Mungesa e investimeve të huaja lidhet me vendimet politike dhe jo me mungesën e tregut të kualifikuar të punës
Dy përfaqësues të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregëtisë në Shqipëri, Rolf Castro-Vasquez, president dhe Alexander Zsolnai, zëvendëspresident dhe Përgjegjës Thesari, kanë dhënë një intervistë për revistën ekonomike “Monitor” në të cilën japin disa mendime për klimën e biznesit në Shqipëri. Është folur gjatë për investimet e huaja direkte dhe qeveria është përpjekur të japë idenë se ato mungojnë sepse nuk ka treg pune dhe krah pune të kualifikuar. Për dy përfaqësuesit gjermanë ka edhe arsye të tjera: “Qeveria ka bërë përpjekje për të tërhequr Investime të Huaja Direkte. Ministri Ahmetaj ka qenë në Gjermani për të paraqitur potencialet, por duhet të keni parasysh se ka shumë konkurrencë. Maqedonia po tregohet aktive. Ka një regjim fiskal të favorshëm dhe kjo për ne është një pikë e rëndësishme.
Nga ana tjetër, ju duhet të tregoni se jeni të aftë të përmirësoni mjedisin e të bërit biznes. Ministria përgjegjëse po reagon mirë, por problemi qëndron në faktin se procedurat, dokumentacionet duhet të hartohen në kohë dhe këtu ka shumë vend për përmirësime. Kur çështja vjen te niveli bazë, atëherë ka shumë probleme”, thonë dy përfaqësuesit gjermanë. Një tjetër pikë që meriton vëmendje është vlerësimi i burimeve njerëzorë që në Shqipëri është në nivele minimale. Në krahasim vendoset sërish Maqedonia, e cila ka arritur të imponojë një imazh shumë pozitiv.
“Mjedisi i të bërit biznes është tejet miqësor në Shqipëri dhe këtu nuk ka asnjë dyshim. Por, ajo që duhet të përmirësohet ka të bëjë me qëndrueshmërinë e administratës publike. Burimet njerëzore që merren me çështjet e Investimeve të Huaja Direkte ndryshojnë shpesh. Në Maqedoni, tek InvestMacedonia kjo nuk ndodh. Janë të njëjtët njerëz me të cilët duhet të komunikohet dhe kjo shmang shumë probleme. Nëse administrata ndryshon, do të duhet ta nisësh çdo gjë nga e para. Duhet të krijoni struktura të përhershme. Dhe kjo histori përsëritet vazhdimisht”, shprehen dy përfaqësuesit gjermanë.
Add new comment