Intervista/Ligjërimi nacionalist duhet të jetë strukturues i realitetit shqiptar*

Postuar në 12 Shkurt, 2016 12:43
Intervistoi: Emirjan Çekrezi

Enis Sulstarova i ka kushtuar kohë studimeve të ligjërimit nacionalist në Shqipëri, për ta sjellë së fundmi edhe në një libër. Profesori i Universitetit të Tiranës e sheh kombin si vizion që duhet të kenë përpara shtetet shqiptare.

Kur u shfaq për herë të parë nacionalizmi dhe cila periudhë e historisë shqiptare mban peshën më të madhe ku ligjërimi nacionalist, përveçse është zhvilluar, është përdorur, por edhe ka pasur ndikim më shumë?

Nacionalizmi shqiptar është shfaqur me Rilindjen Kombëtare, e cila ishte një lëvizje kulturore e politike për formimin dhe përhapjen e vetëdijes kombëtare shqiptare dhe për themelimin e një shteti kombëtar. Roli i Rilindjes për nacionalizmin shqiptar është i pazëvendësueshëm, sepse intelektualët dhe aktivistët e lëvizjes kombëtare të asaj epoke krijuan përfytyrimet, idetë, mitet dhe synimet politike të kombit shqiptar. Etapa të mëpasshme të historisë sonë si komb, në shekullin XX dhe XXI i detyrohen Rilindjes në aspektin e elementëve të nevojshëm për ngjizjen dhe riprodhimin e identitetit kombëtar shqiptar. Për sa i përket ndikimit të ideve nacionaliste, ai është vështirë të matet, por mund të themi ndikimin më masiv ligjërimi i Rilindjes ndoshta e ka pasur pas krijimit të shtetit shqiptar, falë institucioneve publike e shtetërore, sidomos shkollat dhe mediat. Për arsye që dihen, idetë nacionaliste kanë qenë veçanërisht të rëndësishme në veprimtarinë politike të shqiptarëve që mbeten jashtë shtetit shqiptar në vitin 1913. Kurse përdorimi i nacionalizmit ka qenë i pranishëm në secilën periudhë që pason Rilindjen Kombëtare. Në shtetin shqiptar, Zogu, lëvizjet balliste dhe komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe regjimi komunist e kanë përdorur nacionalizmin, për të siguruar legjitimitetin e sundimit politik apo për të mobilizuar popullin në luftë kundër pushtuesit të huaj në kohë lufte. Zogu kërkonte që origjinën e familjes së tij ta lidhte me Skënderbeun, Enver Hoxha mitin e Skënderbeut si luftëtar i vetmuar kundër Perandorisë Osmane dhe Venediku e përdori për justifikimin e politikës së tij të izolimit. Ndërsa në ish-Jugosllavi nacionalizmi shqiptar ka qenë i shprehur përmes kërkesave për Kosovën republikë apo për bashkimin e trojeve shqiptare në atë shtet me Shqipërinë. Ekzistenca e monumenteve të Skënderbeut në Tiranë, Krujë, Prishtinë, Shkup, Dibër etj., është tregues i një identiteti kombëtar dhe i një aspirate politike, sado e parealizueshme që mund të duket sot, për të qenë të bashkuar.

Si është formuar doktrina e nacionalizmit dhe sa i lidhur është kombi me këtë doktrinë?

Moderniteti karakterizohet nga formimi i shteteve kombëtare në Europë e kudo nëpër botë. Secili komb dhe shtet kombëtar ka nacionalizmin e tij. Nacionalizmi si doktrinë përbëhet nga idetë moderne, siç janë sovraniteti popullor, vetëvendosja, vëllazëria apo solidariteti, demokracia, barazia para ligjit, mirëqenia, përparimi, ruajtja e trashëgimisë dhe e veçantisë kulturore etj. Shumica e nacionalizmave kërkojnë që t’i realizojnë këto ide universale duke i pajtuar me specifikat kulturore të kombit përkatës. Kombi shqiptar në tërësi dhe Shqipëria, si shtet i shqiptarëve, nuk përbëjnë përjashtime nga ky rregull. Kombi me nacionalizmin është kurdoherë i lidhur, aq sa është absurde dhe e pakuptimtë të thuash se sot ka në botë kombe pa nacionalizëm. Sigurisht që mund të ketë anëtarë të kombit që mund të jenë indiferentë ndaj identitetit dhe interesave kombëtare, mund të jenë internacionalistë apo kozmopolitë, mirëpo kombi si kolektiv kulturor, social dhe politik nuk mund të mos ketë nacionalizëm. Në një shtet kombëtar që ndodhet në kushte normale, nacionalistët aktivë, ata që punojnë në sferën publike për interesat e kombit, nuk përbëjnë shumicën e qytetarëve, mirëpo në rastet kur kombi rrezikohet atëherë shumë më tepër qytetarë janë të gatshëm të marrin përsipër përgjegjësi e detyra, madje edhe sakrifica për të shpëtuar kombin dhe pavarësinë e tij. Në çaste ngadhënjimi dhe humbjeje anëtarët e kombit bëhen bashkë dhe ndihen si një kolektiv i bashkuar. Kështu, identiteti shqiptar nuk perceptohet nga të gjithë njëlloj dhe shqiptari i zakonshëm nuk e fillon ditën duke e pyetur veten se “çfarë do të bëj sot për kombin tim”, mirëpo në raste të veçanta, ai ose ajo e ndien shqiptarinë në mënyrë më intensive, si p.sh. gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999 apo qoftë edhe për kualifikimin e ekipit kombëtar në Kampionatin Europian. Siç e ceka më parë, për shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, identiteti kombëtar ka qenë njëherazi shkak i persekutimit dhe i diferencimit për sa i përket ekzistencës dhe shanseve të jetës, prandaj edhe nacionalizmi ka qenë gjithnjë i pranishëm i veprimtarinë legale dhe ilegale të tyre.

Kur një ligjërim cilësohet si nacionalist dhe cilët janë dy përbërësit kryesorë mbi të cilët ai qëndron?

Ligjërimi cilësohet si nacionalist kur ka në qendër një shqetësim, ngre një çështje për kombin dhe jo, bie fjala, për njerëzimin, klasën, gjininë, fenë etj. Identitetet klasore, gjinore, fetare etj., mund të jenë pjesë e ligjërimit nacionalist, por këto shihen të lidhura dhe në varësi të kombit. P.sh., njerëzimi për nacionalistët është i ndarë në kombe, që kanë secili karakteristikat e veta; begatia e kombeve dhe barazia midis tyre i shërben edhe begatisë së njerëzimit në tërësi. Në këtë kuptim, çdo nacionalizëm kultivon njëfarë egoizmi për kombin përkatës, diçka që kur teprohet kthehet në një ndjenjë epërsie ndaj kombeve të tjera, në një dëshirë për të sunduar kombet e tjera dhe në kësi rastesh kemi të bëjmë me nacionalizëm të skajshëm, që emërtohet si shovinizëm dhe imperializëm. Për sa u përket dy përbërësve kryesorë të nacionalizmit, për mua janë ideja e kombit dhe ideja e lirisë. Do të më dukej kundërthënëse që dikush që i thotë vetes nacionalist të pranonte robërinë e huaj për kombin e tij. Mund ta pranojë përkohësisht, prej nga rrethanave të pafavorshme apo për të shmangur të keqen më të madhe, që mund të ishte zhdukja e kombit, por jo që ta dëshironte robërinë e kombit si diçka të mirë në vetvete.

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare, nacionalizmi ka lindur më tepër si nevojë e pavarësimit të vendit, që nënkupton ndarjen nga Perandoria Osmane apo më tepër si një qëndresë që bëhej ndaj pushtuesve fqinjë? Apo është një kombinim mes të dyjave?

Unë do të thosha se është një kombinim midis të dyjave. Nëse Lidhja e Prizrenit filloi si një organizim i shqiptarëve për të përballuar sulmin e shteteve ballkanike, ajo më pas evoluoi si një organizatë përfaqësuese e shqiptarëve kundrejt Perandorisë Osmane, madje tentoi të vinte në jetë programin për autonominë e Shqipërisë. Veprimtarët më vizionarë të Rilindjes, si Pashko Vasa, Sami Frashëri, Jeronim de Rada etj., e kishin të qartë se në fund të procesit shqiptarët do të duhej të dilnin në një shtet të pavarur dhe do të duhej të mbështeteshin në forcat e veta. Çështja ishte se ata ishin akoma të papërgatitur për këtë, pa një kohezion të brendshëm dhe pa aleatë të qëndrueshëm ndër fuqitë europiane dhe ndërkohë dukej qartë se rreziku kryesor vinte nga shtetet ballkanike. Prandaj, strategjia që ata përvijuan ishte mbështetja te perandoria kundër fqinjëve për aq kohë sa do të duhej që shqiptarët të arrinin vetorganizimin dhe të krijonin edhe besimin te shtetet europiane se ata ishin të aftë për t’u pranuar si një shtet më vete. Madje në analizën e tij, Sami Frashëri argumentonte se edhe perandoria do të përfitonte nga dhënia e autonomisë shqiptarëve, sepse do t’i zgjatej jeta asaj vetë në pjesën europiane. Për fat të keq gjërat nuk shkuan ashtu si mendonte ai dhe nacionalistët shqiptarë u desh të luftonin me armë kundër osmanëve. Të dyja palët u dobësuan dhe nga kjo situatë përfituan fqinjët që filluan luftën ballkanike për të penguar krijimin e një shteti shqiptar. Sidoqoftë, unë nuk jam dakord me disa ide që janë artikuluar gjatë viteve të fundit, sipas të cilave nacionalizmi shqiptar turqit i konsideronte si aleatë dhe jo si armiq. Unë jam dakord në këtë pikë me Hysamedin Ferajn, që thotë se diferencimi i nacionalizmit shqiptar midis turqve dhe shteteve ballkanike nuk ishte një zgjedhje midis mikut dhe armikut, por një zgjedhje e përkohshme midis një armiku më pak të rrezikshëm dhe një armiku më të rrezikshëm. Hapeni manifestin e Samiut "Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet" te kapitulli “Rreziqet e Shqipërisë” dhe do ta shikoni se ai turqit i radhit si armiq, krahas sllavëve dhe grekëve. Vetëm pas pavarësimit të Shqipërisë u paraqitën kushtet objektive që turqit të konsiderohen si miq e aleatë të kombit shqiptar, jo më parë.

Për çfarë shërbente ligjërimi nacionalist gjatë periudhës enveriste (siç e keni quajtur ju)?

Më lejoni që në fillim të përgjigjes sime të parashtroj dy pikëpamje që janë shprehur publikisht në Shqipëri në lidhje me marrëdhënien e komunizmit me nacionalizmin. Sipas së parës, që niset nga supozimi se nacionalizëm do të thotë përputhje e njësisë kombëtare me atë shtetërore, komunizmi shqiptar ishte kundërshtar i nacionalizmit shqiptar. Qysh në Mukje, komunistët nuk pranuan kufijtë e shtetit të atëhershëm që ishin më pranë idealit të përputhjes territoriale komb-shtet. Gjithashtu, ata “tradhtuan” Kosovën te Jugosllavia, rrezikuan që Shqipëria të bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë, vranë nacionalistët shqiptarë, u shkëputën nga Perëndimi, vendosën diktaturën mbi popullin shqiptar etj. Lista e veprimeve të komunistëve kundër kombit është e gjatë. Pikëpamja e dytë thotë se regjimi diktatorial ishte nacional-komunizëm, pra një përzierje midis nacionalizmit dhe komunizmit, që do të thotë se dukuri si izolimi i vendit nuk vinin vetëm nga dëshira për të ruajtur të pastër marksizëm-leninizmin, por edhe nga ksenofobia e një regjimi nacionalist që matanë kufijve shihte vetëm armiq ndaj shqiptarëve. Gjithashtu, regjimi komunist ngriti institucionet kombëtare, mbështeti dhe krijoi mite të reja kombëtare, popullarizoi heronjtë historikë dhe ata të luftës partizane etj. Sipas kësaj pikëpamjeje, identiteti kombëtar shqiptar u rrënjos te masat pikërisht gjatë periudhës komuniste, me anë të rrjetit arsimor, propagandës partiako-shtetërore, izolimit nga burime të huaja të informacionit etj. Unë në librin tim kam zgjedhur një rrugë të ndërmjetme, që mendoj se është më e frytshme për të bërë studime konkrete mbi retorikën dhe politikat e asaj kohe. Ndërsa pajtohem se regjimi komunist nuk ndoqi objektiva nacionaliste, më saktë irredentiste, kundrejt shqiptarëve në shtetet fqinje, se ai për pjesën më të madhe të kohës i la në terr informativ shqiptarët e Shqipërisë për atë që po ndodhte në Kosovë dhe se bashkëpunoi me komunistët jugosllavë në dëm të interesave të kombit shqiptar, në krahun tjetër vërejmë se ai zhvilloi edhe një ligjërim për kombin. S’kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa e theksuam se nacionalizmi është doktrinë legjitimuese për të gjitha shtetet kombëtare dhe Shqipëria nuk mund të bënte ndryshe. Prandaj, për mendimin tim ka më shumë rëndësi që të hulumtohet ligjërimi për kombin gjatë periudhës komuniste, duke pasur parasysh shtrëngesat që e formësonin atë, si p.sh. ideologjia internacionaliste e sistemit, gjendja ndërkombëtare, e ashtuquajtura lufta klasore në atë kohë, varianti stalinist i modernizimit ekonomik-shoqëror etj.

Cilat ishin përmasat e përfytyrimit të kombit në këtë kohë dhe si përcaktoheshin armiqtë (e rinj le t’i quajmë) e kombit shqiptar sipas këtij nacionalizmi?

Le të themi që regjimi komunist u përpoq që kombin t’ia përshtaste shtetit. Edhe pse nuk mohohej ekzistenca e shqiptarëve matanë kufirit, prapëseprapë “kombi socialist shqiptar” konsiderohej ai brenda kufijve të shtetit, “nga Vermoshi në Konispol”, siç thuhej në atë kohë. Pra, kemi një ngushtim të përfytyrimit të kombit në praktikën politike dhe shoqërore që ndiqte regjimi. Edhe ata pak shqiptarë të Jugosllavisë që vinin në “shtetin amë” mbikëqyreshin me rreptësi, sepse nuk konsideroheshin si të besueshëm. Po kështu, edhe ndaj çamëve të ardhur në Shqipëri pati një sjellje të ftohtë nga regjimi, që ndonjëherë shkonte edhe në persekutim. Kriteri i parë për të dalluar armiqtë e kohës ishte ai ideologjik, pra ndërsa populli socialist shqiptar ishte revolucionar, armiqtë e tij ishin reaksionarë, duke filluar me Perëndimin, për të vijuar me Bashkimin Sovjetik e pastaj me Kinën etj. Për vendet ballkanike enverizmi thoshte se popujt e tyre ishin vëllezër, që kishin luftuar kundër armiqve të përbashkët turq, fashistë e nazistë, por që qeveritë reaksionare po i përçanin, veçanërisht klika titiste në Jugosllavi e monarko-fashistët në Greqi. Në këtë mënyrë zgjidhja që propozonte enverizmi për shqiptarët e Kosovës ishte lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë për përmbysjen e titistëve. Vetëm në vitin 1981, pasi kishin shpërthyer demonstratat në mbarë Kosovën e në viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, pozita zyrtare e Tiranës avancoi në qëndrimin që kërkesa “Kosova republikë” ishte e drejtë.

A u mor Rilindja Kombëtare si model për ndërtimin e nacionalizmit enverist?

Rilindja Kombëtare është marrë si model në çdo periudhë pasuese të shtetit shqiptar. Edhe sot qeverisemi nga një qeveri që vetëquhet “rilindëse”. Gjithsesi, enverizmi pretendonte se i kishte realizuar idealet e Rilindjes, ndërkohë që censuronte e ndalonte veprat e rilindësve që nuk i përshtateshin propagandës së tij. Të mos harrojmë që në fillimin e viteve ’90, shkrimet e Fishtës dhe Konicës ishin pothuajse të panjohura në Shqipëri.

Cilat janë disa nga aspektet e Shqipërisë paskomuniste që kanë të bëjnë me ligjërimin nacionalist? Sa i ka shërbyer dhe sa i shërben ai realitetit shqiptar?

Për mendimin tim, aspekti kryesor është se përfytyrimi i kombit nuk është më i ngushtuar nga kufijtë e Republikës së Shqipërisë. Qytetari i zakonshëm i Shqipërisë vazhdimisht kujtohet për praninë e shqiptarëve përtej kufirit, që nga mediat që mbulojnë ngjarjet në rajon e deri te vizituesit e shumtë të bregdetit të Shqipërisë që vijnë nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës e diaspora. Duhet thënë që lidhjet institucionale janë akoma të pakta, d.m.th. institucionet shtetërore funksionojnë më vete për secilin shtet, akoma shpallet si arritje abetarja e përbashkët, ndërkohë që duhej të ishte bërë shumë më tepër se kaq. Mendoj se ka ardhur koha që në planifikimet e tij të zhvillimit shteti shqiptar të marrë seriozisht në konsideratë kombin shqiptar në tërësinë e tij, edhe pse ai jeton në disa shtete. Kjo të bëhet që nga programet studimore dhe kuotat e universiteteve e deri te shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe potencialet që ka popullata e re shqiptare etj. Sigurisht që këtë gjë ia kërkoj edhe qeverisë në Prishtinë, por ajo për momentin duket më shumë e prirë për të dëgjuar Beogradin sesa zërat që shprehin interesin kombëtar në Kosovë. Në aspektin e unifikimit të përfytyrimeve dhe të shtytjes së shqiptarëve për të bashkëpunuar dhe krijuar shanset e tyre të jetesës së bashku, ligjërimi nacionalist është funksional. Unë mendoj se nuk është ai që duhet t’i përshtatet realitetit të sotëm, sepse ligjërimi nacionalist duhet të jetë strukturues i realitetit shqiptar dhe për këtë volitet kujtesa e herëpashershme e veprimtarisë së Rilindjes Kombëtare.

A kanë ndikim dy ligjërimet e dy periudhave të mëparshme në ndërtimin e këtij ligjërimi?

Sigurisht që kanë, mirëpo nevojiten studime të imta për t’i evidentuar me saktësi ato. Mendoj se përgjithësisht dhe në mënyrë të vetëdijshme veprimtarët politikë dhe shoqërorë po përpiqen që t’u ikin qëndrimeve të gabuara të enverizmit lidhur me izolimin ndaj botës së jashtme dhe vlerësimit të miqve e armiqve të kombit mbi baza ideologjike. Ndërsa për sa i përket Rilindjes, vërej se ajo vlerësohet pozitivisht dhe se shumë njerëz i referohen asaj si një kohë për t’u marrë shembull, edhe pse kuptohet që edhe në këtë qëndrim ka ekzagjerime dhe një idealizim që shkon deri në adhurim. Sidoqoftë është pozitive që kujtohen përpjekjet e nacionalistëve shqiptarë të Rilindjes për të “zgjuar” kombin dhe për ta bashkuar atë. Për zgjim të vetëdijes kombëtare dhe për bashkime të shqiptarëve kemi nevojë edhe sot. Të mos harrojmë se një tjetër kuptim i fjalës “komb” është lidhje apo nyje. Gazeta "Shqip" *Titulli është i "ResPublica"

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

Artikulli nuk me bind shume. Se pari sepse nacionalizmi merret a priori si nje gje pozitive. Se dyti per ndonje interpretim liberal te disa gjerave. Psh te quash Konicen dhe Fishten "rilindas" eshte goxha e guximshme. Etj. Por nganjehere mesazhi nuk del i plote ne intervista te tilla dhe le ti japim Enisit benefitet e dyshimit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.