetit të mbikëqyrjes, Autoriteti duhet të shtojë kapacitetet mbikëqyrëse për tregun e sigurimeve dhe të vlerësojë profilin e rrezikut nëpërmjet kryerjes së ciklit e plotë të mbikëqyrjes me bazë rreziku në të gjitha shoqëritë e sigurimeve jo-jetë.
Një nga aspektet kryesore të aktivitetit të AMF është funksioni i zbatueshmërisë, i cili bën hetimin dhe marrjen e masave kundrejt subjekteve që shkelin kuadrin ligjor dhe rregullativ duke cenuar interesat e konsumatorëve. Megjithëse në vitet 2013 dhe 2014 respektivisht 6 dhe 7 operatorë nuk kanë kënaqur raportet e aftësisë paguese, Bordi nuk i ka përshkallëzuar masat penalizuese, duke toleruar kështu performancën e dobët të këtyre operatorëve, në kundërshtim me kuadrin ligjor e rregullator. KLSH rekomandoi që konform kuadrit ligjor, Autoriteti duhet të ndërtojë dhe t’i kërkojë shoqërisë së sigurimit skema masash në përputhje me kërkesat që vendosin direktivat e BE-së në rastet e rënies së treguesve të aftësisë paguese nën nivelet e kërkuara. Autoriteti nga ana e vet duhet të ushtrojë gjithë kompetencat ligjore për të kërkuar nga shoqëritë të raportojnë saktë dhe në kohë të gjithë informacionin financiar-teknik dhe raportet vjetore të audituara, duke gjykuar dhe vlerësuar efektshmërinë e përdorimit edhe të masave administrative në formën e sanksioneve. Në transparencë me publikun, Autoriteti duhet të bëjë publike përmbajtjen e plotë të Vendimeve të Bordit për masat e marra.
Si përfundim, megjithëse AMF është një institucion publik i pavarur që raporton performancën e tij direkt në Kuvend, ky auditim bëri një vlerësim të pavarur mbi efektivitetin dhe eficencën e politikave të subjektit në çështje me interes publik dhe në mbrojte të konsumatorit, si dhe plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ të fushës në përputhje me direktivat dhe standardet e BE-së. Duke qenë se industria e sigurimeve është një fushë e re dhe ende pak e studiuar në Shqipëri, rezultatet e saj janë në interes të palëve të ndryshme, ekspertëve të fushës financiare apo akademike, për t’u përdorur apo për të nxitur kërkime të mëtejshme në këtë fushë.
* Audituese në KLSH(Shqip)
Add new comment